Sjellja jonë ndaj feve të tjera dhe ndaj ithtarëve të tyre – një këndvështrim bashkëkohor islam –
Rehan Neziri
Në kohë tensionesh, krizash, trazirash e luftërash, ajo që më shumti pëson dëm është e vërteta. Bashkë me të edhe arsyeja. Në vend të tyre, hapësirë fitojnë emocionet, gjysmë të vërtetat, gënjeshtrat dhe shtrembërimet. Nuk mungojnë as fajësimet e ndërsjella, shpeshherë të mbështetura në interpretime selektive të ngjarjeve historike. Akoma më problematike janë fajësimet e mbështetura në ideologji, e sidomos ato që thirren në emër të librave të shenjtë.
Edhe pse fetë në thelbin e tyre bartin mesazhe paqeje, duhet pranuar se tekstet e shenjta, për shkak të fuqisë së tyre të madhe ndikimi, mund të interpretohen në drejtime të ndryshme: drejt afrimit, paqes dhe bashkëjetesës, por edhe drejt përjashtimit, armiqësisë dhe konfliktit. Apeli i tyre i fuqishëm i drejtohet njëkohësisht arsyes dhe emocioneve, duke bartur potencial për të dyja këto rrugë. Prandaj, mbetet në duart e ithtarëve dhe ndjekësve të tyre se si do të veprojnë me të, në ç’drejtim do ta kanalizojnë atë apel dhe atë forcë të feve: për të rrënuar apo për të ndërtuar, në kohë krizash dhe në kohë paqeje.
A nuk kemi nevojë pikërisht në kohë krizash për këtë “dorë të zgjatur” të Zotit – për udhëzimin që vjen nga librat e shenjtë – më shumë sesa në kohë rehatie dhe mirëqenieje?
Këto dukuri, të cilat në rrethana lufte mund të duken deri diku të kuptueshme, nuk duhet të normalizohen në kontekste paqeje. Megjithatë, në epokën e komunikimit digjital, pothuajse nuk ekziston më një hapësirë e izoluar nga zhvillimet globale. Lajmet dhe reagimet për konfliktet në zona të ndryshme të botës përhapen në mënyrë të menjëhershme, duke ndikuar në perceptimet dhe emocionet e njerëzve kudo. Kjo na vendos përballë një sfide të re: si të reagojmë në mënyrë të matur dhe të përgjegjshme, dhe si t’i përpunojmë këto përvoja pa rënë në iluzionin se secili prej nesh është i thirrur “ta shpëtojë” botën.
Pavarësisht këtyre rrethanave, ne e kemi për detyrë t’i rikujtojmë parimet dhe vlerat themelore dhe universale, sidomos kur është në pyetje ndërtimi i raporteve tona ndërnjerëzore me ithtarët e feve të tjera, por edhe me ata që nuk i përkasin asnjë feje.
Islami, fe e paqes dhe e bashkëjetesës
Mësimet islame janë të qarta kur bëhet fjalë për diversitetin njerëzor: ai nuk e mohon këtë, përkundrazi e quan të natyrshëm dhe shprehje të vullnetit hyjnor. Kur’ani na mëson: “Një prej argumenteve të Tij është krijimi i qiejve dhe i tokës (i universit), edhe llojllojshmëria e gjuhëve dhe e ngjyrave (racave) tuaja…” (er-Rum, 30:22). Kur është fjala për diversitetin e njerëzve në aspekt të përkatësisë familjare, fisnore, grupore, etnike, fetare etj., Kur’ani na sugjeron se në themelin e këtij diversiteti qëndron potenciali dhe mundësia për njohje, pranim, respektim, bashkëjetesë dhe ndërveprim reciprok: “O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se te Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që është më i virtytshëm. Allahu është i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë.” (el-Huxhurat, 49:13) Dallimet në vetvete nuk janë arsye për përçmim e tallje, aq më pak për urrejtje e diskriminim.
Në thelbin e mësimeve islame rreth njeriut qëndron vlera e dinjitetit dhe e integritetit të tij të dhuruar nga Zoti që nga lindja, një komponentë e pafituar me përpjekje personale, “e pamerituar” me ndonjë të arritur personale, e patjetërsuar dhe e pabartur te tjetri, e panegociueshme, e pahumbshme për shkak të ndonjë gabimi a mëkati… Thjesht, një qenie e vlefshme në vetvete, nga arsyeja e të qenit njeri, krijesë e Zotit. Kur’ani thotë: “Ne vërtet e kemi nderuar njeriun (duke i dhënë dinjitet)…” (el-Isra’, 17:70).
