Jahja, merre Librin me forcë (vendosmëri).”
Për ku me marrë librin e shejtë o Zot?
▪️Me marrë me vendos në raft që të mbulohet nga pluhuri, dhe ta heqësh prej Ramazanit në Ramazan!
▪️Me marrë me kufizu në kurse memorizimi, gara recitimi dhe rregulla leximi?
▪️Me marrë e me vendosë në makinë që “të bekojë” makinën dhe udhëtarët?
▪️ Ose me marrë te varrezat e me ua lexuar të vdekurve?
Jo, sigurisht që jo.
Merre thellë brenda vetes.
Merre në palosjet e mendjes tënde.
Le të rrjedhë në damarët e tu, në frymëmarrjen tënde, në çdo thithje e nxjerrje fryme.
Merre që të bëhet udhërrëfyesi i jetës tënde, libri i “udhëzimeve” që të tregon si ta përdorësh vetveten.
Sepse libri i shenjtë nuk është menduar si objekt dekorativ i kulturës, as si simbol identitar, as si ritual sezonal. Ai nuk u shpall për t’u mbajtur në raft, por për t’u mbajtur në vetëdije. Nuk u dha për t’u recituar vetëm me zë, por për t’u përvetësuar me mendje dhe karakter.
Një tekst mund të lexohet.
Por një libër i shenjtë duhet të jetësohet.
Dallimi është i madh. Leximi është veprim i jashtëm. Jetësimi është transformim i brendshëm. Kur libri mbetet vetëm në nivel fjalësh, ai prodhon informacion. Por kur hyn në thellësi të njeriut, ai prodhon formim.
Këtu qëndron kuptimi i vërtetë i “marrjes me forcë”:
të mos e lejosh librin të jetë thjesht një zë në sfond, por ta bësh atë strukturë të mendimit tënd. Ta lejosh të formësojë mënyrën si e sheh botën, si e kupton drejtësinë, si e trajton tjetrin dhe si e disiplinon veten.
Libri i shenjtë, në këtë kuptim, është një manual i ekzistencës. Ai nuk tregon vetëm çfarë është e lejuar dhe çfarë është e ndaluar; ai ndërton një horizont kuptimi. Ai e edukon ndërgjegjen, jo vetëm sjelljen.
Një shoqëri mund ta nderojë librin me ceremoni, por nëse ai nuk ndikon në moralin, drejtësinë dhe karakterin e njerëzve, atëherë ai ka mbetur në sipërfaqe. Shenjtëria e vërtetë e librit nuk matet me numrin e kopjeve, por me thellësinë e ndikimit.
Prandaj pyetja filozofike nuk është:
A e lexojmë librin?
Por: A na lexon libri ne? A na transformon ai?
Kur libri bëhet ndërgjegje, ai bëhet dritë.
Kur bëhet dritë, ai bëhet drejtim.
Dhe kur bëhet drejtim, ai bëhet jetë.
Ky është kalimi nga teksti në ekzistencë
nga fjala e shkruar në njeriun e ndërtuar.
Hoxhë Halil Avdulli
