Ballina Autorë Opinione Tërmeti dhe ne

Tërmeti dhe ne

Ilir Hoxholli

Tërmeti është e vetmja dukuri të cilën shkenctarët nuk e parashikojnë dot. Përveç faktit që pllakat lëvizin dhe i shërbejnë stabilizimit të Tokës ka dhe frikë e panik. Ajo që dua të ndaj me ju miq është pamundësia jone për të reaguar, në ato momente ne kuptojmë sa të vegjël jemi.
Sa e pasigurtë është jeta, atëherë kur mendon se ke realizuar shumë gjera në jetë, një çast mund të të rrëzojë gjithçka. Çast që edhe ateisti thotë “O Zot!”, por a na bën tërmeti njerëz më të mirë?
Në fakt, duket se qëllimi i tij është të shkund njerëzit më shumë se sa Tokën. Të shkund pangopësinë e të pasurve që varfërojnë të varfërit. T’i shkund se atë që kanë fituar do ta lënë ne këtë botë dhe asgjë nuk do të marrin me vete.
Nëse do t’ju pyesnin në ato çaste të lëkundjeve çfarë do të jepnit që mos t’iu gjente gjë, ju dhe fëmijët tuaj, do të jepnit gjithçka, e pra këto janë çastet dhe mundësitë për t’u bërë më të mirë.
Por a reflektojmë ne, pasi toka qetësohet nga dridhjet? Apo pasi kalon fillojmë të shfaqim “trimërinë” duke bërë humor në rrjete sociale? A jeni po aq të sigurtë, në çastet kur Toka dridhet, kur orenditë e shtëpisë, zyrës, punës ku punoni ju dridhen dhe rrëzohen?
Jemi një hap larg vdekjes, e ndjejmë pafuqinë, sa të vegjël jemi. Duket sikur na u dha dhe një shans, po po një shans, mbase për të ndryshuar, e këtë e kuptojnë të zotët e mendjes.
Ndjeva frikë, e kuptova se nuk isha gati të dilja para Zotit, kërkova kohë, kërkova falje, u pendova, por sa vlejti?
Pjesa e falur dhe e mbetur nga jeta do të jetë vërtetuese e asaj që thashë në ato momente. Sa tërmete kanë shkatërruar qytete, sa njerëz nuk e kanë patur shansin të jenë përsëri në jetë, ndaj pas atij tmerri nuk di të them tjetër vetëm se: “Faleminderit Zot!”.

Nga: Ilir Hoxholli

Exit mobile version