Ballina Jeta Shëndetësi Vaksinë universale në formë spreji, shkencëtarët amerikanë testojnë një qasje revolucionare

Vaksinë universale në formë spreji, shkencëtarët amerikanë testojnë një qasje revolucionare

Një vaksinë e vetme në formë spreji nazal mund të ofrojë mbrojtje kundër kollës, ftohjeve, gripit, infeksioneve bakteriale të mushkërive dhe madje të lehtësojë alergjitë. Kështu bëjnë të ditur studiuesit nga Stanford University, të cilët kanë testuar të ashtuquajturën “vaksinë universale” në modele shtazore.

Sipas ekipit kërkimor, kjo qasje përfaqëson një “ndryshim rrënjësor” nga mënyra tradicionale e ndërtimit të vaksinave, e përdorur prej më shumë se dy shekujsh. Megjithatë, ata theksojnë se nevojiten ende prova klinike te njerëzit për të konfirmuar sigurinë dhe efektivitetin.

Ndryshe nga vaksinat aktuale, të cilat trajnojnë sistemin imunitar të luftojë një patogjen të vetëm, metoda e re e publikuar në revistën shkencore Science, nuk synon një virus apo bakter specifik.

Ajo imiton mënyrën se si komunikojnë qelizat imunitare, duke i lënë makrofagët (qeliza të bardha të gjakut në mushkëri) në gjendje “gatishmërie të lartë”. Vaksina administrohet përmes hundës dhe, sipas rezultateve te kafshët, kjo gjendje mbrojtëse ka zgjatur rreth tre muaj.

Studiuesit raportojnë se kjo qasje uli nga 100 deri në 1 mijë herë sasinë e viruseve që depërtonin në organizëm përmes mushkërive.

Prof. Bali Pulendran, profesor i mikrobiologjisë dhe imunologjisë, deklaroi se vaksina “nxit një përgjigje shumë më të gjerë mbrojtëse”, jo vetëm kundër gripit, Covid-19 apo ftohjes së zakonshme, por pothuajse ndaj të gjithë viruseve dhe disa baktereve të testuara.

Ekipi shkencor zbuloi se vaksina ofron mbrojtje edhe kundër baktereve si Staphylococcus aureus dhe Acinetobacter baumannii.

Interesant është fakti se studiuesit vunë re edhe një ulje të reagimit ndaj alergjenëve të pluhurit të shtëpisë, të cilët shpesh shkaktojnë astmë alergjike.

Prof. Daniela Ferreira nga Universiteti i Oksfordit, e papërfshirë në studim, e cilësoi kërkimin si “shumë emocionues”, duke shtuar se nëse rezultatet konfirmohen te njerëzit, kjo mund të ndryshojë mënyrën si mbrohemi nga infeksionet respiratore të zakonshme.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se studimi është në fazë të hershme. Nuk dihet ende nëse i njëjti efekt do të arrihet te njerëzit, sa do të zgjasë mbrojtja dhe nëse mbajtja e sistemit imunitar në “gatishmëri të lartë” mund të sjellë efekte anësore.

Prof. Jonathan Ball nga Liverpool School of Tropical Medicine theksoi se puna është “pa dyshim emocionuese”, por duhet kujdes që aktivizimi i tepërt i sistemit imunitar të mos shkaktojë reagime të padëshiruara.

Sipas studiuesve, vaksina universale nuk synon të zëvendësojë vaksinat ekzistuese, por t’i plotësojë ato. Në rast pandemish, si ajo e vitit 2020 me Covid-19, një vaksinë e tillë mund të fitojë kohë dhe të ulë vdekshmërinë derisa të zhvillohet një vaksinë specifike.

Një tjetër skenar i mundshëm është përdorimi sezonal, për shembull në fillim të dimrit, për të krijuar një mbrojtje të gjerë ndaj viruseve që qarkullojnë gjatë kësaj periudhe.

Për momentin, gjithçka mbetet në fazën e kërkimeve, ndërsa sytë e komunitetit shkencor janë te provat klinike që do të përcaktojnë nëse kjo vaksinë mund të bëhet realitet për njerëzit.

Exit mobile version