Falënderimi i takon Allahut, Zotit të të gjitha botëve. Le të dërgojmë salavate dhe selame mbi të Dërguarin e fundit të Allahut, të dashurin e Tij, Muhamedin (savs), mbi shokët e tij, familjen e tij dhe mbi të gjithë robërit e mirë të Allahut.
Vëllezër të dashur, e këshilloj veten dhe juve për besim të qëndrueshëm në Allahun, në melekët e Tij, në librat e Tij, në të dërguarit e Tij, në Ditën e Gjykimit dhe në caktimin e Tij.
Dikur, në kohët e lashta, para pejgamberit Nuh (a.s.), jetonte një popull që ishte i ndershëm dhe i devotshëm ndaj Allahut. Në mesin e tyre kishte pesë burra të jashtëzakonshëm: Ved, Suva, Jeguth, Jeuk dhe Nesr. Ata ishin të njohur për mirësinë e tyre, për butësinë dhe dashurinë ndaj njerëzve. Populli i respektonte dhe i donte, sepse ata i kujtonin për Allahun, i ndihmonin në vështirësi dhe i udhëzonin drejt së mirës.
Por kur ata vdiqën, njerëzit u mbushën me pikëllim. Zemrat e tyre u rënduan, ndienin boshllëk në jetën e tyre dhe shumë prej tyre thoshin: “Ah, sikur të ishin gjallë, të na këshillonin si dikur…”
Këtë rast e shfrytëzoi shejtani – jo në formën që e mendojmë ne, por me qetësi, si një “mik i mirë”, i cili u tha: “Pse të mos ngrini përmendore në vendet ku ata rrinin e mësonin, që t’jua kujtojnë mirësinë dhe veprat e tyre të mira?”
Njerëzve ideja iu duk e mirë, prandaj i ndërtuan pesë përmendore sipas pamjes së tyre dhe ua dhanë emrat e atyre burrave. Ata thanë: “Ne nuk do t’i adhurojmë ata, por vetëm do t’i kujtojmë (që ta përkujtojmë mirësinë e tyre).”
Kaluan vite. Vdiq ai brez që i kishte ndërtuar ato përmendore dhe që e dinte kuptimin e tyre të vërtetë. Erdhi një brez i ri që nuk e dinte më historinë e tyre të vërtetë.
Atëherë shejtani përsëri u afrua dhe u pëshpëriti: “Të parët tuaj, nëpërmjet këtyre, luteshin për shi dhe bereqet. Nëse edhe ju bëni si ata, do të keni mirësi.”
Dhe kështu, ngadalë por sigurt, filloi idhujtaria e parë në botë. Ajo që dikur ishte kujtim, u kthye në adhurim. U kthye në politeizëm (shirk), në mëkatin më të madh që mund ta bëjë njeriu.
Vëllezër të dashur, edhe në kohën tonë ka njerëz të mirë e të ndershëm – prindër, mësues, imamë, fqinj… dhe ne i duam dhe i kujtojmë me respekt. Por, ashtu si populli para Nuhut (a.s.), ndodh që ndonjëherë e kalojmë kufirin. Bëjmë gjëra që s’kanë lidhje me fenë, e ndonjëherë biem edhe në shirk ose një hap pranë tij, pa e ditur.
Për këtë arsye, qëllimi i kësaj hutbeje është që të na kujtojë, në pak fjalë, se çfarë duhet dhe çfarë nuk duhet të bëjmë pas vdekjes së një të dashuri apo ndonjë njeriu të mirë.
I Dërguari i Allahut (savs) ka thënë: “Kur njeriu vdes, i ndërpriten veprat e tij, përveç në tre raste: (1) sadakaja e vazhdueshme (çdo vepër nga e cila njerëzit përfitojnë edhe pas vdekjes së tij: xhami, shkollë, spital, rrugë, ujë, libër…), (2) dituria nga e cila njerëzit përfitojnë (kur lexojnë, mësojnë dhe marrin mësim prej saj) dhe (3) fëmija i mirë që lutet për të (i vdekuri do të shpërblehet edhe nga lutjet e të tjerëve, por më së pari nga familja e tij).”
Po ashtu, i Dërguari i Allahut (savs) na mëson se për të vdekurit tanë mund të bëjmë shumë vepra të mira, si: të japim sadaka në emër të tyre, të agjërojmë borxhet e tyre, ta kryejmë haxhillëkun për ta, të bëjmë dua apo të lexojmë Kuran për ta – dhe ata do të përfitojnë, nëse do Allahu.
