Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) njoftoi se është kryer sulm ndaj sistemit të radarëve dhe depove që i përkisnin ushtrisë ruse në platformat e prodhimit të gazit natyror në Detin e Zi, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë me shkrim në llogarinë e SBU-së në Telegram thuhet se një sulm është kryer kundër objektivave në platformat e prodhimit të gazit natyror në Detin e Zi.
Sulmi është kryer me mjete detare dhe ajrore pa pilot (dronë), theksohet në deklaratë.
“SBU shkatërroi radarët dhe objektet e magazinimit të armikut në platformat e prodhimit të gazit në Detin e Zi duke përdorur mjete detare (pa pilot) dhe dronë. Qëllimi i sulmit ishte shkatërrimi i objektivave ushtarake që i përkisnin ushtrisë ruse në Detin e Zi. Objektivi ynë ishin pajisjet e radarëve ruse të vendosura në platformat e prodhimit të gazit natyror ukrainas. Në sulm u shkatërruan stacioni i radarit ‘Neva’ i armikut, i përdorur për monitorimin e situatës ajrore dhe sipërfaqësore, objektet e magazinimit dhe një bllok banimi në kullë”, thuhet më tej.
Nga SBU u ndanë pamje lidhur me sulmin në fjalë.
– Rusia kreu sulm ndaj Ukrainës me 112 dronë
Në një deklaratë me shkrim të Forcave Ajrore të Ukrainës thuhet se ushtria ruse kreu sulme me dronë në pjesë të ndryshme të Ukrainës gjatë natës.
“Rusët kryen sulm me 112 dronë të përbërë nga dronë simulatorë dhe të tipit sulmues. Të paktën 41 dronë u shkatërruan nga forcat ajrore ndërsa 35 të tjerë u neutralizuan duke ua ndryshuar drejtimin”, thuhet në deklaratë.