Ballina Jeta Shëndetësi Vaji i susamit përmirëson shëndetin e grave me dhjam në mëlçi dhe...

Vaji i susamit përmirëson shëndetin e grave me dhjam në mëlçi dhe sheqer të lartë

Një studim klinik i zhvilluar së fundmi ka zbuluar se vaji i susamit përmirëson ndjeshëm kontrollin e sheqerit në gjak dhe ndjeshmërinë ndaj insulinës te gratë me sëmundje të mëlçisë së yndyrshme të lidhur me çrregullime metabolike (MASLD), kur kombinohet me një dietë me pak kalori.

MASLD (sëmundja e mëlçisë yndyrore e lidhur me çrregullime metabolike) është një term më i ri dhe më i saktë për të përshkruar gjendjen e njohur më parë si “mëlçi e dhjamosur”. Kjo ndodh kur yndyra grumbullohet në qelizat e mëlçisë për shkak të problemeve metabolike si mbipesha, rezistenca ndaj insulinës ose diabeti. Nëse nuk trajtohet, MASLD mund të çojë në inflamacion dhe dëmtime të rënda të mëlçisë.

Përse vaji i susamit?

Bëhet fjalë për vaj susami të ftohtë i cili përdoret kryesisht në sallata ose në gatime të ngrohta (pa u nxehur direkt në zjarr). Ai përmban substanca që luftojnë inflamacionin duke frenuar citokinat pro-inflamatore, duke përmirësuar potencialisht metabolizmin e glukozës dhe yndyrave.

Detaje nga studimi

Në një studim të zhvilluar në Iran, studiuesit përfshinë gra të moshës 20 deri 50 vjeç me indeks të masës trupore (BMI) nga 25 në 40, të cilat përdornin zakonisht vaj luledielli. Pas një periudhe dyjavore të përshtatjes me dietë standarde, gratë u ndanë në mënyrë të rastësishme në dy grupe: njëra konsumoi 30 g/ditë vaj susami dhe tjetra vaj luledielli, të dyja në formë të pagatuar, për 12 javë. Të gjitha gratë ndoqën gjithashtu një dietë për humbje peshe me deficit prej 500 kalorish në ditë.

Gjatë studimit u matën treguesit e sheqerit në gjak, ndjeshmërisë ndaj insulinës, inflamacionit dhe stresit oksidativ, në fillim dhe pas përfundimit të tij.

Rezultatet

Nga 60 pjesëmarrëse, 53 e përfunduan studimin:

▪ 27 në grupin e vajit të susamit (mosha mesatare: 38.89 vjeç)
▪ 26 në grupin e vajit të lulediellit (mosha mesatare: 39.35 vjeç)

Rezultatet treguan se grupi që konsumoi vaj susami përjetoi:

▪ Ulje të glukozës esëll në gjak me 18.2 mg/dl
▪ Ulje të insulinës esëll me 3.2 μIU/ml
▪ Ulje të indeksit të rezistencës ndaj insulinës (HOMA-IR) me 1.4 njësi

Këto përmirësime ishin dukshëm më të mëdha sesa ato në grupin me vaj luledielli.

Përfitimet shëndetësore të vajit të susamit

▪ Ka veti anti-inflamatore
▪ Përmirëson metabolizmin e glukozës dhe yndyrnave
▪ Ul stresin oksidativ
▪ Mbështet shëndetin e zemrës dhe të mëlçisë

Exit mobile version