Ballina Jeta Shëndetësi Sheqeri në gjak jashtë kontrollit? Ja ushqimet që e stabilizojnë dhe ato...

Sheqeri në gjak jashtë kontrollit? Ja ushqimet që e stabilizojnë dhe ato që e shkatërrojnë

Rezistenca ndaj insulinës po bëhet një problem gjithnjë e më i përhapur, por mënyra e ushqyerjes mbetet një nga faktorët kryesorë për ta mbajtur nën kontroll.

Kjo gjendje shfaqet kur qelizat nuk reagojnë siç duhet ndaj insulinës, duke bërë që organizmi të prodhojë më shumë për të mbajtur nivelin e sheqerit në gjak në balancë.

Me kalimin e kohës, kjo mund të rrisë rrezikun për diabet tip 2.

Një regjim i kujdesshëm ushqimor ndihmon në stabilizimin e glikemisë.

Ushqimet e pasura me fibra luajnë rol të rëndësishëm, pasi ngadalësojnë përthithjen e sheqerit dhe mbajnë më gjatë ndjesinë e ngopjes.

Produkte si tërshëra, drithërat integrale, frutat dhe perimet janë zgjedhje të mira për përditshmëri.

Edhe yndyrat e shëndetshme, si omega-3 që gjenden te peshku dhe farat, ndihmojnë në uljen e inflamacionit dhe përmirësojnë reagimin e trupit ndaj insulinës.

Në të njëjtën kohë, magnezi dhe vitamina D ndikojnë në funksionimin e metabolizmit dhe balancën e sheqerit në gjak.

Proteinat janë gjithashtu të rëndësishme, pasi ndihmojnë në ruajtjen e energjisë dhe stabilitetin e glukozës. Ato mund të merren nga mishi pa yndyrë, peshku, vezët apo bishtajoret.

Nga ana tjetër, ushqimet e përpunuara dhe ato me shumë sheqer duhet të kufizohen. Buka e bardhë, ëmbëlsirat dhe pijet e gazuara shkaktojnë rritje të shpejtë të sheqerit në gjak dhe e bëjnë më të vështirë kontrollin e tij.

Në fund, një stil jetese i balancuar, që përfshin ushqim të shëndetshëm, aktivitet fizik dhe gjumë të rregullt, mbetet mënyra më efektive për të mbajtur nën kontroll këtë gjendje dhe për të shmangur problemet afatgjata.

Exit mobile version