Java e 18-të e elitës së futbollit spanjoll do të luhet këtë vikend, me Barcelonën, Real Madridin, Real Betisin dhe Valencian, që kthehen në ligë pas aventurës që e patën në Superkupën e Spanjës javën e kaluar dhe me ndeshjet e Kupës së Mbretit të luajtura në mesjavë.
Skuadrat e vendeve të para në La Liga, Barcelona dhe Real Madridi, do të luajnë të dielën.
Barcelona në shtëpi e pret Getafen nga ora 18:30, ndërsa Real Madridi do të ketë udhëtim të vështirë tek Athletic Bilbao, në ndeshjen që nis në orën 21:00.
Barça do të jetë pa të suspenduarit, Ferran Torres dhe Robert Lewandowski, që do të thotë se Ansu Fati dhe Raphinha mund ta kenë rastin të luajnë nga minuta e parë ndaj Getafes, që ka vetëm 17 pikë nga 17 ndeshje.
Rreziku kryesor për Barçën pritet të vijë nga turku Enes Unal. Mbrojtja e Barcelonës ka pësuar vetëm gjashtë gola në tërë edicionin.
Udhëtimi i madrilenëve në Bilbao pritet të jetë shumë i vështirë, ndonëse skuadra vendase ka telashe në mbrojtje. Inigo Martinez vuan nga një lëndim, ndërsa Yeray Alvarez është i suspenduar.
Reali dështoi në finale të Superkupës pasi u mposht nga Barcelona, ndërsa të enjten me shumë vështirësi fitoi ndaj Villarrealit.
David Alaba, Lucas Vazquez dhe Dani Carvajal me shumë gjasë do të mungojnë në këtë udhëtim.
Barcelona është lidere me 41 pikë, ndërsa Reali është i dyti me 38 pikë.
