Dollmatë janë nga recetat më të preferuara, por përgatitja e tyre kërkon shumë energji.
Pasi të lexoni këtë recetë nuk do të mundoheni më me mbushjen e gjetheve të lakrës.
Përbërësit
- 1 lakër e qëruar dhe e prerë në copa mesatare
- 500 g mish të grirë
- 1 gotë me ujë
- 2 lugë gjelle me vaj ulliri
- 1 qepë e madhe e grirë imët
- 4 thelbi hudhër
- 1 domate dhe 3-4 lugë gjelle me salcë
- 1 gotë uji me oriz të larë mirë
- Kripë dhe piper
- Lëngun e një limoni
- Sipas dëshirës mund të përdorni majdanoz të grirë ose piper të kuq djegës.
Përgatitja
- Vendosni një tenxhere me pak kripë në zjarr dhe lëreni të vlojë.
- Kur uji të formojë bulëza në sipërfaqe hidhni aty copat e lakrës së prerë.
- Lërini vetëm për 5-10 minuta. Gjethet më të trasha të lakrës t’i lini më shumë që të zbuten, por jo të ziejnë plotësisht.
- Ndërkohë vendosni dhe një tigan në zjarr mesatar dhe bashkoni 2-3 lugë gjelle me ujë dhe mishin e grirë.
- Kaurdiseni derisa mishi të lëshojë lëngun e tij dhe më pas uleni nxehtësinë e mbulojeni me kapak sa uji të avullojë.
- Shtoni vajin e ullirit, qepën, hudhrën e grirë dhe lëreni në zjarr edhe për 5-10 minuta.
- Pasi të ketë kaluar koha e duhur, hidhni domaten e prerë në kubikë dhe salcën e domates.
- Me një lugë druri përziejeni mirë që përbërësit të kenë marrë shijen e njëri-tjetrit.
- Në fund shtoni dhe orizin e nevojitur në recetë dhe përsëri përzjejeni.
- Hidhni kripë dhe piper sipas dëshirës suaj për t’i dhënë shije.
- AgroWeb.org ju këshillon që tani të shtoni copat e lakrës si dhe lëngun e limonit.
- Përziejeni me lugën e drurit pasi keni hedhur dhe pjesën e mbetur të ujit.
- Lëreni në zjarr vetëm për 10 minuta e më pas kalojeni në një tavë të lyer me vaj ulliri dhe pak salcë domateje.
- Kjo metodë krijon një lagështirë në fundin e tavës, dhe kështu mbushja nuk ngjitet.
- Futeni në furrë të parangrohur me 180 gradë dhe piqeni për 30 minuta.
- Shoqëruesi perfekt i kësaj recete është thjesht një tas me kos shtëpie ose sallatë me perime të freskëta.
- Nëse ju pëlqen pak më djegëse mund të shtoni piperin djegës para se ta fusni në furrë.
- Ndërsa për një shije më të freskët pasi tava të jetë pjekur nxirreni nga furra dhe spërkateni me majdanoz.
