Ballina Artikuj Besatimi në përkushtimin për këtë muaj Ramazan

Besatimi në përkushtimin për këtë muaj Ramazan

Prof.Dr. Rrahman Ferizi

Si besimtar i devotshëm, në nënshtrim dhe dorëzim ndaj Krijuesit Suprem, të Madhit Allah, do të përpiqem me tërë qenien time të kryej të gjitha obligimet që kërkohen nga unë në këtë kohë dhe muaj të shenjtë; duke agjëruar me trup dhe me shpirt, duke falur dhe duke u falur në lutje dhe adhurim, duke abstenuar nga ushqimi, pija dhe të gjitha shprehitë e padobishme, duke u lutur për jetimët, skamnorët dhe të robëruarit në katër anët e botës, duke u lutur që të ketë paqe, mirësi dhe dashuri në familjet, kombin tonë dhe mbarë shoqërinë njerëzore.
Përmes këtij adhurimi të shenjtë do të mundohem të përjetoj urinë dhe vuajtjen e të shtypurit, varfërinë e skamnorit dhe pamundësinë e të vobektit. Përmes këtij adhurimi hyjnor do të mundohem të lartësohem shpirtërisht dhe të kalitem fizikisht, të bëhem i aftë dhe i zoti për t’u sfiduar në çdo rrethanë paqeje dhe lufte në mbrojtje të tokave të Atdheut tim.
Këtë traditë të shenjtë do të përpiqem ta trashëgoj tek pasardhësit e mi, familja ime dhe pjesëtarët e shoqërisë sime, të cilët i kam në kujdes dhe edukim si amanet. Dhe asnjëherë, e në asnjë rrethanë, nuk do t’i nënshtrohem asnjë lakmie, egoizmi, presioni apo inferioriteti për të shkelur këtë shenjtëri të besimit tim.
Mirëpo, me pietet dhe besnikërinë më të lartë do të qëndroj në respektim të këtyre vlerave hyjnore që me dashuri më obligon besimi im.
I harruar qoftë emri im nëse shkel këtë bindje dhe besim.

Unë, biri i këtij besimi, deri në vdekje.
Besatohem!

Rrahman FERIZI

Exit mobile version