Duke e përdorur termin kerameh (dinjitet) dijetari dhe juristi i famshëm egjiptian Muhammed Ebu Zehra (v. 1974) shprehet kështu: “Islami e njeh dinjitetin e njeriut dhe konsideron se ai e meriton këtë vetëm nga arsyeja se ai është njeri pa marrë parasysh racën, gjininë, besimin, statusin social etj.. Thjesht, ai e ka dinjitetin e tij vetëm nga arsyeja se është njeri. Prandaj, të gjitha mësimet dhe parimet islame sillen rreth këtij boshti, që nënkupton ruajtjen e dinjitetit të njeriut …”
Këtë e ilustron edhe ngjarja në vazhdim: një ditë përpara Muhammedit a.s. kaloi një kortezh dhe ai u ngrit në këmbë. Kur i thanë se kjo ishte kufoma e një çifuti (hebreu), ai u përgjigj: “A nuk është edhe ai njeri?” (Buhariu, Muslimi, Nesaiu)
Duke qenë se ky është parimi më i lartë fetar e moral i Islamit kur është në pyetje mënyra e sjelljes dhe e ndërtimit të raporteve me njerëzit që janë ndryshe prej nesh, s’ka dyshim që ky parim dhe kjo vlerë do t’i përfshijë të gjitha fushat e jetës njerëzore dhe kudo ku jetojnë njerëz – pa e përjashtuar edhe botën shtazore e bimore. Këtë diversitet të begatë duhet ta shohim nga prizmi i një uniteti, si një llojllojshmëri e dëshiruar dhe e krijuar nga Një i Vetmi Zot, Krijues i gjithçkaje. Ky duhet të jetë edhe burimi i respektit tonë ndaj këtij diversiteti. Çdo mosrespektim i këtij diversiteti në vetvete, vetëm pse është ndryshe nga ne, do të thotë edhe mosrespektim i Vullnetit të Zoti. Le ta sjellim në kujtesë thënien e poetit mistik Yunus Emre kur thotë: “E dua të krijuarën për hir të Krijuesit”. Kjo thënie e shpreh në mënyrë të thellë botëkuptimin e gjerë islam, sipas të cilit çdo qenie në univers duhet trajtuar me dashuri, mëshirë e dashamirësi, për arsye se ajo është një vepër dhe manifestim i artit hyjnor. Kjo qasje përbën një themel etik dhe shpirtëror të dashurisë njerëzore dhe të bashkëjetesës, duke theksuar se çdo gjë – e gjallë apo jo – bart një vulë hyjnore dhe për këtë arsye meriton respekt të thellë.
Relacioni besim – liri – përgjegjësi
Përveç që ne njerëzve Zoti na ka krijuar të ndryshëm nga njëri-tjetri, ai na ka krijuar edhe të lirë, me vullnet të lirë, me mundësinë për ta zgjedhur njërën ose tjetrën. Liria është zaten parakushti i përgjegjësisë. Po të mos ishte liria, nuk do të mund të pritej përgjegjësia. Këta janë terma të ngulitur thellë në mësimet kur’anore dhe profetike, por edhe të formuluar qartë nga ana e mendimtarëve, filozofëve, teologëve dhe juristëve muslimanë përgjatë historisë islame deri më sot. Ndofta është e tepërt të përmendet se këto mësime – sidomos mbi lirinë dhe përgjegjësinë – janë prezente edhe te fetë dhe te kulturat e tjera, veçanërisht te ajo evropiane, e cila e arrin kulmin e saj në mësimet e filozofisë praktike të Kantit dhe të iluministëve të tjerë para dhe pas tij.
Duke u mbështetur në këto parime e vlera primare, shtetet me demokraci të konsoliduar i garantojnë dhe i mbrojnë me aktet e tyre më të larta normative të drejtat dhe liritë elementare dhe të tjera të njeriut, që për koincidencën e mrekullueshme përputhen thuajse plotësisht me ato që janë theksuar nga filozofët, mendimtarët dhe juristët muslimanë klasikë nën emrin “ed-daruratu’l-hamse” (Pesë vlerat e domosdoshme, bazike: e drejta ose liria e jetës, e mendjes, e besimit ose e fesë, e familjes dhe e pronës) e që ndër shekuj janë zgjeruar edhe në më shumë se pesë.
