Ballina Autorë Opinione Shkupi i parë nga Tirana

Shkupi i parë nga Tirana

Roland Qafoku

Nga themelimi në vitin 1991 dhe njohja ndër të parët që Shqipëria i bëri shtetit maqedonas si dhe vënia në dispozicion e porteve dhe rrugëve kur Greqia vendosi embargon këtij shteti. Te mosmirënjohja e treguar nga ky shtet ndaj shqiptarëve teksa në vitin 1995 policia shtypi me dhunë protestën për hapjen e Universitetit të Tetovës apo mosafrimi i ndihmës ndaj shqiptarëve të Kosovës në mars 1999, që u dëbuan nga serbët. Nga lufta e UÇK-së në vitin 2001 te Marrëveshja e Ohrit e deri te zgjedhja e Talat Xhaferit si kryeministër i 11-të në historinë 33-vjeçare të këtij shteti. Një histori e shkurtër e Maqedonisë dhe shqiptarëve, e parë nga Tirana, si dhe një prognozë për të ardhmen e këtij shteti.

Roland QAFOKU, Tiranë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama; kryeministri i Kosovës, Albin Kurti; kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç; kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi. Pas katër shteteve me kryeministra shqiptarë, të vetme troje etnike, pa shef qeverie një shqiptar mbetet Lugina e Preshevës dhe Çamëria. Askush nuk do ta kishte parashikuar dhe imagjinuar vetëm 5 apo 10 vjet më parë se pikërisht shteti i Maqedonisë në vitin 2024 do të kishte një kryeministër nga komuniteti shqiptar. Por, a është kjo diçka teknike, rastësore dhe formale, apo vërtet pesha specifike e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut është rritur aq shumë, saqë ata po dominojnë deri në drejtimin e qeverisë? Sigurisht që në Maqedoni vetë shqiptarët janë tejet të pakënaqur me të drejtat që kanë dhe për këtë ata kanë të drejtë. Por, e vërteta është se të drejtat e tyre kanë parë vetëm rritje në vitet e fundit. Zgjedhja e Talat Xhaferit si kryeministër, edhe pse teknik dhe i përkohshëm, është një nga treguesit kryesorë të kësaj rritjeje. Por, menjëherë pas këtij konkluzioni vjen pyetja themelore: a është zgjidhur plotësisht çështja kombëtare shqiptare me këto zhvillime: krijimi i shtetit të dytë me shqiptarë, ai i Kosovës dhe fakti që në katër shtete kryeministrat janë shqiptarë? Dhe, specifikisht, për të drejtat e plotë të shqiptarëve Maqedoninë e Veriut, a mund ta quajmë së paku proces në zgjidhje derisa në krye është një kryeministër shqiptar?

Talat Xhaferi, kryeministri i 11-të në historinë e Maqedonisë së Veriut

Që nga referendumi i 8 shtatorit të vitit 1991, kur Maqedonia u shpall shtet i pavarur, janë 11 kryeministra që e kanë qeverisur këtë shtet: 1. Nikola Klusev (8 shtator 1991-17 gusht 1992); 2. Branko Cërvenkovski dy herë (17 gusht 1992-30 nëntor 1998) (1 nëntor 2002-12 maj 2004); 3. Lubço Georgievski (30 nëntor 1998-1 nëntor 2002). 4. Radmilla Shekerinska dy herë (12 maj 2004-2 qershor 2004) (18 nëntor 2004-17 dhjetor 2004); 5. Hari Kostov (2 qershor 2004-18 nëntor 2004); 6. Vllado Buçkovski (17 dhjetor 2004-28 korrik 2006); 7. Nikolla Gruevski (28 korrik 2006-18 janar 2016); 8. Emil Dimitriev (18 janar 2016-31 maj 2017); 9. Zoran Zaev dy herë (31 maj 2017-3 janar 2020) (30 gusht 2020-29 janar 2024); 10. Oliver Spasovski (3 janar 2020-30 gusht 2020); 11. Talat Xhaferi (29 janar e në vijim). Në këto afër 33 vjet shtet, pas 10 kryeministrave maqedonas që kanë qeverisur këtë vend, shqiptari Talat Xhaferi sapo është zgjedhur kryeministri i 11-të. Dikush mund të thotë se ai është një kryeministër tranzitor dhe se do të qëndrojë në detyrë vetëm disa muaj me qëllim menaxhimin e zgjedhjeve parlamentare dhe nuk ka ndonjë rëndësi. Por, për rastin shqiptar nuk ka fare rëndësi kjo. Janë katër kryeministra maqedonas që kanë qëndruar në detyrë pak a shumë sa do të qëndrojë Talat Xhaferi. Kështu, kryeministri i parë, Nikola Klusev, ka qëndruar afër 1 vit në detyrë; kryeministrja Radmilla Shekerinska ka qëndruar herën e parë 20 ditë në detyrë dhe herën e dytë 1 muaj e 1 ditë; kryeministri Hari Kostov ka qëndruar 5 muaj në detyrë; kryeministri Oliver Spasovski ka qëndruar 7 muaj e 26 ditë në detyrë. Por, të gjithë këta, edhe pse me kaq pak kohë në detyrën e kryeministrit kanë hyrë në histori. Dhe, në këtë kontekst, nuk bën përjashtim as Talat Xhaferi. Që një shqiptar bëhet pjesë e historisë së kryeministrave të Maqedonisë së Veriut pa dyshim që kjo është një gjë e jashtëzakonshme.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut

Sot pothuajse është harruar dhe nuk vlerësohet, por në prill të vitit 1993 Shqipëria u bë një nga vendet e para që e njohu shtetin e ri të saposhpallur të pavarur të dalë nga Jugosllavia e shpërbërë. Ishte presidenti Sali Berisha deklaroi në atë kohë se “ne shqiptarët i kuptojmë më mirë se kushdo popujt e vegjël”. Kaq mjaftoi dhe lumi i kritikëve brenda dhe jashtë vendit të ishte i madh. Akuzat më të rënda ndaj Sali Berishës mbërritën nga Greqia, e cila e quajti provokim dhe një gabim të rëndë njohjen që i bëri Berisha Maqedonisë. Dhe, përgjigja e Berishës në atë kohë ishte vërtet për t’u vlerësuar: Një Maqedoni e pavarur është më e mirë sesa një Maqedoni nën Milosheviqin. Sot, ky vendim ka hyrë në histori si një nga më të drejtët dhe më të mirët në raportet mes dy vendeve. Por, ndihma e Shqipërisë nuk mbaroi këtu. Në mes të embargos që Greqia e vendosi ndaj Maqedonisë në atë kohë, Shqipëria vuri në dispozicion portet dhe rrugët e saj. Por, a i ktheu në mirënjohje Maqedonia e re këto vendime të Shqipërisë në dobi të saj? Për hir të së vërtetës, jo vetëm që kjo nuk ndodhi, por shteti maqedonas në shumë raste u tregua si të ishte një Serbi e dytë. Vetëm pak kohë pas njohjes së shtetit, rojat kufitare të Maqedonisë vranë një oficer shqiptar. Pak muaj pas kësaj shteti maqedonas arrestoi një grup shqiptarësh me akuzat e stisura se kishin thurur plane për të krijuar një njësi paraushtarake dhe se kishin dërguar armë nga Shqipëria si mbështetje ndaj shqiptarëve atje. Nga ana tjetër, Tirana zyrtare ka ndjekur një politikë duke inkurajuar shqiptarët e Maqedonisë të bashkoheshin mes tyre dhe të qëndronin larg ndasive, sidomos në rastin kur Partia për Prosperitet Demokratik u bë pjesë e aleancës me qeverinë maqedonase. Por, kjo vlerësohej si një ndërhyrje e Tiranës në punët e brendshme të Maqedonisë, duke u shoqëruar me një tension aspak të nevojshëm të marrëdhënieve. Në maj 1994, takimi në Pogradec i presidentit Berisha dhe presidentit Kiro Gligorov u duk sikur solli një normalizim të marrëdhënieve dhe do të vijonte me rritjen e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni. Edhe SHBA-ja e përshëndeti këtë veprim të Berishës. Por, përsëri, shteti maqedonas nuk u tregua besnik i premtimeve që i bënte Tiranës zyrtare. Policia maqedonase u tregua brutale në vitin 1995 që ndaloi hapjen e universitetit të Tetovës, duke treguar se nuk dallonte shumë nga serbët në trajtimin e shqiptarëve. Ngjarjet e vitit 1997 ndërpren për një farë kohe interesin e Shqipërisë, por ato dolën në pah në vitin 1998 dhe 1999 kur nisi lufta në Kosovë. Në mars të vitit 1999, 360 mijë shqiptarë të Kosovës, të detyruar të lënë shtëpitë e tyre, u futën në kufirin e Maqedonisë. Por, ata u trajtuan si të ishin skllevër. Keqtrajtimet dhe mosafrimi i ndihmës e irritoi shumë Tiranën zyrtare. Më i ashpri për këtë mungesë humanizmi u tregua ministri i Kulturës së asaj kohe Edi Rama, që në një transmetim live bëri për ujë të ftohtë ambasadorin e Maqedonisë në Tiranë, duke ngritur zërin për atë që po ndodhte në kufirin maqedonas. Por, kulmi i ngjarjeve të rënda arriti në vitin 2001, kur u krijua UÇK (Ushtria Çlirimtare Kombëtare). Për 8 muaj pati një konflikt të armatosur mes kësaj strukture militare dhe shtetit maqedonas për shkak të diskriminimit të skajshëm ndaj shqiptarëve. Ajo u ndërpre me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit më 13 gusht 2001, që është një nga fitoret më të mëdha të shqiptarëve të Maqedonisë. Ky shënoi kulmin e një zgjidhje të paktën formale për të drejtat e shqiptarëve duke nisur një erë të re të mënyrës së funksionimit të shtetit maqedonas duke pranuar shqiptarët si faktor shtetformues.

