Fikhu i ekuilibrit profetik në vlerësimin e njerëzve nuk merr parasysh ngjyrën dhe gjininë, as nuk mbështetet te prejardhja shoqërore apo bukuria; përparësia dhe epërsia përcaktohen vetëm mbi bazë të devotshmërisë ndaj Allahut dhe veprës së mirë, ashtu siç ka thënë Allahu i Lartësuar: “O njerëz! Ne ju krijuam prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise që të njiheni me njëri-tjetrin. Më i nderuari ndër ju tek Allahu është ai që është më i devotshmi. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm, i Mirënformuar.”[1]
Nga Xhabir ibn Abdullahu (r.a) transmetohet se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (a.s) na mbajti një hutbe në mesin e ditëve të Teshrikut, gjatë Haxhit të Lamtumirës, dhe tha: O njerëz! Dijeni se Zoti juaj është Një dhe babai juaj është një. Nuk ka epërsi arabi mbi joarabin, as joarabi mbi arabin; as i ziu mbi të kuqin, as i kuqi mbi të zinë, përveçse me devotshmëri. Vërtet, më i nderuari ndër ju tek Allahu është më i devotshmi. A e përcolla mesazhin? Ata thanë: Po, o i Dërguari i Allahut. Ai tha: Ai që është prezent le t’ia përcjellë këto (fjalë) atij që mungon.”[2]
Në siren e profetit gjenden shumë qëndrime që e sqarojnë dhe e theksojnë se peshorja e drejtë për vlerësimin e njerëzve nuk është pamja dhe forma e jashtme, por devotshmëria dhe vepra e mirë. Prej tyre është qëndrimi i Profetit (a.s) me Zahir ibn Haramin (r.a). Ibn el-Ethiri, në librin “Esed el-Gâbe fî Ma‘rifet es-Sahâbe”, thotë: “Zahir ibn Haram el-Eshxha‘i mori pjesë në Bedër bashkë me Profetin (a.s) … ai ishte nga banorët e shkretëtirës dhe i sillte dhurata Profetit (a.s) nga shkretëtira; dhe po ashtu edhe Profeti (a.s) e shpërblente atë kur bëntë që të kthehej për në shtëpi. I Dërguari i Allahut (a.s) thoshte: Zahiri është shkretëtira jonë dhe ne jemi qyteti i tij. Profeti (a.s) e donte atë, megjithëse ishte një njeri me pamje jo të bukur.”
Nga Enesi (r.a) transmetohet se ka thënë: “Një burrë nga banorët e shkretëtirës, me emrin Zahir, i sillte Profetit (a.s) dhurata nga shkretëtira; dhe Profeti (a.s) e shpërblente kur ai nisej drejt saj. Profeti (a.s) e donte dhe e përkëdhelte, duke thënë: Zahiri është shkretëtira jonë dhe ne jemi qyteti i tij. Zahiri ishte një njeri me pamje të shëmtuar. Një ditë Profeti (a.s) e gjeti duke shitur mallin e tij dhe e përqafoi nga pas, ndërkohë që ai nuk e shihte. Zahiri tha: Kush është ky? Më lësho! Kur u kthye dhe e njohu se ishte Profeti (a.s), ai nuk rreshti së ngjeshuri shpinën e tij pas kraharorit të Profetit (a.s), për bereqet. Profeti (a.s) tha: Kush e blen këtë rob? Zahiri tha: O i Dërguari i Allahut, pasha Allahun, mua nuk më blen askush. Profeti (a.s) i tha: Por tek Allahu ti nuk je i pashitshëm; përkundrazi, ti tek Allahu je i çmuar.”[3] Në një transmetim tjetër thuhet se Profeti (a.s) i tha: “Ti tek Allahu je fitimtar.” Ndërsa në “El-Isti‘âb” i Ibn Abd el-Berrit transmetohet se Profeti (a.s) i tha: “Ti tek Allahu je i fitimprurë.”
El-Kariu duke shpjeguar këtë ngjare thotë:
“Me pamje të shëmtuar”: domethënë i shëmtuar në formë, por me sjellje të bukur; kjo do të thotë se kriter i devotshmërisë është bukuria e brendshme. Prandaj është transmetuar nga Profeti (a.s) se ka thënë: “Vërtet, Allahu nuk shikon pamjet tuaja dhe pasuritë tuaja, por shikon zemrat dhe veprat tuaja.”[4]
Kurse Et-Tibiju duke shpjeguar këtë ngjarje thotë:
“Zahiri është shkretëtira jonë dhe ne jemi qyteti i tij”: do të thotë se ne përfitojmë prej tij ashtu siç përfiton njeriu nga shkretëtira e tij, ndërsa ne i sigurojmë atij çfarë i nevojitet nga qyteti.
“I shëmtuar”: domethënë me fytyrë të shëmtuar.
“E përqafoi”: do të thotë e mori në gjoks.
“Nuk rreshti”: domethënë nuk kurseu asgjë duke e ngjeshur shpinën pas kraharorit të Profetit (a.s) për bereqet.
Në “Sherh ez-Zerkani ‘ala el-Mauâhib el-Ledunijje” thuhet:
“Kush e blen këtë rob?” me këto fjalë Profeti (a.s) ka për qëllim që të tërheqë vëmendjen tek të tjerët për të treguar se sa Zahiri vlen tek Allahu i Madhëruar.
“Zahiri tha: O i Dërguari i Allahut, pasha Allahun, mua nuk më blen askush!”: që do të thotë se unë nuk vlej asgjë, për shkak të pamjes.
Profeti (a.s) i tha: “Ti tek Allahu je i çmuar”: domethënë me vlerë të lartë tek Ai, edhe nëse në dynja ti në mesin e njerëzve dukesh si një njeri i pavlerë për shkak të pamjes; sepse Allahu nuk shikon pamjet, por shikon zemrat dhe veprat.
Qëndrim i Profetit (a.s) me Zahir ibn Haramin (r.a), tregon se kriteri matës në peshoren e të Dërguarit të Allahut është se sa njeriu vlen tek Allahu dhe jo pamja e tij e jashtme. Po ashtu qëndrimi i Profetit (a.s) tregon moralin e lartë të Profetit (a.s) shoqërimin e tij me shokët, humorin që ai tregonte me shokët dhe përulësinë e tij ndaj tyre, ashtu siç e ka urdhëruar Zoti i tij: “Dhe bëhu i butë me besimtarët që të pasojnë ty!”[5]
Disa dijetarë, si Tirmidhiu, Begaviu, Bejhakiu…etj, e kanë titulluar këtë hadith dhe këtë qëndrim profetik—në lidhje me shakanë e tij me Zahirin—si shembull të etikës së lartë të Profetit (a.s).
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Huxhurat: 13.
[2] – Ahmedi. Hadithi është Sahih.
[3] – Tirmidhiu, Ahmedi dhe Ibn Hibani. Hadithi është Sahih.
[4] – Muslimi.
[5] – Sure Shuara: 215.
