Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Trump iu ofron mbrojtje të përkohshme sirianëve në SHBA

Trump iu ofron mbrojtje të përkohshme sirianëve në SHBA

Gati 7.000 sirianë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara kanë përfituar mbrojtje të përkohshme nga administrata e Donald Trumpit. Duke qenë se lufta vazhdon të shkatërrojë vendin e tyre, këta njerëz do të mbrohen nga dëbimi në bazë të programit humanitar “TPS”, apo statusi i përkohshëm i të mbrojturit.

Presidenti amerikan i ka anuluar nisma të tilla për vende të ndryshme këto muajt e fundit, duke prekur sidomos emigrantët nga El Salvadori, Haiti dhe Nikaragua. Lehtësia e krijuar së fundimi ndaj sirianëve nuk vlen sidoqoftë për aplikuesit e rinj, apo personat e mbërritur rishtazi nga Siria. Vetëm për ata që jetojnë e punojnë ndërkohë në Shtetet e Bashkuara, mbrojtja do të zgjatet me 18 muaj të tjerë.

Sirianët që kanë hyrë në tokën amerikane pas gushtit të vitit 2016 do të përjashtohen nga programi. “TPS”-ja e krijuar në vitin 1990 iu lejon emigrantëve nga vendet e konsideruara të pasigurta, që të jetojnë në SHBA në mënyrë të ligjshme. Ai përdoret nga qindra persona prej 10 shteteve të ndryshme të goditura nga probleme të tilla, si fatkeqësitë natyrore apo konfliktet civile.

Exit mobile version