Ballina Jeta Shëndetësi Tronditja e trurit apo kontuzioni? Dallimet që mund të shpëtojnë jetë

Tronditja e trurit apo kontuzioni? Dallimet që mund të shpëtojnë jetë

Simptomat kryesore të kontuzionit përfshijnë rritjen e presionit intrakranial, ndërsa tronditja e trurit mund të shkaktojë ndryshime kimike difuze. Përveç lëndimeve të kokës, disa raste të kontuzionit cerebral mund të shfaqen edhe pa traumë

Tronditja e trurit dhe kontuzioni i trurit janë dy forma të lëndimit traumatik të trurit, të cilat, megjithëse ngjajnë në disa aspekte, kanë mekanizma të ndryshëm shfaqjeje, pamje klinike të dallueshme dhe rreziqe të veçanta.

Tronditja e trurit shkakton një çrregullim të përkohshëm funksional të trurit, ndërsa kontuzioni i trurit paraqet një lëndim strukturor, të shoqëruar me gjakderdhje dhe ënjtje të indit nervor.

Çfarë është kontuzioni cerebral (lëndim strukturor i trurit)

Kontuzioni cerebral nënkupton shtypje dhe gjakderdhje në tru, që ndodh zakonisht në zonat ku korteksi cerebral përplaset me kafkën ose me membranën e fortë që rrethon trurin dhe palcën kurrizore.

Kontuzionet mund të shfaqen në çdo zonë të trurit, por disa rajone janë më të ndjeshme për shkak të pozitës së tyre anatomike, shkruan Very Well Health, përcjell Telegrafi.

Çfarë është tronditja e trurit

Tronditja e trurit është një dëmtim i lehtë traumatik i trurit që, ngjashëm me shumicën e kontuzioneve, shkaktohet nga goditja në kokë, rënia, lëndimi sportiv ose aksidenti. Në këtë proces, truri “lëviz” brenda kafkës dhe godet muret e saj.

Dëmtimi është difuz dhe shkakton shtrirje të nervave, enëve të gjakut dhe ndryshime kimike afatshkurtra ose afatgjata.

Tronditjet zakonisht klasifikohen sipas ashpërsisë:

• Shkalla 1 – tronditje e lehtë, pa humbje të vetëdijes; simptomat zhduken brenda 15 minutash.
• Shkalla 2 – pa humbje të vetëdijes, por simptomat (p.sh. konfuzioni) zgjasin mbi 15 minuta.
• Shkalla 3 – tronditje e shoqëruar me humbje vetëdije, me simptoma që zgjasin më shumë se 15 minuta.

Krahasimi mes tronditjes së trurit dhe kontuzionit të trurit

• Dëmtimi difuz ose fokal: Tronditja e trurit është dëmtim difuz dhe funksional; kontuzioni është dëmtim fokal dhe strukturor, i dukshëm në CT/MRI.

• Shkaqet: Tronditja është gjithmonë pasojë e traumës së kokës; kontuzioni zakonisht pas traumës, por mund të ndodhë edhe pa goditje (p.sh. hipertension i pakontrolluar, çrregullime të koagulimit, medikamente holluese, droga ilegale).

• Gjakderdhja: Tronditja mund të ketë ose jo gjakderdhje; kontuzioni gjithmonë shoqërohet me hemorragji, edemë dhe grumbullim gjaku.

• Efektet kognitive dhe psikologjike: Tronditja shkakton çrregullime të theksuara kognitive dhe emocionale (konfuzion, humbje kujtese, irritabilitet), ndërsa tek kontuzioni dominojnë shenjat neurologjike për shkak të rritjes së presionit intrakranial.

Simptomat e kontuzionit të trurit

Shfaqen për shkak të goditjes direkte, gjakderdhjes dhe ënjtjes pasuese:

• Rritje të tensionit të gjakut
• Zgjerim të bebëzave
• Model i parregullt i frymëmarrjes
• Puls i ngadalësuar

Shpesh ka humbje vetëdijeje dhe simptomat zhvillohen brenda 48–72 orëve. Pa trajtim, kontuzioni mund të jetë fatal.

Komplikimet e kontuzionit

Edema cerebrale: rrit presionin intrakranial, shkakton dhimbje koke, të vjella, ulje të vetëdijes, dobësi ose paralizë, lëvizje të çrregullta të syve.
• Hematoma subdurale: shkakton konfuzion, dhimbje koke të forta, marramendje, dobësi të njërës anë të trupit, çrregullime të të folurit, humbje kujtese, ndryshime të personalitetit; në mungesë trajtimi, kriza, paralizë dhe komë.

Simptomat e tronditjes së trurit

Simptomat janë më të ndryshme dhe shfaqen menjëherë ose pas disa orësh:

• Dhimbje koke
• Të përziera / të vjella
• Konfuzion dhe vështirësi në memorie
• “Mjegull” në kokë
• Ndjeshmëri ndaj dritës dhe zërit
• Çrregullime gjumi
• Lodhje
• Humbje ekuilibri
• Trishtim, irritabilitet, ankth

Te fëmijët dhe foshnjat: enjtje në kokë, irritabilitet, humbje oreksi, ndryshime gjumi, qarje e shtuar, shikim bosh.

Sindroma postkomocionale (PCS): Simptoma afatgjata: vështirësi në përqendrim, probleme mendore, ndryshime personaliteti, çrregullime gjumi, depresion/ankth, humbje e nuhatjes/shijes.

Kur duhet kërkuar ndihmë urgjente?

• Plagë të dukshme
• Humbje vetëdije
• Konfuzion pas lëndimit
• Kriza (konvulsione)
• Të vjella / dhimbje koke e fortë
• Mpirje e gjymtyrëve
• Probleme me të folurin, dëgjimin, shikimin
• Humbje ekuilibri

Shkaqet e tronditjes dhe kontuzionit të trurit

Shkaqet e tronditjes dhe kontuzionit të trurit përfshijnë rëniet, aksidentet rrugore dhe goditjet në fytyrë, veçanërisht gjatë aktiviteteve sportive. Kontuzioni i trurit mund të shfaqet edhe pa traumë direkte, si pasojë e hipertensionit të lartë, çrregullimeve të koagulimit, përdorimit të barnave holluese të gjakut apo substancave narkotike.

Parandalimi

Parandalimi bazohet në mbrojtjen e kokës dhe reduktimin e rreziqeve të mjedisit, duke përfshirë përdorimin e helmetës gjatë ngasjes së motorit, biçikletës apo skijimit, vendosjen e rripit të sigurisë në automjet, eliminimin e pengesave në shtëpi, sigurimin e ndriçimit të mirë si dhe vendosjen e barrierave mbrojtëse për fëmijët në shkallë dhe dritare.

Exit mobile version