Një grup i të drejtave të njeriut dhe burime lokale kanë bërë të ditur se kolonët e paligjshëm izraelitë plagosën një foshnjë palestineze dhe shkatërruan dhjetëra pemë ulliri në një seri sulmesh në Bregun Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu.
Një grup i të drejtave të njeriut të beduinëve Al-Baydar tha se një foshnjë 8-muajshe u plagos dhe u shtrua në spital pasi kolonët e paligjshëm sulmuan shtëpitë dhe pronat palestineze mbrëmë vonë në zonën Al-Rabia të qytetit Sa’ir, në verilindje të Hebronit në Bregun Perëndimor.
Al-Baydar tha se sulmi shkaktoi dëme të konsiderueshme në shtëpitë dhe pronat palestineze, duke e quajtur sulmin një përshkallëzim të rrezikshëm të sulmeve të kolonëve ndaj civilëve.
Grupi i mbajti autoritetet izraelite plotësisht përgjegjëse për shkeljet e përsëritura nga kolonët dhe u bëri thirrje organizatave të të drejtave të njeriut të ndërhyjnë urgjentisht për të mbrojtur banorët palestinezë dhe për të siguruar llogaridhënie për ata që janë përgjegjës.
Kolonët e paligjshëm gjithashtu shkulën dhjetëra pemë ulliri në qytetin Dayr Balut, në perëndim të Salfit në Bregun Perëndimor qendror. Sipas agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve Wafa, sulmi shkaktoi dëme të mëdha në tokën bujqësore dhe jetesën lokale në zonë.
Sipas Komisionit të Rezistencës së Kolonizimit dhe Murit, kolonët e paligjshëm izraelitë kryen 621 sulme kundër palestinezëve dhe pronave në Bregun Perëndimor të pushtuar në nëntor.
Sipas shifrave palestineze, forcat izraelite dhe kolonët e paligjshëm kanë vrarë të paktën 1.102 palestinezë në Bregun Perëndimor të pushtuar, përfshirë Kudsin Lindor, kanë plagosur gati 11 mijë të tjerë dhe kanë arrestuar rreth 21 mijë që nga tetori i vitit 2023.
Në një opinion historik korrikun e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) e shpalli të paligjshëm pushtimin e territorit palestinez nga Izraeli dhe bëri thirrje për evakuimin e të gjitha vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.