E drejta e jetës, e mendimit të lirë dhe e besimit janë treshja që më së shumti zihen në gojë në diskurset e kohëve të fundit, pa u injoruar të drejtat e tjera. Prandaj, këto vlera që vendin e tyre sot e kanë zënë në kushtetutat moderne, përfshirë edhe në të shumë shteteve me shumicë muslimane, për ne muslimanët kanë një vlerë të veçantë pasi ato ne i mbështesim dhe i legjitimojmë me tekstet tona bazike: me Kur’an dhe me Sunnet, si dhe me tekstet e mëvonshme të dijetarëve muslimanë. Prandaj, lirisht mund të themi se këto vlera janë edhe tonat, madje shumë më herët sesa të formuloheshin në këtë formën përfundimtare në kushtetutat moderne. Kjo implikon që ne duhet t’u dalim zot dhe t’i ruajmë edhe si vlera universale të fesë islame, e jo t’i etiketojmë dhe trajtojmë sikur të ishin të huaja, perëndimore, jo-islame etj.
Mbrojtja dhe respektimi i ithtarëve të besimeve të tjera
Edhe pse Zoti e dëshiron më të mirën për qeniet më të mira, pra për ne njerëzit, dhe për pasojë, gjatë historisë, Ai ia ka shpallur njerëzimit mësimet, vlerat dhe virtytet më të larta, prapëseprapë Ai nuk ia ka imponuar njerëzimit të njëjtat. Ai këtë imponim nuk ua ka kërkuar as engjëjve e as pejgamberëve (profetëve) të Tij. Prej pejgamberëve ka kërkuar vetëm kumtimin, përcjelljen, sqarimin dhe zbatimin shembullor, që do t’ia lehtësonin njerëzimit pranimin më të lehtë të tyre dhe me këtë edhe një jetë më paqësore e më dinjitoze. Asnjë pejgamber nuk arritur që të gjithë njerëzit e kohës së vet t’i ketë përfituar në besimin dhe fenë e tij. Kjo, siç thamë, as nuk është kërkuar e as nuk është pritur prej tyre. Pikërisht nga arsyeja se secili njeri e zotëron të drejtën dhe lirinë e tij: të besojë ose jo, ta ndjekë një fe ose jo. Po e ritheksojmë, imponimi dhe detyrimi me dhunë për të besuar diçka, bie ndesh me prerogativën e përgjegjësisë që mbeshtetet në liri.
Kështu që, edhe pse në fillim Muhammedi a.s. mundohej që ta përhapte Islamin te të gjithë banorët e Mekkës dhe rrethinës, sidomos te paria e saj, nga vetë Zoti i vjen paralajmërimi se kjo nuk ishte detyra dhe misioni i tij, se kjo nuk pritej prej tij. Allahu xh.sh. në Kur’an i thotë Muhammedit a.s.: “E, sikur të kishte dashur Zoti yt, të gjithë njerëzit do t’i bënte të një feje…” (Hud, 11:118). Madje vetë Zoti e konfirmon se shumica e njerëzve nuk besojnë dhe nuk do të besojnë, së paku në një segment të caktuar historik, edhe pse këtë do ta dëshironte me ngulm Muhammedi a.s.. Kur’ani thotë: “E, shumica e njerëzve, sado që të dëshirosh ti (o Muhammed), nuk janë besimtarë.” (Jusuf, 12:103). Allahu xh.sh. sikur e frenon këtë dëshirë të flaktë të Pejgamberit të Tij – e me këtë edhe tonën – që të gjithë njerëzit të bëhen besimtarë muslimanë, kur thotë: “Sikur të donte Zoti yt, do të besonin të gjitha ata që gjenden në tokë. E, përse atëherë ti t’i detyrosh njerëzit të bëhen besimtarë!?” (Junus, 10:99)
Ky është, në të vërtetë, një parim i qartë dhe i prerë islam, i shpallur në Kur’an, i cili e gjen shprehjen e tij në ajetet: “Në fe nuk ka dhunë.” (el-Bekara, 2:256) dhe “Thuaj: E vërteta ka ardhur nga Zoti yt. Tani, kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë…” (el-Kehf, 18:29). Me këtë, është vulosur parimi i lirisë së besimit, por jo vetëm. Islami kërkon prej nesh që të kujdesemi për jetën dhe sigurinë personale, për pronat dhe, në krye të të gjithave, për dinjitetin e atyre që nuk besojnë si ne, por që bashkëjetojnë me ne. Pra, këto shihen si detyra fetare e morale të muslimanëve kundrejt atyre që nuk janë muslimanë, qofshin të feve të tjera, qofshin të pafe fare, dhe se shkelja e