Ballina Artikuj Shpërblim prej 11 500 dollarë për gjetjen e vrasësit të një delfini

Shpërblim prej 11 500 dollarë për gjetjen e vrasësit të një delfini

ATSH-AFP/ – Një shpërblim prej 11,500 dollarë është ofruar për të gjetur personin përgjegjës që vrau në Shtetet e Bashkuara të Amerikës një delfin shtatzënë femër, njoftoi të premten Departamenti i Peshkimit i Agjencisë Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike (NOAA).

Me anë të një deklarate për shtyp u saktësua se shërbimet hetimore po punonin për të gjetur agresorin, NOAA u shpreh se disa njësi të specializuara, kryesisht për mbrojtjen e kafshëve të ujit ishin solidarizuar së bashku për të ofruar një shpërblim në këmbim të informacionit që do të çonte në ” identifikimin ose ndjekjen penale të këtij personi”.

Një delfin i madh femër u gjet i vdekur më 30 prill në një plazh në Waveland, në Misisipi, dhe nga autopsia u zbulua se vdekja ishte shkaktuar nga një plumb i kalibrit të vogël që u gjet në një nga mushkëritë e tij. Vdekja e nënës u shoqërua edhe me vdekjen e delfinit të vogël.

NOAA raportoi për një rritje të konsiderueshme të dhunës së ushtruar këto vitet e fundit ndaj delfinëve në Gjirin e Meksikës veriore. Që nga viti 2002, të paktën 24 delfinë kanë ngordhur pasi janë goditur me armë zjarri, shigjeta ose objekte të ndryshme.

Exit mobile version