Ballina Lajmet Rusia dhe Kina vendosin veto ndaj rezolutës që kërkon sanksionimin e regjimit...

Rusia dhe Kina vendosin veto ndaj rezolutës që kërkon sanksionimin e regjimit sirian

Rusia dhe Kina kanë vendosur veto ndaj projekt-rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS i OKB-së) me të cilin kërkoheshin sanksione ndaj regjimit të Asadit për shkak të përdorimit të armëve kimike në Siri, raporton Anadolu Agency (AA).

Projekt-rezoluta për sanksionimin e palëve për të cilat është gjetur se kanë përdorur armë kimike në Siri ishte përgatitur nga Britania e Madhe, SHBA-të dhe Franca, pasi raporti i misionit të OKB-së dhe Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike që synonte nxjerrjen në pah të palëve që kanë përdorur armë kimike në Siri, paraprakisht kishte vënë në dukje se regjimi i Asadit ka përdorur armë kimike tre herë, ndërsa organizata terroriste DEASH një herë.

Ndërkaq, rezoluta u soll për votim në KS të OKB-së pas negociatave që zgjatën nga muaji dhjetor dhe aktiviteteve për bindjen e Rusisë. Megjithatë, gjatë votimit të sotëm, Rusia dhe Kina vendosën veto ndaj rezolutës.

Teksa Bolivia, e cila nuk posedon të drejtë vetoje, votoi kundër, Etiopia, Egjipti dhe Kazakistani abstenuan. Ndërkohë, nëntë shtete të tjera votuan në favor të saj.

Vetoja e shtatë e Rusisë

Për miratimin e një projekt-rezolute në KS të OKB-së nevojitet që së paku nëntë nga 15 anëtarët të votojnë pro dhe që asnjë nga anëtarët e përhershëm – Rusia, Kina, SHBA-të, Franca dhe Britania – të mos vendosin veto.

Pas vetos së sotme, Rusia vendosi veton e saj të shtatë në KS të OKB-së ndaj projekt-rezolutave që kanë të bëjnë me Sirinë.

Ndryshe, rezoulta e përkrahur nga shumë shtete, përfshirë edhe Turqinë, parashihte ngrirjen e pasurive për 11 komandantë ushtarakë sirianë, ndalimin e udhëtimit për personat në fjalë, ndalimin e shitjes së helikopterëve regjimit sirian dhe futjen në listë të zezë të dhjetë institucioneve për të cilat është caktuar se kanë lidhje me zhvillimin dhe përdorimin e armëve kimike.

Exit mobile version