Ballina Lajmet Rajon dhe Botë UNICEF: Askund nuk është e sigurt për të shkuar 600 mijë fëmijët...

UNICEF: Askund nuk është e sigurt për të shkuar 600 mijë fëmijët e qytetit Rafah

Fondi Ndërkombëtar i Emergjencës për Fëmijë i OKB-së (UNICEF) ka deklaruar se 600 mijë fëmijë në qytetin Rafah nuk kanë “vend të sigurt për të shkuar”, duke paralajmëruar kundër zhvendosjeve të detyruara dhe sulmeve izraelite, transmeton Anadolu.

Agjencia e OKB-së lëshoi një deklaratë pas njoftimit të ushtrisë izraelite që bënte thirrje për evakuimin e disa lagjeve në pjesën lindore të qytetit Rafah, ku palestinezët e zhvendosur kanë kërkuar strehim.

“UNICEF bën thirrje për mbrojtjen e civilëve dhe infrastrukturës që mbështet nevojat e tyre themelore, si spitalet dhe strehimoret, nga sulmet dhe përdorimi ushtarak”, tha UNICEF, duke theksuar se qindra mijëra fëmijë jetojnë në Rafah.

Derisa situata humanitare po përkeqësohet në Gaza, UNICEF paralajmëroi për pasoja “katastrofike” të një sulmi ushtarak në Rafah për 600 mijë fëmijë, duke theksuar dendësinë e lartë të fëmijëve në rajon.

“Rafah është tani një qytet i fëmijëve, të cilët nuk kanë vend të sigurt ku të shkojnë në Gaza”, tha Catherine Russell, drejtoreshë ekzekutive e UNICEF-it.

Duke theksuar se “tani janë rreth 1.2 milionë njerëz të strehuar në Rafah”, Russell tha se, “Nëse fillojnë operacionet ushtarake në shkallë të gjerë, jo vetëm që fëmijët do të rrezikohen nga dhuna, por edhe nga kaosi dhe paniku në një kohë kur gjendja fizike dhe mendore tashmë është dobësuar”.

Duke cituar të dhënat e fundit, Russell tha se ka 78 mijë fëmijë nën moshën 2-vjeçare dhe 175 mijë fëmijë nën moshën 5-vjeçare, me 8 mijë fëmijë nën moshën 2-vjeçare që përballen me kequshqyerje akut dhe 65 mijë fëmijë me aftësi të kufizuara.

Exit mobile version