Ekspansioni i dikurshëm maqedonas ndaj shqiptarëve

A është një shqiptar i Maqedonisë së Veriut njëlloj si qytetari maqedonas? Nuk kanë qenë të pakta rastet kur jo vetëm qytetarë shqiptarë të Maqedonisë, por edhe të Shqipërisë dhe Kosovës janë trajtuar si armiq vetëm e vetëm se kanë kërkuar të drejtat e tyre dhe kanë shprehur fakte të sakta nga historia dhe diplomacia. Kështu ka ndodhur me gazetarët Ylber Lili më 27 gusht 2004 dhe Arben Llalla më 6 shkurt 2009, të cilët u shpallën non grata nga shteti maqedonas. Por, kulmi ka qenë shpallja non grata e Arben Çejkut, ambasadorit të Shqipërisë në Maqedoni nga viti 2009 deri në 2013 dhe dekan i trupit diplomatik në Shkup. Por, këto reprezalje maqedonase ndaj autoriteteve shqiptare ishin në unison edhe ndaj diplomatëve të huaj që mbështesin shqiptarët. Shpallja non grata e ambasadorit amerikan në Maqedoni, Robert Frowick, mbetet njolla më e zezë dhe më e turpshme që ka kryer ky shtet. Ajo ishte zgjatim i veprimeve antiperëndimore të këtij shteti dhe që kulmoi në vitin 2011 me djegien në mes të Shkupit të flamurit të NATO-s nga një grup antiperëndimor. Ndonëse u shënuan jo pak përparime, reminishencat e së shkuarës nuk u zhdukën. Qëndrimi i presidentit Gjorge Ivanov për të mos e zyrtarizuar gjuhën shqipe në vitin 2017 ishte një kapërcim negativ teksa zgjodhi reagimin e kryeministrit Rama që shkroi një status: “Gjuha shqipe nuk ishte gjuhë e armikut, por një populli shtetformues në Maqedoni. Pa shqiptarë nuk ka Maqedoni”. Por të gjitha këto u zvenitën teksa Perëndimi bëri një punë të lavdërueshme duke e tërhequr Maqedoninë drejt saj dhe e shkëputur nga influenca serbe dhe ruse. Më 27 mars 2020, ajo u bë anëtare e NATO-s, duke garantuar jo vetëm sovranitetin e këtij shteti, por edhe drejtimin perëndimor të tij.

Çfarë domethënie ka që shqiptari Talat Xhaferi është kryeministër i Maqedonisë së Veriut?

