Kreu i korporatës shtetërore ruse të energjisë bërthamore, Rosatom, ka thënë sot se janë duke u bërë përgatitje për një fazë të tretë evakuimi të personelit në Centralin Bërthamor të Bushehrit në Iran, transmeton Anadolu.
“Dje vendosëm të përgatitemi për fazën e tretë të evakuimit të personelit. Një grup u nis me automjete drejt kufirit iraniano-armen këtë mëngjes. Dy grupe të tjera do të evakuohen së shpejti”, citohet të ketë thënë drejtori i Rosatomit, Alexey Likhachev, nga shërbimi për media i kompanisë, raportojnë mediat ruse, përfshirë agjencinë shtetërore të lajmeve Tass.
Likhachev ka shtuar se përkohësisht po reduktohet numri i specialistëve rusë në terren në minimum “derisa situata të kthehet në normalitet”. Ai ka theksuar se situata në zonën e Centralit Bërthamor të Bushehrit vazhdon të “përkeqësohet”, duke deklaruar se një sulm goditi zonën pranë njësisë së parë të energjisë së centralit të martën në mbrëmje.
Ky ishte sulmi i dytë pranë objektit bërthamor ditët e fundit. Një sulm i ngjashëm ndodhi më 17 mars, pa shkaktuar dëme ose viktima. SHBA-ja dhe Izraeli kanë vazhduar sulmet ajrore ndaj Iranit që nga 28 shkurti, duke shkaktuar deri tani më shumë se 1.340 viktima, përfshirë edhe ish-liderin suprem Ali Khamenei.
Teherani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa duke shënjestruar Izraelin, si dhe Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë asete ushtarake amerikane, duke shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturë si dhe duke ndikuar në tregjet globale dhe aviacionin.
Të hënën, Likhachev i tha shërbimit të lajmeve “Vesti”, pas një bisede telefonike me drejtorin e përgjithshëm të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore (IAEA), Rafael Grossi, se Rusia po përgatit “disa valë evakuimi” për personelin nga centrali i Bushehrit.
