Ballina Kuzhinë Vaktet e shijshme dhe të shëndetshme që mund t’i merrni me vete...

Vaktet e shijshme dhe të shëndetshme që mund t’i merrni me vete në punë

Sa herë e keni menduar fjalinë “çfarë do ha sot për drekë në punë”? Dhe sa herë të tjera jeni menduar që në darkën paraardhëse se çfarë do t’u jepni me vete fëmijëve për të ngrënë në shkollë? Në këto kohëra ku obeziteti tashmë është kthyer në një problem real, të gjithë e ndjejmë nevojën e të ushqyerit shëndetshëm.

Me poshtë ju tregoj disa ide të ushqimeve të shëndetshme take-away, të cilat mund t’i konsumoni gjatë vaktit të ndërmjetëm (dhe jo vetëm) në punë ose në shkollë.

1. ORIZI.

Është një prej ushqimeve më të thjeshta e njëkohësisht më të mira për t’u gatuar e konsumuar gjatë vaktit të ndërmjetëm e jo vetëm. I zierë, i skuqur me pak vaj ulliri ekstra të virgjër, sushi apo risotto, orizi i shoqëruar edhe me perime bio, djathë ose fileto pule, është zgjidhja juaj e fillimit të javës sidomos, duke qenë se ofron një energji maksimale për organizmin

2. VEZA.

Jo vetëm ka një përmbajtje proteinike fantastike, por mund të gatuhet e të merret kaq lehtësisht me vete, sa që të gjithë nuk mund t’i thoni “jo”. Vezë e skuqur lehtë me pak vaj ulliri ekstra të virgjër, e zierë pak ose mesatarisht, e pjekur në furrë me djathë që në mëngjes, është mënyra më e mirë dhe më e shpejtë për t’u konsumuar në punë ose në shkollë në mesjavë, kur lodhja ka filluar të bëjë punën e saj. Është kaq e mirë, e thjeshtë dhe… e shendetshme (sidomos e shoqëruar me pak perime të freskëta, të ziera ose të pjekura lehtë, sipas dëshirës).

3. PASTA.

Më mirë, më lirë, më shëndetshëm (sigurisht që në masën dhe me përbërësit shoqërues të duhur)… vetëm PASTA! E zierë “al dente”, me pak vaj ulliri ekstra të virgjër, me gjalpë me përqindje të ulët në yndyrë, të pjekura në furrë me perime, ose thjeshtë me djathë (ose kos me përqindje të ulët në yndyrë sipas dëshirës) janë ushqimi më i përshtatshëm për t’u bërë miku juaj i përditshëm. Çfarë të shtoj më tepër? Pasta mbetet pasta: dashuri më vete!

4. BUKË INTEGRALE.

Në fakt nuk dëshiroj t’a quaj “sandwich”, sepse 2 feta të zakonshme buke integrale, të cilat mund t’i shoqëroni me perime të freskëta si: sallatë jeshile, lakër e bardhë ose e kuqe, fileto pule e hollë, djathë sipas dëshirës apo legume të ziera ose të pjekura, bizele, fasule, misër, etj, do të ishin thjesht “2 feta buke të mbushura me energji”. Ideale për të enjten e të premten, apo jo?

5. PATATE.

Amidoni i patateve është një përbërës që jo vetëm kombinohet në mënyrë perfekte e të shëndetshme me çdo lloj perime, por edhe përshpejto ndjesinë e ngopjes, duke bërë që të rritet kohëzgjatja ndërmjet vakteve të ditës. Ju mund t’i merrni ato me vete të përgatitura në mënyra të ndryshme të thjeshta e të shpejta, si: të ziera, të pjekura, të shoqëruara me perime, djathë, vaj ulliri ekstra të virgjër, legume, etj. Super!

6. PERIME.

Sigurisht! Perime të të gjitha llojeve, të përgatitura në mënyra të ndryshme, si: të freskëta, të ziera, të pjekura, me pak djathë, me pak vaj ulliri ekstra të virgjër, në sallatë, në shoqërim për pastën apo orizin, etj, perimet thjesht janë fantastike, të shëndetshme… dhe më kryesorja… të zgjidhin punë shpejt e shpejt!

7. FRUTA.

Nuk mund të mungonin! Konsumoni sa të dëshironi dhe ato që dëshironi dhe do t’i dashuroni! Të freskëta, për shoqërim sallate, në lëngje të shtrydhura (që në darkë dhe i vendosni në frigorifer për të nesërmen), në vend të ëmbëlsirës, frutat nuk do ju zhgënjejnë kurrë dhe mbi të gjitha, do ju zgjidhin punë me shpejtësi!

8. PULË.

Po, e kam për mishin e pulës, sigurisht! Mishi më i lehtë për t’u përgatitur, zierë, i pjekur, për të shoqëruar perimet, bukën integrale, apo sallatën, është më i miri e më i shëndetshmi (sidomos mishi i bardhë).

9. QUMËSHT.

Praktikisht personalisht prej vitesh tashmë është kaq i domosdoshëm për mua, sa që nuk mund të kaloj dot asnjë ditë pa konsumuar qoftë edhe një gotë me qumësht. I pasur me proteina, kalium, kalçium, fosfor, vitaminë B12, vitaminë D3, etj, një gotë qumësht me vete na ndihmon kaq shumë në ditët e punës, sa asnjë ushqim tjetër.

10. ÇOKOLLATA.

Menduat se çokollata është e dëmshme? Shëndosh? Absolutisht që jo Çokollata e zezë, sidomos ajo 70%, por edhe çokollata me përqindje të ulët qumështi, nëse konsumohet me porcione të vogla në fund të vaktit të ndërmjetëm, do ju bëjë veçse më energjikë! Por… çdo gjë në masën e duhur… dhe konsumojeni gjatë fundjavës nëse jeni në punë, jeni në sezon provimesh ose ju duhet të mbaroni punë të tjera shtesë.

SHËNIM: Të konsumosh gjëra të shëndetshme, nuk do të thotë të llogarisësh kaloritë. Do të thotë të kujdesesh për veten dhe shëndetin e organizmit tënd. Mundohuni të merrni me vete ushqim nga shtëpia në punë ose shkollë. Dhe mos harroni: më mirë pak buke me djathë e domate, sesa sufllaqe.

Exit mobile version