Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Si janë përshtatur kulturat njerëzore me të nxehtin

Si janë përshtatur kulturat njerëzore me të nxehtin

Përshtatja arabe ndaj vapës, një model shembullor i ndërtuar gjatë shekujve

Në verën e vitit 2023, gjatë një periudhe të nxehtë dhe të thatë, ministri gjerman i Shëndetësisë Karl Lauterbach sugjeroi që Gjermania të merrte shembull nga Spanja dhe të zbatonte “siesta-n”.

Sipas tij, një pushim më i gjatë në mesditë do të ishte i dobishëm për shëndetin në shumë profesione. Kjo ide pasqyron një praktikë të njohur në vendet me klimë të nxehtë: shmangien e aktivitetit gjatë orëve më të nxehta të ditës.

Përshtatja ndaj temperaturave të larta ka qenë gjithmonë pjesë e historisë së njerëzimit. Në mbarë botën, komunitetet kanë zhvilluar zakone, teknika dhe mënyra jetese të ndryshme për t’u përballur me klimën.

Mënyra se si njerëzit ushqehen, vishen, ndërtojnë banesat apo organizojnë ditën e punës ndikohet fuqishëm nga kushtet mjedisore, veçanërisht nga temperatura. Vendet arabe dhe popujt e shkretëtirës përbëjnë një nga shembujt më të suksesshëm të përshtatjes njerëzore ndaj temperaturave ekstreme.

Për shekuj me radhë, beduinët dhe komunitetet e tjera të Gadishullit Arabik dhe Saharasë zhvilluan mënyra jetese që u lejonin të jetonin në kushte ku temperaturat shpesh kalonin 40 gradë Celsius.

Një nga elementët më të rëndësishëm ishte veshja. Rrobat e gjera prej leshi ose pambuku, që mbulonin pothuajse të gjithë trupin, krijonin izolim nga rrezet e forta të diellit dhe ndihmonin në ruajtjen e lëngjeve të trupit.

Edhe pse leshi është material i trashë, ai funksiononte mirë në klimën e thatë, sepse krijonte një shtresë ajri që mbronte trupin nga nxehtësia e jashtme. Po aq e rëndësishme ishte edhe arkitektura.

Banesat ndërtoheshin me mure të trasha, oborre të brendshme dhe hapësira të projektuara për të ruajtur freskinë. Një nga zgjidhjet më të njohura ishin “kullat e erës” (badghir), të përdorura prej shekujsh në Iran dhe në pjesë të tjera të Lindjes së Mesme.

Këto struktura kapnin rrjedhat e ajrit dhe i drejtonin ato në brendësi të ndërtesave, duke krijuar ventilim natyror pa përdorur energji. Edhe organizimi i jetës së përditshme ishte përshtatur me klimën.

Aktivitetet më intensive zhvilloheshin herët në mëngjes ose pas perëndimit të diellit, ndërsa orët më të nxehta shmangeshin. Këto zgjidhje tregojnë se kulturat arabe nuk iu kundërvunë klimës, por mësuan të jetonin në harmoni me të.

Megjithatë, jo të gjitha rajonet e botës u përshtatën në të njëjtën mënyrë. Në zonat me klimë të nxehtë dhe shumë të lagësht, si Azia Jugore dhe Azia Juglindore, sfida kryesore ishte lagështia e lartë.

Kur djersa nuk avullon lehtë, trupi e ka më të vështirë të ftohet. Për këtë arsye, popullsitë e këtyre rajoneve përdorën veshje të lehta prej pambuku, liri ose mëndafshi, që lejonin qarkullimin e ajrit dhe ndihmonin procesin natyror të ftohjes së trupit.

Vitet e fundit, studiuesit janë rikthyer te këto njohuri tradicionale për të kuptuar se çfarë mund të mësojmë prej tyre në një botë që po përballet me temperatura gjithnjë e më të larta.

Sipas vlerësimeve të fundit, temperaturat ekstreme shkaktojnë mesatarisht rreth 546 mijë vdekje në vit në botë, prej të cilave rreth 175 mijë në Evropë. Përvoja e kulturave që kanë jetuar për shekuj në kushte të nxehta – veçanërisht e vendeve arabe – mbetet një burim i rëndësishëm frymëzimi.

Megjithatë, përballë një klime që po ndryshon me ritme të shpejta, traditat e së kaluarës nuk mjaftojnë. Ato duhet të kombinohen me teknologji moderne, planifikim urban më të zgjuar dhe politika të qëndrueshme për të mbrojtur shëndetin dhe jetën e njerëzve. \tesheshi

Exit mobile version