Jo më larg por në vitin 2001 Gostivari, nga është origjina e Talat Xhaferit, në tabelat e rrugëve shkruhej me grafit “GostoWar”, duke nënkuptuar luftë. Sot, djali i kësaj zone, nga Forina, është kryeministër. Pra, nga një konflikt i armatosur mes shtetit maqedonas dhe shqiptarëve, sot shteti maqedonas drejtohet nga një shqiptar. Me këtë së paku pabarazia etnike duket se ka ndaluar dhe se shqiptarët nuk trajtohen më si një minoritet, si romët, turqit dhe serbët. Dhe, statistikat e popullsisë flasin në favor të shqiptarëve. Realisht, ata sot nuk janë 25 për qind sa jepen shifrat zyrtare, por 40 për qind, duke llogaritur diasporën. Këtu nuk duhet të harrojmë procesin e maqedonizimit të shqiptarëve myslimanë, por edhe ortodoksët e Rekës pranë Liqenit të Ohrit, të cilët u serbizuan dhe më pas u maqedonizuan. Ne duhet të pranojmë se për dy dekada kemi patur një çështje të nxehtë shqiptaro-maqedonase. A është zgjidhur kjo çështje me Talat Xhaferin kryeministër? Nuk mund të thuhet sot me përgjigjen gojën plot po. Por, ama, një hap i madh është arritur. Treguesi më i rëndësishëm është që tashmë është çimentuar zyrtarisht se shqiptarët janë një faktor i rëndësishëm i ekzistencës së këtij shteti dhe kjo është themelore.

Këtë e kanë kuptuar së pari edhe politikanët shqiptarë në Maqedoni kur teksa lanë armët e luftës në 2001 dhe vijuan luftën politike në dobi të të drejtave të shqiptarëve. Ishte e rëndë një ngjarje në vitin 2010 të ndodhur në Shkup kur një grup tifozësh maqedonas kishin ushtruar dhunë ndaj disa shqiptarëve gra, fëmijë dhe pleq. Dhe, kur e pyeta në një intervistë kreun e BDI-së, Ali Ahmeti, më bëri përshtypje që ai që kishte luftuar me armë në dorë tashmë kishte armë pajtimin. Jo vetëm qetësia e tij, por deklarata se shqiptarët dhe maqedonasit ishin të destinuar të jetonin bashkë dhe këto veprime nënkuptonin se Ahmeti dhe mbështetësit e tij e kishin kuptuar thelbin e marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe maqedonasve.

Një parashikim për të ardhmen e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut

Të gjitha duken si të harruara. Por, a janë këto të kaluara të harruara për diplomacinë perëndimore? A janë këto të kaluara të harruara për vetë shqiptarët? Nuk besohet se është kështu. Maqedonia e Veriut e ka pikën e saj më të dobët në numrin e vogël të shtetasve të vetë. Në një studim të vitit 2001 parashikohej se në vitin 2050 popullsia e shqiptarëve do të jetë më e madhe në numër se ajo maqedonase. Kjo merr vlerë që faktori shqiptar të mos trajtohet vetëm për të drejta të barabarta në aspektin social, por si faktor kryesor në ekzistencën e këtij shteti. Kjo duket aktualisht kur sa herë Greqia dhe Bullgaria e sulmojnë këtë shtet të brishtë, faktori shqiptar merr shumë vlerë. Ata janë shtylla e sigurisë dhe stabilitetit. Por, a e trajton shteti maqedonas faktorin shqiptar realisht me këtë status? Fakti që Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-s si e dhe Shqipëria, kjo nuk do të thotë se çështjet mes shqiptarëve dhe maqedonasve janë të zgjidhura. Deklarata e Antonio Milloshoskit, përfaqësuesit të opozitës, të partisë VMRO-DPMNE-së, se me zgjedhjen e Xhaferit kryeministër shtetin e kemi dhënë me qira, janë remineshenca të së kaluarës. Çdokush në Maqedoninë e Veriut duhet ta kuptojë se pa shqiptarët dhe faktorin e tyre, zor se shteti i Maqedonisë së Veriut mund të formohej dhe themelohej. Përfundimisht, pa këtë faktor Maqedonia e Veriut zor se mund të ekzistojë në të ardhmen. Pa shqiptarët nuk ka Maqedoni. /revistashenja

Exit mobile version