Ballina Artikuj Mos e hidh elefantin në pusin e Ramazanit

Mos e hidh elefantin në pusin e Ramazanit

Kur të thuhet në disa situata: shfrytëzoje rastin sapo të shfaqet para teje, kjo sepse ndoshta një mundësi e tillë nuk do të vijë më herë tjetër. Jeta është një varg stacionesh ku në kohë të caktuara shfaqen mundësi; përmes tyre dhe nëpërmjet tyre njeriu përparon ose mbetet pas. Me to ngrihesh ose bie. Ke sukses ose dështon.

Mundësia mund të të shfaqet sot në një formë të caktuar; nëse nuk e kap fort dhe nuk e shfrytëzon sa më mirë në kohën e duhur, ajo mund të mos të shfaqet më me të njëjtat rrethana dhe kushte si herën e parë. Sipas kësaj logjike, njerëzit me përvojë dhe të urtët këshillojnë që ta kapësh rastin sapo të shfaqet në horizont dhe ta investosh në mënyrën më të mirë. Dhe meqë po flasim për mundësitë, është e natyrshme që fjala e sotme të mos dalë jashtë kuadrit të mundësisë më të madhe, apo dhuratës hyjnore që përfaqësohet nga muaji i bekuar, të cilin Allahu na ka nderuar mua dhe ju me arritjen e tij.

Ai është një nga mundësitë, apo dhuntitë hyjnore, me të cilat Allahu i nderon robërit e Tij. I mençuri i urtë dhe i zgjuari i mprehtë është ai që, sapo Allahu ta begatojë me arritjen e Ramazanit, e shfrytëzon mundësinë e shëndetit të tij dhe të fuqisë mendore e trupore në mënyrën më të mirë. Sepse shëndeti nuk është i përhershëm dhe askush prej nesh nuk e di sa do të zgjasë jeta apo sa do të jetojë.

Ramazani i mirësisë: ditët e tij janë të numëruara; sapo të fillojë, nis edhe numërimi mbrapsht i largimit të tij. Nëse mbaron dita e parë, ajo nuk kthehet më veçse pas një viti të plotë. Kjo është një e vërtetë e qartë që nuk ka nevojë për shumë shpjegime, por ka nevojë për shumë përkujtim: askush nuk ta garanton jetën, shëndetin dhe mirëqenien që të takosh ditën e parë të Ramazanit të vitit të ardhshëm pas më shumë se treqind e gjashtëdhjetë ditësh!

Dhe meqë po e lexon këtë shkrim në fillim të muajit të bekuar, që të mos përjetosh më vonë ndjesinë e hidhur të humbjes dhe të shpërdorimit pas një kohe të shkurtër, dije së pari se je prej fatlumëve që Allahu i ka nderuar me arritjen e këtij muaji fisnik. Dije së dyti se arritja jote e këtij muaji është një mundësi që t’u shfaq përsëri, për të shfrytëzuar çdo çast, minutë dhe sekondë të tij në atë që të sjell mirësi, dobi dhe përmirësim në këtë botë dhe në botën tjetër, pasi të kërkosh ndihmë dhe qëndrueshmëri nga Allahu i Lartësuar.

Me fjalë të tjera: Ramazani është një mundësi që, nëse nuk e shfrytëzon, mund të mos përsëritet.

Hajdutët dhe “elefantët” e Ramazanit

Pra, pas lutjes dhe kërkimit të qëndrueshmërisë e ndihmës nga Allahu, tani vjen radha jote për të vepruar. Sepse lutja pa përpjekje dhe pa angazhim nuk bashkohen dot. Si mund të kërkosh ndihmën e Allahut, ndërkohë që nuk lë asnjë shpërqendrim apo hutim të Ramazanit pa e ndjekur?

Kjo i ngjan atyre që një ditë ishin rreth Imam Malikut në Medinë në një mësim dijeje. Papritur dikush thirri: “Ejani të shihni një elefant!” Dihet se në Medinën e ndritshme nuk kishte elefantë. Megjithatë, të gjithë nxënësit rreth Imam Malikut dolën për ta parë elefantin, përveç njërit — atij që më vonë do të bëhej imam dhe jurist i Andaluzisë, Jahja el-Lejthi — i cili qëndroi i qetë pranë Imam Malikut.