të drejtave të tyre është krim i rëndë moral dhe fetar. Muhammedi a.s. ka thënë: “Kushdo që i bën padrejtësi një mu’ahidi (një jomuslimani në shoqërinë muslimane), ose i cenon të drejtat e tij, apo e ngarkon me diçka përtej fuqisë së tij, ose i merr diçka pa dëshirën e tij – unë do të jem kundërshtari i tij në Ditën e Kijametit.” (Ebu Davudi) Një vërejtje akoma më e rëndë na vjen në këtë thënie të Muhammedit a.s. kur thotë: “Kush e vret një mu’ahid (jomusliman i strehuar në shoqërinë muslimane), nuk do ta ndiejë erën e Xhenetit.” (Buhariu)
Është interesant të përmendet këtu rasti se si Kur’ani fisnik i del zot një hebreu nga Medina, të cilin me pa të drejtë e kishin akuzuar për vjedhje. Një musliman (sipas një versioni tjetër një munafik/hipokrit) i quajtur Tu’me bin Ubejrik e kishte vjedhur një thes me miell në të cilin ndodhej edhe një parzmore luftarake nga shtëpia e fqinjit të tij musliman, Katade bin Nu’man. Duke e bartur për në shtëpinë e tij thesi kishte rrjedhur miell për rruge. Kur u mor vesh kjo, ai shkoi dhe e fshehu thesin në shtëpinë e një hebreu të quajtur Zejd bin Semin (sipas një versioni tjerër ia kishte lënë atij amanet, pa i treguar se e kishte vjedhur). Pas ankesave te Muhammedi a.s., duke i sugjeruar atij se duhej ta mbronte muslimanin kundër hebreut, Muhammedi a.s. akoma pa dhënë një gjykim për rastin, Allahu xh.sh. ia shpall 10 ajete nga sureja en-Nisa’, ku Muhammedi a.s. paralajmërohet që të mos i mbrojë mashtruesit dhe tradhtarët: “Ne ty (o Muhammed) ta kemi zbritur Kur’anin me të drejtën, për të gjykuar në mes njerëzve ashtu si ta ka shpallur ty Perëndia. Dhe mos u bën mbrojtës i tradhëtarëve!” (en-Nisa’, 4:105)
Pavarësisht mospajtimeve të Kur’anit me doktrinat teologjike të hebreizimit, ai nuk e arsyeton diskriminimin dhe shkeljen e të drejtave të njerëzve të atyre besimeve. Në një ajet tjetër Kur’ani na mëson: “O besimtarë! – bëhuni të qëndrueshëm në urdhërat e Perëndisë dhe bëhuni dëshmues me të drejtë! Le të mos ju nxisë juve urrejtja ndaj një populli dhe të bëni padrejtësi. Jini të drejtë (ndaj miqve dhe armiqve), se drejtësia është më afër takvasë (virtytit). Druajuni Perëndisë, se Perëndia është i dijshëm për çdo gjë që punoni ju.” (el-Maideh, 5:8)
Megjithatë, mendimtari musliman nga Egjipti, Muhammed Abdullah Draz, pohon se “feja islame nuk e konsideron të mjaftueshme që të mbetemi vetëm në një qëndrim paqësor, i cili përmblidhet thjesht në parimin se njerëzit nuk duhen detyruar të hyjnë në Islam. Ajo na çon edhe më përpara, duke kërkuar prej nesh që të ndërmarrim hapa konkretë në drejtim të paqes dhe, duke i përfshirë edhe jomuslimanët, t’i ofrojmë njerëzimit mirësi dhe bujari.” Ai vazhdon më tej: “Le t’i lëmë mënjanë fetë e mëparshme hyjnore, me të cilat jemi të lidhur nëpërmjet zinxhirit të shpalljes hyjnore, por edhe në lidhje me marrëdhëniet tona me idhujtarët politeistë – të cilët qëndrojnë më së largu nga Islami në aspektin e besimit – a është e mundur të gjendet diçka më e lartë dhe më e çmuar se këto këshilla të arta që na i mëson Kur’ani: “Nëse, ndonjë nga idhujtarët kërkon mbrojtje nga ti, mbroje, derisa t’i dëgjojë fjalët e Perëndisë, e pastaj shpjere në një vend të sigurt për të…” (et-Teubeh, 9:6) Siç shihet qartë, Kur’ani nuk e konsideron të mjaftueshme që ne vetëm t’u japim siguri idhujtarëve, t’i mbrojmë dhe të marrim përsipër që ata të jetojnë të qetë pranë nesh… Përkundrazi, ai shkon edhe më tej: urdhëron që, kur ata janë në udhëtim, ta marrim përsipër mbrojtjen dhe kujdesin ndaj tyre, derisa të arrijnë të sigurt në vendin ku janë të mbrojtur nga çdo rrezik.”
