Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Turqia dërgon një tjetër “Anije të Mirësisë” me ndihma humanitare për Sudan

Turqia dërgon një tjetër “Anije të Mirësisë” me ndihma humanitare për Sudan

Turqia ka nisur nga qyteti bregdetar i Mersinit anijen e gjashtë të quajtur “Anija e Mirësisë”, që transporton 2,600 tonë ndihma humanitare për popullin sudanez të zhvendosur nga konflikti i vazhdueshëm në vend.

Anija u përgatit nën koordinimin e Autoritetit Turk për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), në bashkëpunim me autoritetet lokale, organizata të shoqërisë civile dhe Fondin e Zhvillimit të Katarit.

Kreu i AFAD, Ali Hamza Pehlivan, tha se Turqia nuk ka qëndruar e palëvizur përballë krizës humanitare në Sudan, duke kujtuar se vitin e kaluar u dorëzuan 5,500 tonë ndihma dhe 30,000 tenda përmes tre anijeve të nisura vetëm muajin e kaluar.

Dërgesa e fundit përfshin ushqime, artikuj për kujdesin personal, mjete mjekësore dhe materiale për strehim. Pehlivan theksoi se Turqia ka vazhduar ndihmat humanitare edhe për Gazën, ku anija e 20-të e ndihmave pritet të niset javën e ardhshme, duke sjellë deri tani gjithsej rreth 105,000 tonë ndihma.

Sudani është përfshirë nga konflikti i dhunshëm midis ushtrisë dhe Forcave të Shpejta të Mbështetjes (RSF) që nga prilli i vitit 2023, duke shkaktuar mijëra viktima dhe miliona të zhvendosur. Aktualisht RSF kontrollon pothuajse të gjithë pesë shtetet e Darfurit, ndërsa ushtria ka mbetur dominues në shumicën e 13 shteteve të tjera, përfshirë kryeqytetin Khartoum. /mesazhi

Exit mobile version