Imami e pyeti: “Pse nuk dole ta shohësh elefantin, kur në Andaluzinë tënde nuk ka të tillë?” Ai u përgjigj: “Unë kam ardhur nga vendi im për të të parë ty, për të mësuar nga udhëzimi dhe dija jote; nuk kam ardhur për të parë elefantin.”

Imam Maliku u mahnit prej tij dhe e quajti “i mençuri i Andaluzisë”. Madje ai u bë nga ata tek të cilët imami kishte besim për transmetim prej tij. Kështu, transmetimi i imam Jahja el-Lejthit nga Imam Maliku u bë versioni i mbështetur i “El-Muvatta”-s. Historia e njeh atë si shejhun e malikive në Andaluzinë e asaj kohe, dhe ishte pikërisht ai që përhapi medhhebin malikij në atë qendër të përparuar të qytetërimit islam në atë periudhë.

Mesazhi është i qartë: në Ramazan ka shumë “elefantë”, shumë shpërqendrime që të largojnë nga qëllimi kryesor. Mos i ndiq ata, por qëndro aty ku është dija, adhurimi dhe përfitimi i vërtetë.

Qartësia e qëllimit

Thelbi i kësaj historie, siç pëlqejnë ta përmendin shumë prej atyre që e citojnë kur flasin për qartësinë e vizionit dhe të qëllimit, është se sa më i qartë, i matshëm, i vlerësueshëm dhe i korrigjueshëm të jetë qëllimi ynë, aq më të lehta bëhen hapat drejt arritjes së tij.

Përmendja jonë e kësaj historie në kontekstin e Ramazanit ka për qëllim të sqarojë një të vërtetë të rëndësishme: sapo Allahu ta begatojë njeriun me arritjen e Ramazanit, supozohet që ai të ketë objektiva të qarta, të dukshme dhe të përcaktuara për ta shfrytëzuar kohën në mënyrën më të mirë të mundshme. Njëkohësisht, duhet të ruhet me shumë kujdes nga “elefantët” — apo hajdutët e kohës — të cilët shtohen dhe shfaqen më tepër gjatë muajit të bekuar, me shumë mjeshtëri dhe aftësi për të shpërqendruar dhe për të tërhequr vëmendjen.

Hajdutët e kohës, apo “elefantët e arratisur” në Ramazan, janë të shumtë: serialet televizive, darkat e gjata e të vazhdueshme të natës, aktivitetet artistike e sportive e të tjera; madje edhe risia e çadrave të Ramazanit, si dhe netët e syfyrit nëpër restorante e hotele. Përveç këtyre, është edhe hajduti më i madh — “elefanti” më i madh — telefoni celular me rrjetet e tij të shumta sociale.

Të gjitha këto janë hajdutë kohe, që e vjedhin kohën në mënyrë të qetë dhe të vazhdueshme. Shpesh nuk e kuptojmë veçse kur Ramazani ka përfunduar dhe komisioni i specialistëve shpall shikimin e hënës së Shevalit. Atëherë del në pah se kush fitoi e kush humbi.

Lus Allahun që të mos e përjetojmë atë ndjenjë të hidhur pendimi, por i kërkojmë Atij të na bëjë të gjithëve prej fitimtarëve e jo prej humbësve. Ai është i Zoti për çdo të mirë dhe na mjafton si Mbështetësi më i mirë.

Përfundim

Ndër fjalët e bukura që janë transmetuar nga Ibn el-Xheuzi në përshkrimin e këtij muaji të bekuar, në librin e tij “Bustanul Uaidhine ee Rijadus-Samiine” është kjo thënie:

“Dymbëdhjetë muajt janë si bijtë e Jakubit (a.s), ndërsa muaji i Ramazanit mes muajve është si Jusufi (a.s) mes vëllezërve të tij. Ashtu siç ishte Jusufi (a.s) më i dashuri i bijve për Jakubin (a.s), po ashtu Ramazani është muaji më i dashur te Ai që i di të fshehtat. Prandaj mos e vrisni, mos e hidhni në thellësinë e pusit, mos e shisni për një çmim të ulët; përkundrazi, nderojeni qëndrimin e tij mes jush, ndoshta do të na sjellë dobi ose do ta marrim ndërmjetësues në Ditën e Llogarisë.”

Çdo vit qofshi me mirësi dhe begati.

Autor: Abdullah Imadi

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

Exit mobile version