Transportuesi kombëtar turk Turkish Airlines ka bërë të ditur se fluturimet drejt Libanit, Sirisë, Irakut, Iranit dhe Jordanisë janë anuluar deri më 2 mars të vitit 2026, për shkak të mbylljes së disa hapësirave ajrore në Lindjen e Mesme pas sulmit të përbashkët të Izraelit dhe SHBA-së ndaj Iranit, transmeton Anadolu.
“Kompania gjithashtu anuloi fluturimet drejt Katarit, Kuvajtit, Bahreinit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Omanit të planifikuara për më 28 shkurt”, tha zv/presidenti i lartë për komunikim i kompanisë, Yahya Ustun, në rrjetin social amerikan X.
Ustun theksoi se zhvillimet në hapësirën ajrore po monitorohen në kohë reale dhe se mund të ketë anulime të tjera shtesë.
Pasagjerët këshillohen të kontrollojnë informacionin më të fundit për fluturimet në faqen zyrtare të kompanisë.
Anulimet vijnë mes kufizimeve të gjera në aviacion pas sulmit të përbashkët të Izraelit dhe SHBA-së ndaj Iranit.
Emiratet e Bashkuara Arabe mbyllën përkohësisht hapësirën e tyre ajrore për avionët dhe pasagjerët, Katari pezulloi trafikun ajror dhe Kuvajti anuloi të gjitha fluturimet drejt Iranit deri në një njoftim të mëtejshëm.
Siria gjithashtu pezulloi përkohësisht fluturimet përmes korridoreve ajrore jugore, ndërsa Iraku mbylli hapësirën ajrore pasi largoi të gjithë avionët.