Në këtë kontekst e kemi edhe ajetin kur’anor: “Perëndia nuk ju ndalon të shprehni mirësi dhe të jeni të drejtë ndaj atyre, të cilët nuk luftojnë kundër jush për shkak të fesë suaj dhe që nuk ju dëbojnë juve prej shtëpive tuaja. Me të vërtetë, Perëndia i do të drejtit.” (el-Mumtehineh, 60:8) Ky ajet për ne muslimanët vendos një standard të lartë etik: jo vetëm thjesht tolerancë e durim, por mirësi dhe drejtësi ndaj jomuslimanëve, ndaj tyre që nuk mendojnë dhe nuk besojnë si ne.
Përmbyllje
Në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur, ku konfliktet lokale reflektohen menjëherë në ndërgjegjen globale, sfida jonë nuk qëndron vetëm në ruajtjen e identitetit fetar, por në mënyrën se si e jetojmë atë në raport me të tjerët. Mësimet islame, të mbështetura në dinjitetin njerëzor, lirinë e besimit dhe drejtësinë universale, nuk na lejojnë të ndërtojmë marrëdhënie mbi premisën e përjashtimit dhe të armiqësisë.
Përkundrazi, ato na thërrasin në një etikë aktive të përgjegjësisë: të jemi mbrojtës të jetës, të dinjitetit dhe të të drejtave të çdo njeriu. Kjo nënkupton jo vetëm tolerancë pasive, por angazhim të vetëdijshëm për mirësi, drejtësi dhe bashkëjetesë.
Në këtë kuptim, besimi nuk duhet të jetë vijë ndarëse mes njerëzve, por urë lidhëse mes tyre. Sepse vlera e vërtetë e fesë nuk matet me deklarime, por me mënyrën se si ajo reflektohet në sjelljen tonë ndaj tjetrit, veçanërisht ndaj atij që është ndryshe nga ne.
Literatura e konsultuar:
Ismail Raxhi el-Faruki, Tevhidi – Implikimet e tij për mendimin dhe jetën, nga angl. Rehan Neziri, Logos A, Shkup 2006.
Mahmoud Bassiouni, Menschenrechte zwischen Universalität und islamischer Legitimität, suhrkamp, Berlin 1014.
Muhammed Abdullah Draz, “İslam’ın diğer dinlere karşı tutumu ve onlarla ilişkisi”, Diyanet İlmi Dergi, Ankara 1994.
Muhammed Ebu Zehra, Tandhimu’l-Islami li’l-muxhteme’i, Dar el-Fikri el-Arabij, Kajro, p.d.
Rehan Neziri, “Dinjiteti i njeriut nga perspektiva islame”, në Të jesh musliman në Zvicër – përsiatje teologjike dhe sociologjike, BISH “Hëna e re”, Kreuzlingen 2018.
Rotraud Wielandt, “Menschenwürde und Freiheit in der Reflexion zeitgenössischer muslimischer Denker”, në Johannes Schwartländer, Freiheit der Religion – Christentum und Islam unter dem Anspruch der Menschenrechte, Matthias-Grünewald-Verlag, Mainz, 1993.
Kreuzlingen, 10 prill 2026
