Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Shqipëri, vazhdojnë protestat antiqeveritare

Shqipëri, vazhdojnë protestat antiqeveritare

Në Shqipëri vazhdojnë protestat antiqeveritare, ndërkohë sot është mbajtur protesta e radhës, raporton Anadolu.

Protesta është mbajtur para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë në Tiranë me thirrjen e partisë opozitare Shqipëria Bëhet, me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike.

Qindra qytetarë kanë protestuar, sipas organizatorëve të protestës për të denoncuar edhe rastet e korrupsionit të zyrtarëve të lartë të Qeverisë së Shqipërisë, ndërsa kërkojnë edhe dorëheqjen e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Balluku është marrë e pandehur për veprën penale “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

Organizatorët e protestës gjithashtu kërkojnë qeveri teknike për “përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike”.

Në fjalimet e drejtuesve të partisë Shqipëria Bëhet, aktivistëve dhe qytetarëve, u theksua se qëndresa e tyre nuk do të ndalojë dhe sipas tyre protesta “do të prodhojë një bashkim të madh popullor”.

Ndërkohë, pjesëmarrës ishin edhe shtetas shqiptarë që jetojnë në shtete të ndryshme.

Për mbarëvajtjen e protestës u angazhuan forca policore shtesë, ndërkohë u bllokuan edhe disa akse rrugore.

Partitë opozitare në Shqipëri kanë paralajmëruar vazhdimin e protestave antiqeveritare edhe në javët në vazhdim.

Exit mobile version