Ballina Artikuj Shpallja e Kuranit në mënyrë graduale

Shpallja e Kuranit në mënyrë graduale

Allahu i Madhëruar thotë: “Ky është një Kuran, që Ne e kemi ndarë pjesë-pjesë, që ti t’ua mësosh njerëzve pak nga pak, duke e shpallur atë kohë pas kohe”[1]

Ibn Abasi (r.a) thotë: “Kurani ka zbritur i plotë në qiellin e dunjasë – në natën e Kadrit – dhe pastaj është zbritur për pak më shumë se 20 vite në tokë”. Më pas, ai lexoi: “Sapo ata të të sjellin çfarëdo argumenti, Ne të sjellim të Vërtetën dhe shpjegimin më të mirë”[2] si dhe: “Ky është një Kuran, që Ne e kemi ndarë pjesë-pjesë, që ti t’ua mësosh njerëzve pak nga pak, duke e shpallur atë kohë pas kohe”

Ibn Abasi (r.a) thotë: “Kurani është zbritur i plotë dhe përnjëherësh në qiellin e dunjasë, ndërsa më pas është zbritur pjesë-pjesë në tokë”. Ibn Abasi (r.a) thotë gjithashtu: “I gjithë Kurani i është dhënë Xhibrilit (a.s) në natën e Kadrit. Xhibrili e ka vendosur atë në ‘Bejtul Ize” dhe më pas e ka zbritur atë pjesë – pjesë (tek Muhamedi a.s)”.

Duke u bazuar në hadithe të vërteta, bëhet e qartë se disa pjesë të Kuranit janë shpallur në varësi të rrethanave. Në disa raste shpalleshin 5 ajete, në disa raste të tjera shpalleshin 10 ajete, në disa raste shpallej një ajet i vetëm apo një pjesë e një ajeti, ndërsa në raste të tjera shpallej një sure e plotë.

Kurani ka filluar t`i shpallet të Dërguarit të Allahut (a.s) ditën e hënë. Ebu Katade Ensari (r.a) tregon në një hadith të gjatë, se kur i Dërguari I Allahut (a.s) u pyet, se përse agjëronte ditën e hënë, ai u përgjigj:

“Në këtë ditë kam lindur, në këtë ditë jam dërguar si profet…”, ndoshta tha: “…në këtë ditë ka filluar të më shpallet (Kurani)”[3]

Në këtë kohë, i Dërguari i Allahut (a.s) ka qenë 40 vjeç (sipas kalendarit hënor). Ibn Abasi (r.a) thotë: “Xhibrili (a.s) ia ka shpallur Kuranin të Dërguarit të Allahut (a.s), kur ai (Profeti a.s) ishte në moshën

40 vjeçare”[4]

Urtësia e shpalljes së Kuranit në mënyrë graduale

Ajetet kuranore përcaktojnë qartë shkaqet e shpalljes së Kuranit në mënyrë graduale. Shkaqet kryesore janë:

1 – Forcimi i zemrës së të Dërguarit të Allahut (a.s). Allahu i Madhëruar thotë: “Jobesimtarët thonë: “Përse Kurani nuk i është shpallur i tëri përnjëherë”?! Ne ta kemi shpallur kështu, për të forcuar zemrën tënde dhe ta kemi zbuluar qartazi varg pas vargu”[5] Ai thotë në një ajet tjetër: “Ne po t’i tregojmë ty disa nga historitë e të dërguarve, për të ta forcuar zemrën. Në këtë sure të ka ardhur ty e vërteta. Ajo është këshillë dhe kujtesë për besimtarët”[6]

2 – Sfida dhe mrekullia. Kurani shpallej pjesë-pjesë, duke iu përgjigjur pyetjeve të idhujtarëve, duke hedhur poshtë ideologjitë e tyre, si dhe duke përgënjeshtruar dyshimet e tyre rreth shpalljes dhe të Dërguarit të Allahut (a.s). Allahu i Madhëruar thotë: “Sapo ata të të sjellin çfarëdo argumenti, Ne të sjellim të Vërtetën dhe shpjegimin më të mirë”[7]

3 – Lehtësimi për ta mësuar dhe kuptuar Kuranin. Dihet se Kurani është shpallur tek një popull, pjesa më e madhe e të cilit nuk dinte shkrim dhe këndim. Ky popull bazohej në kujtesën e tij për ruajtjen e informacionit. Allahu i Madhëruar thotë: “Është Ai që u solli analfabetëve një të Dërguar nga mesi i tyre, për t’iu lexuar atyre shpalljet e Tij, për t’i pastruar e për t’iu mësuar Librin dhe Urtësinë, ndonëse ata më parë ishin vërtet në humbje të plotë”[8]

Nëse Kurani do të ishte shpallur përnjëherësh, do të ishte shumë e vështirë për ta, që ta mësonin përmendësh, prandaj shpallja e Kuranit në mënyrë graduale ka qenë metoda më efikase për memorizimin dhe zbatimin e tij në praktikë.

