Dy persona u vranë në një sulm ushtarak amerikan ndaj një anijeje në Paqësorin Lindor të dyshuar për përfshirje në trafik droge, tha të hënën Komanda Jugore e SHBA-së (SOUTHCOM), transmeton Anadolu.
Sulmi i 13 prillit është kryer nga Task Forca e Përbashkët “Southern Spear” nën drejtimin e komandantit të SOUTHCOM, gjeneral Francis L. Donovan, sipas një deklarate të postuar në platformën e kompanisë amerikane të mediave sociale X.
“Inteligjenca konfirmoi se anija po kalonte përgjatë rrugëve të njohura të trafikimit të drogës në Paqësorin Lindor dhe ishte e angazhuar në operacione të trafikimit të drogës”, tha deklarata, pa dhënë hollësi.
Komanda i identifikoi të vrarët vetëm si dy “narko-terroristë” meshkuj dhe tha se asnjë personel ushtarak amerikan nuk u lëndua në operacion. Sulmi është pjesë e një fushate të vazhdueshme amerikane që synon rrjetet e dyshuara të trafikimit të drogës në Paqësorin Lindor.
Ushtria amerikane ka kryer dhjetëra sulme të ngjashme në Paqësorin Lindor dhe Karaibe në muajt e fundit, duke vrarë më shumë se 150 persona, sipas deklaratave zyrtare, megjithëse disa ekspertë kanë ngritur shqetësime mbi ligjshmërinë e sulmeve.
