Ballina Artikuj Feja nuk është kërcënim për shtetin laik, por është pjesë e shoqërisë

Feja nuk është kërcënim për shtetin laik, por është pjesë e shoqërisë

Bedri Syla

Debati i fundit në Prishtinë rreth riorganizimit të orarit mësimor gjatë Ramazanit është shndërruar padrejtësisht në një çështje “laiciteti”. U krijua përshtypja sikur çdo lehtësim për nxënësit agjërues cenon shtetin laik.
Por kjo nuk qëndron.
Drejtori i Arsimit, Samir Shahini, e sqaroi qartë: nuk është hequr asnjë orë mësimi, nuk është shkurtuar programi, ora mësimore mbetet 45 minuta. Është bërë vetëm një riorganizim praktik, për ta lehtësuar përditshmërinë e nxënësve, prindërve dhe mësimdhënësve.
Laiciteti nuk nënkupton që shteti duhet të sillet sikur qytetarët nuk kanë fe.
Laiciteti do të thotë neutralitet dhe barazi – jo ftohtësi dhe mohim i realitetit shoqëror.
Nëse një institucion publik tregon ndjeshmëri ndaj nevojave të qytetarëve të vet, kjo është demokraci funksionale, jo shkelje e Kushtetutës.
Përvoja ime personale në Gjermani:
Për ta kuptuar më mirë këtë, dua të ndaj një përvojë personale.
Vajza ime ndjek shkollën fillore në Gjermani. Këtë vit, vetë shkolla e saj organizon një iftar të përbashkët me nxënës, prindër dhe mësues.
Në ftesën zyrtare thuhet qartë:
respektojmë diversitetin,duam bashkëjetesë,
duam t’ua shpjegojmë fëmijëve çfarë është Ramazani,
dhe të ndajmë një mbrëmje bashkë.
Madje, si prind dhe imam, më është kërkuar me shumë respekt që ta thërras ezanin në këtë iftar.
Dhe po flasim për një shkollë publike në një shtet thellësisht laik si Gjermania.
Askush nuk ndjehet i rrezikuar.
Askush nuk flet për “cenim të laicitetit”.
Përkundrazi, u quajt integrim, respekt dhe kulturë dialogu.
Çfarë duhet të mësojmë?
Nëse një shtet si Gjermania mund të krijojë hapësirë për iftar në shkollë, përse në Kosovë duhet të frikësohemi nga një rregullim orari?
Fëmijët tanë: nuk po detyrohen të agjërojnë, nuk po u predikohet feja, nuk po ndryshohet mësimi.
Po u lehtësohet dita.Kaq.
Ramazani për ne është disiplinë, etikë, durim dhe mirësi. Këto janë vlera universale, jo kërcënim për askënd.
Si prind, si imam dhe si qytetar, besoj se:
Respekti ndaj fesë së tjetrit nuk e dobëson shtetin – e forcon atë.
Ndjeshmëria ndaj nxënësve nuk e cenon shkollën – e bën më humane.
Bashkëjetesa nuk është rrezik – është pasuri.
Kosova është shtet laik, por shoqëria jonë është me vlera fetare.
Këto dyja nuk janë kundërshtare – mund dhe duhet të ecin bashkë.
Sepse laiciteti i vërtetë nuk përjashton askënd.
Ai i përfshin të gjithë.
Unë jam agjerues, unë jam agjerues .
Hoxhë Bedri Syla
19.02.2026
Troisdorf-Gjermani

Exit mobile version