4 – Trajtimi i ndodhive dhe përshkallëzimi në legjislacion. Një nga objektivat e Kuranit është shërimi i sëmundjeve të shpirtit, të cilat çojnë në kryerjen e mëkateve të mëdha. Për këto sëmundje ka forma edukimi, që fillojnë me tërheqjen e vëmendjes, ndërsa forma e fundit është ndëshkimi përkatës për kryerjen e mëkatit. Një nga objektivat e Kuranit është çrrënjosja e elementeve, pasojave dhe ndikimeve të kohës së injorancës, si dhe përhapja e të mirës, pastërtisë, bashkëpunimit për mirë dhe ndalimit nga e keqja. Si shembull për këtë është trajtimi i çështjes së imoralitetit. Në Meke është shpallur ajeti, që përcakton natyrën e imoralitetit. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe mos iu afroni imoralitetit, se ai është shfrenim dhe rrugë e shëmtuar”[9] mirëpo format e edukimit dhe ndëshkimit për imoralitetin janë shpallur në Medine, në fillimin e sures Nur.

Një shembull tjetër është edhe ndalimi i alkolit, i cili ka kaluar në katër faza.

1 – Në fazën e parë përmendet praktika e nxjerrjes së pijeve nga frutat. Allahu i Madhëruar thotë: “Ndërsa nga frutat e palmave dhe të hardhisë, ju përgatitni pije dehëse dhe ushqim të pastër (që nuk të deh)”[10]

2 – Në fazën e dytë përmendet dëmi i alkolit, por jo ndalimi i tij. Allahu I Madhëruar thotë: “Të pyesin ty për verën dhe kumarin. Thuaju: “Ato sjellin dëme të mëdha (gjynahe), por ka edhe dobi për njerëzit në to. Megjithatë, dëmi i tyre është më i madh se dobia”[11]

3 – Në fazën e tretë përmendet ndalimi i faljes së namazit, duke qenë i dehur, por jo ndalimi i konsumimit të alkolit në formë të prerë. Allahu i Madhëruar thotë: “O besimtarë! Mos u falni kur jeni të dehur, prisni të kthjelloheni e të dini se ç’flisni”[12]

4 – Në fazën e katërt ndalohet konsumimi i alkolit në formë të prerë. Allahu i Madhëruar thotë: “O besimtarë! Me të vërtetë, pijet alkolike, bixhozi, idhujt dhe shigjetat e fallit janë vepra të ndyta nga punët e djallit. Prandaj, largohuni nga këto, me qëllim që të shpëtoni! Vërtet, djalli me pije alkolike dhe me bixhoz kërkon që të fusë midis jush armiqësi e urrejtje dhe t’ju shmangë nga të kujtuarit e Allahut dhe kryerja e namazit. Prandaj, a po hiqni dorë”[13]

Gradualiteti i dispozitave kuranore shpjegohet më së miri nga hadithi, ku Aishja (r.a) thotë: “Në fillim janë shpallur suret Mufasal (nga Kurani), në të cilat përmendet Xheneti dhe Xhehenemi. Pasi njerëzit u bënë të qëndrueshëm në fe, u shpallën ajetet e hallallit dhe haramit. Nëse do të ishte shpallur qysh në fillim: “Mos pini alkol”, njerëzit do të thonin: “Kurrë nuk e lëmë alkolin”. Nëse do të ishte shpallur qysh në fillim: “Mos bëni imoralitet”, njerëzit do të thonin: “Kurrë nuk do ta lëmë imoralitetin”. Muhamedit (a.s) i është shpallur në Meke ajeti: “Madje, Ora (e Kijametit) do të jetë takimi i tyre dhe Ora do të jetë

më e tmerrshme dhe më e idhët”[14] Kur është shpallur ky ajet, unë kam qenë e vogël dhe po luaja, ndërsa suret Bekare dhe Nisa i janë shpallur atij (a.s), kur unë kam qenë me të (e martuar me të)”[15]

Autor: Rushit Musallari

[1] – Sure Isra: 106.

[2] – Sure Furkan: 33.

[3] – Muslimi.

[4] – Buhariu, Muslimi dhe Ahmedi.

[5] – Sure Furkan: 32.

[6] – Sure Hud: 102.

[7] – Sure Furkan: 33.

[8] – Sure Xhumua: 2.

[9] – Sure Isra: 32.

[10] – Sure Nahl: 67.

[11] – Sure Bekare: 219.

[12] – Sure Nisa: 43.

[13] – Sure Maide: 90 – 91.

[14] – Sure Kamer: 46.

[15] – Buhariu.

Exit mobile version