Ballina Sport “Rusi 2018”, Botërori i golave për infarkt

“Rusi 2018”, Botërori i golave për infarkt

Gjermania e provoi në lëkurën e saj se çfarë do të thotë të ndëshkohesh në minutat e fundit. Dy golat e Koresë së Jugut, në minutat shtesë të sfidës së fundit në grupin F, përveçse dënuan kampionët e Botës me eliminim të parakohshëm, e vunë atë në pozitat siç u ndie Suedia në momentin e shënimit të golit nga Toni Kroos në ndeshjen e dytë.

Por, mbi të gjitha, ato gola në fund tronditën tifozët gjermanë, e për më tepër i bëne ata me zemër.

Në të vërtetë, ky Botëror i Rusisë mund të konsiderohet një rrezik për personat me probleme kardiake. Kjo, pasi një pjesë e mirë e golave janë shëniuar pas minutës së 85-të, madje kanë shkaktuar edhe dëme.

Nëse Maradona vuajti një rënie të tensionit gjatë ndeshjes mes Argjentinës dhe Nigerisë, më keq i shkuan gjërat një komentatori egjiptian, që humbi jetën për shkak të një infarkti gjatë komentimit të sfidës mes Arabisë Saudite dhe Egjiptit.

Në të dyja këto ndeshje pati gola në çastet e fundit: Rojo për Argjentinën, që e kualifikoi atë mes 16 më të mirave, si dhe ai i skuadrës së Arabisë Saudite, që e ndëshkoi Egjiptin me vendin e fundit në grup.

Shembujt për golat në minutat e fundit në Botërorin e Rusisë nuk janë të paktë, e një pjesë e mirë e tyre kanë rezultuar vendimtare për skuadrat që i kanë shënuar. Harry Kane ndaj Tunizisë, Xherdan Shaqiri ndaj Serbisë, Ronaldo ndaj Spanjës, Coutinho ndaj Kosta Rikës, apo Kroos e Aspas, kanë qenë kirurgjikalë në atë që quhet “zona cezariane”, duke i bërë homazh ish-futbollistit italian të viteve ’30, specialist i shënimit të golave në minutat finale.

Ndoshta në Rusi mungon spektakli i lojës së bukur, por nuk mund të thuash se mungojnë emocionet. Në çdo ndeshje priten me ankth 5 minutat e fundit, ku gjërat ndryshojnë dhe ku adrenalina e çdo tifozi është në nivelet më të larta./tch

Exit mobile version