Transmetohet nga Enes bin Maliku se ka thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (savs) duke thënë: ‘Çdo familje që jep sadaka për të vdekurin e tyre pas vdekjes së tij, Xhibrili e bart atë sadaka në një enë drite dhe qëndron te varri duke thënë: O banor i këtij varri të thellë, kjo është dhuratë që ta dërgon familja jote – pranoje! Pastaj dhurata hyn tek ai dhe ai gëzohet, ndërsa fqinjët e tij në varre pikëllohen që atyre s’ju dërgua asgjë.’”
Një grua erdhi tek i Dërguari i Allahut (savs) dhe i tha: “O i Dërguar i Allahut, nëna ime ka vdekur dhe kishte premtuar se do të agjëronte, a mund të agjëroj unë për të?” Pejgamberi (savs) e pyeti: “Sikur nëna jote të kishte një borxh dhe ti ta shlyeje, a do të quhej borxhi i paguar?” Ajo tha: “Po.” Pejgamberi (savs) i tha: “Atëherë agjëro për nënën tënde.”
Ebu Hurejre (r.a.) transmeton se i Dërguari i Allahut (savs) ka thënë: “Kush hyn në varreza dhe e lexon suren Fatiha, ‘Kul huvallahu ehad’ dhe ‘Elhakumut-tekathur’, pastaj thotë: ‘O Allah, shpërblimin për këtë që lexova nga Fjala Jote, po ua dhuroj besimtarëve dhe besimtareve të këtyre varrezave’, ata do të jenë ndërmjetës për të tek Allahu i Lartësuar.”
Hafiz Shemsuddin bin Abdul-Vahid el-Makdisi el-Hanbeli, pas përmendjes së këtyre haditheve dhe të ngjashmeve, thotë: “Këto hadithe, megjithëse të dobëta në vete, kur mirren së bashku tregojnë se kjo praktikë ka bazë. Muslimanët në vende e kohë të ndryshme janë mbledhur dhe kanë lexuar Kuran për të vdekurit e tyre, dhe askush nuk e ka kundërshtuar këtë, gjë që tregon pajtueshmërinë e dijetarëve për këtë çështje.”
Imam Ibnu Abidini, dijetari i madh hanefi, në veprën e tij të njohur “Hashije” thotë: “Vizitori i varrezave mund të lexojë atë që i është më e lehtë nga Kurani: suren Fatiha, fillimin e sures el-Bekare (Elif-lam-mim), ajetul-Kursinë, ajetin ‘La ju’ahidhukumullahu…’ (ajetin 285 el-Bekare), suren Jasin…”
Por, në kohën tonë, shumë njerëz për shkak të respektit ndaj të vdekurve mendojnë se ata meritojnë më shumë se kaq, dhe kështu fillojnë të bëjnë gjëra që nuk kanë asnjë lidhje me fenë, e që nuk u sjellin dobi as të gjallëve as të vdekurve. Disa organizojnë tubime fetare pa bazë në sheriat, përmbushin testamente që janë në kundërshtim me fenë (si p.sh. “më varrosni në arkivol”), ndërtojnë përmendore, tyrbe, rrethojnë varret, vendosin fotografi të të vdekurve në varre ose në shtëpi, vendosin kurora apo lule artificiale mbi varre… Të gjitha këto janë gjëra nga të cilat i vdekuri nuk përfiton asgjë, ndërsa të gjallët bëjnë mëkat, sepse bëjnë diçka që s’është në përputhje me dispozitat e fesë sonë.
Prandaj, vëllezër të dashur, nëse vërtet duam t’u bëjmë mirë të vdekurve tanë dhe vetes sonë, le të qëndrojmë fort në atë që feja jonë e bukur ka ligjësuar dhe lejuar, dhe të largohemi nga gjithçka që ajo ka ndaluar – sado që mund të jetë bërë zakon apo praktikë e përhapur.
Le ta mbajmë mend mirë këtë: – Të vdekurit nuk i kërkojnë zakonet tona, por lutjet dhe veprat tona të mira.
Në fund, hutben po e përfundojmë me lutjen e të Dërguarit të Allahut (savs): “O Allah, fali të gjallët tanë dhe të vdekurit tanë, të pranishmit tanë dhe tanët që mungojnë, të rinjtë tanë dhe të moshuarit tanë, meshkujt tanë dhe femrat tona! O Allah, atë që e lë të jetojë ndër ne, bëje që të jetojë në Islam, e atë që e merr në ahiret, bëje që të shkojë me iman! O Allah, mos na privo nga shpërblimet Tua për të, dhe mos na shmang nga rruga e drejtë pas tij!” Amin!
Përshtati në shqip: Miftar Ajdini
(Islampress)
