Organizata Kombëtare e Inteligjencës së Turqisë (MIT) publikoi një dokument arkivor të inteligjencës që lidhet me oficerin dhe figurën e inteligjencës britanike Thomas Edward Lawrence, i njohur gjerësisht si “Lawrence i Arabisë”, transmeton Anadolu.
I publikuar në faqen zyrtare të MIT-it, dokumenti përfshin fotografi të Lawrence-it me uniformë ushtarake si dhe vlerësime të inteligjencës lidhur me lëvizjet dhe aktivitetet e tij në Lindjen e Mesme.
Sipas MIT-it, Lawrence ka udhëtuar nëpër Egjipt, Siri dhe Irak duke përdorur identitete dhe kamuflime të ndryshme. Dokumenti pohon se ai qëndroi në Egjipt me emër të rremë përpara se të shkonte në Siri dhe Irak, më pas u shfaq në Kuds dhe pastaj u zhvendos në Khartum të Sudanit.
Dokumenti pohon se gjatë qëndrimit në Kuds, Lawrence herë paraqitej si mësues fetar musliman e herë si rabin hebre, duke mbajtur takime të ndara me komunitetet muslimane dhe hebraike. Sipas dokumentit, ai synonte të ndikonte ndaj popullsisë lokale përmes mesazheve që përshkruhen si provokuese.
Teksti arkivor përfshin vlerësime të periudhës nga zyrtarë të inteligjencës së epokës osmane lidhur me politikat britanike në Egjipt, Palestinë dhe Sudan, duke pretenduar përpjekje për nxitje të trazirave dhe ndikim në zhvillimet politike në rajon.
Dokumenti i datës 23 shtator 1929 është shtuar në seksionin “Dokumente” të “Koleksionit Privat” në faqen e internetit të MIT-it.
MIT bëri të ditur se publikimi është pjesë e përpjekjeve të tij për të bërë të qasshme për publikun materiale të përzgjedhura historike të inteligjencës përmes arkivave digjitale.
