Një studim i ri zbulon se amerikanët po konsumojnë më shumë produkte të ëmbla, ndërsa ndryshimi i klimës sjell temperatura më të larta.
Hulumtuesit analizuan blerjet e ushqimit nga familjet amerikane midis viteve 2004 dhe 2019, duke ndjekur të njëjtat familje për një periudhë të gjatë kohore. Më pas ata i krahasuan këto të dhëna me të dhënat rajonale të motit, duke përfshirë temperaturën dhe lagështinë.
Rezultatet e botuara në revistën Nature Climate Change, treguan se ndërsa temperaturat rriteshin, njerëzit konsumonin më shumë sheqer, kryesisht në formën e pijeve me sheqer si pijet e gazuara.
Pan He, autore e studimit dhe ligjëruese e shkencës mjedisore pranë Universitetit Cardiff, për CNN, se ka prova të shumta se ndryshimi i klimës do të formojë cilësinë e ushqimit, duke çuar në mungesa, rritje të çmimeve dhe madje duke ndikuar në vlerën ushqyese. Por, ajo shtoi se dihet shumë më pak për ndikimin e ndryshimit të klimës në atë që zgjedhim të hamë dhe pimë.
Studimi zbuloi se për çdo një gradë Celsius ngrohje, familjet amerikane konsumonin 0.7 gramë sheqer të shtuar për person në ditë.
Rritja ishte veçanërisht e theksuar kur temperaturat arritën midis 20 dhe 30 gradë Celsius. Shpjegimi është i thjeshtë – moti më i ngrohtë bën që trupi të humbasë më shumë ujë, gjë që i bën njerëzit të ndiejnë nevojën për t’u hidratuar. Për shumë njerëz në SHBA, kjo do të thotë të kërkojnë produkte të ftohta me sheqer.
Efekti është i theksuar në familjet me të ardhura më të ulëta ose nivele më të ulëta arsimimi. Këto grupe kanë tendencë të kenë nivele më të larta të konsumit të sheqerit pasi ato shpesh janë më të lira dhe më të disponueshme, dhe gjithashtu kanë më shumë gjasa të kalojnë më pak kohë në hapësira me ajër të kondicionuar.
Konsumi i tepërt i sheqerit mund të çojë në një sërë pasojash negative, duke përfshirë një rrezik më të lartë të mbipeshës, diabetit dhe sëmundjeve kardiovaskulare.
