Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Shefat e mbrojtjes së BeH-së dhe Italisë: Siguria e Ballkanit lidhet drejtpërdrejtë...

Shefat e mbrojtjes së BeH-së dhe Italisë: Siguria e Ballkanit lidhet drejtpërdrejtë me sigurinë e Evropës në tërësi

Ministrat e Mbrojtjes së Bosnjë e Hercegovinës (BeH) dhe Italisë, Zukan Helez dhe Guido Crosetto, janë takuar në Sarajevë ku kanë diskutuar për mundësitë e pjesëmarrjes më aktive të Italisë në programin e ndërtimit të kapaciteteve të mbrojtjes së NATO-s (Defence Capacity Building – DCB), i cili synon fuqizimin e Forcave të Armatosura të BeH-së, raporton Anadolu.

Një delegacion i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes së Italisë, i udhëhequr nga ministri Crosetto, vizitoi BeH-në ku u prit në takim nga ministri Helez.

Gjatë takimit u diskutua edhe procesi i integrimeve euro-atlantike të BeH-së, ku Italia konfirmoi mbështetjen e fuqishme dhe të pakushtëzuar për rrugën evropiane dhe atlantike të BeH-së.

Helez theksoi rëndësinë e mbështetjes së përgjithshme që Italia ofron për BeH-në, përfshirë edhe trajnimin e kadetëve të forcave të BeH-së në institucionet ushtarake italiane.

Crosetto, nga ana e tij, shprehu mbështetjen e plotë dhe gatishmërinë për të ofruar çfarëdo lloj ndihme në fushën e trajnimit dhe edukimit të anëtarëve të forcave të BeH-së.

“Jam i kënaqur dhe i inkurajuar nga mesazhet e ministrit Crosetto, i cili theksoi qartë se çdo përpjekje për destabilizim të Ballkanit Perëndimor përbën një formë veprimi hibrid kundër Evropës dhe se siguria e Ballkanit lidhet drejtpërdrejtë dhe në mënyrë të pandashme me sigurinë e Evropës në tërësi”, tha Helez pas takimit.

Ai shprehu besimin se takimi i sotëm do të sjellë “përfitime konkrete” për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh midis dy vendeve, si dhe do të forcojë më tej mbështetjen për rrugën euro-atlantike të BeH-së.

Në takim gjithashtu u diskutua edhe roli i rëndësishëm i Italisë në ruajtjen e një mjedisi të sigurisë së qëndrueshme në BeH përmes pjesëmarrjes aktive në misionin EUFOR Althea.

“Italia ofron mbështetje të konsiderueshme për këtë mision dhe në veçanti u theksua se gjatë vitit 2026 do të marrë komandimin e misionit EUFOR Althea, duke konfirmuar edhe një herë përkushtimin e saj të fortë ndaj paqes, sigurisë dhe stabilitetit të BeH-së dhe të gjithë rajonit”, tha Ministria e Mbrojtjes e BeH-së në një deklaratë.

Në takim morën pjesë edhe zv/ministri i Mbrojtjes i BeH-së për menaxhimin e burimeve, Aleksandar Goganoviq, shefi i Shtabit të Përbashkët të Forcave të Armatosura të BeH-së, Gojko Knezheviq, si dhe zv/shefi i Shtabit të Përbashkët për burime, Mirsad Ahmiq.

Exit mobile version