Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, të enjten ka zhvilluar një aksion gjatë të cilit është zbuluar një laborator për kultivimin e bimës narkotike kanabis sativa dhe janë arrestuar dy persona të dyshuar.
Sipas njoftimit, gjatë operacionit janë asgjësuar rreth 300 bimë kanabis sativa të kultivuara në kushte laboratorike.
Të dyshuarit, të identifikuar me inicialet M.M. dhe I.M., janë ndaluar për 48 orë, ndërsa Prokuroria ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tyre.
Hetimet paraprake tregojnë se të pandehurit, në bashkëkryerje dhe pa autorizim, kanë kultivuar bimë narkotike me qëllim prodhimin e sasive të mëdha të drogës dhe përgatitjen e saj për shitje.
Gjatë kontrollit në lokacionin ku zhvillohej aktiviteti ilegal, autoritetet kanë sekuestruar një sasi të konsiderueshme pajisjesh dhe provash materiale, përfshirë mbi 700 vazo për kultivim, pajisje për ndriçim, ngrohje dhe ventilim, thasë me dhe, preparate për rritjen e bimëve, si dhe udhëzues për kultivimin e kanabisit.
Po ashtu, janë gjetur dhe sekuestruar substanca narkotike, përfshirë mbi 90 gram materiale të dyshuara si kanabis, 1.19 gram marihuanë dhe 0.41 gram kokainë, si dhe pajisje shtesë laboratorike.
Në vendin e ngjarjes është sekuestruar edhe një armë zjarri me 29 fishekë, një veturë pa targa dhe një furgon që dyshohet se janë përdorur për transportimin e narkotikëve dhe pajisjeve.
Sipas Prokurorisë, të dyshuarit ngarkohen për veprat penale “kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”, “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve” dhe “mbajtja e paautorizuar e armëve”.
“Prokuroria Themelore në Prizren, vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin”, theksohet në njoftim.
