Është duke u punuar për planin e evakuimit të qindra civilëve nga fabrika e çelikut në Mariupol, ka thënë të mërkurën Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, raportoi CNN-i.
Sipas tij, synohet që operacioni i evakuimit të kryhet të premten.
“Ky është një operacion shumë i komplikuar. Putini u pajtua në parim dhe është rënë dakord që detajet të diskutohen më vonë”, ka thënë Guterres, i cili ka mbërritur të mërkurën mbrëma në Ukrainë pas takimit të së martës me presidentin rus, Vladimir Putin.
Në fabrikën Azovstal në Mariupol, raportohet se qindra ushtarë dhe civilë të plagosur janë bllokuar dhe po iu mbarojnë furnizimet.
“Ky operacion është shumë delikat sepse nuk kemi të bëjmë me njerëz që ndodhen në shtëpitë e tyre, apo në vende publike për t’u evakuuar, por njerëz që janë, le të themi, brenda një bunkeri në kushte vërtet dramatike. Qëllimi ynë është ta kryejmë këtë operacion të premten, por duhet të ekzistojnë kushtet për ta bërë këtë”, ka shtuar ai.
Pjesa më e madhe e Mariupolit është shkatërruar dhe fabrika Azovstal është pjesa e fundit e qytetit port që nuk ka rënë nën kontrollin rus. /koha
