Zv/presidenti amerikan, JD Vance, ka deklaruar se i ndjeri Jeffrey Epstein, i dënuar për krime seksuale, “dukej se kishte lidhje” me elementë të “shtetit të thellë” izraelit, si dhe me “nivelet më të larta të inteligjencës amerikane”, si dhe ka pranuar gjithashtu se administrata e presidentit Donald Trump e kishte menaxhuar keq reagimin ndaj këtij rasti, transmeton Anadolu.
I pyetur në një podkast amerikan për teoritë sipas të cilave Epstein kishte lidhje me shërbimin sekret izraelit Mossad, Vance u përgjigj: “Po, Mossadi ose CIA, ose ndonjë shtet tjetër i thellë, qoftë në Amerikë, Izrael apo në ndonjë vend tjetër”.
“Ai qartazi kishte lidhje me nivelet më të larta të inteligjencës amerikane”, tha ai.
Vance shtoi se e konsideron rastin Epstein “interesant”, sepse, “aq sa di unë, kryeministri Netanyahu, i cili nuk është veçanërisht popullor në SHBA për momentin, Epsteini dukej se kishte lidhje me elementët e shtetit të thellë izraelit që ishin të majtë të qendrës”.
“Nuk ishte sikur ai të kishte lidhje të forta me të djathtën e politikës izraelite. Në Amerikë ai kishte lidhje me të gjitha palët. Kishte miq republikanë dhe demokratë. Ai kishte lidhje shumë më të thella me të majtën e qendrës në Izrael sesa me të djathtën”, tha Vance.
Lidhur me mënyrën se si administrata e Trumpit e trajtoi çështjen Epstein, Vance tha: “Nëse njerëzit duan të thonë se e kemi menaxhuar keq çështjen Epstein, atëherë po, jemi fajtorë. E kemi menaxhuar keq, veçanërisht sa i përket komunikimit”.
I pyetur se çfarë duhej të ishte bërë ndryshe, ai u përgjigj: “Mendoj se që në fillim duhej të publikonim gjithçka. Natyrisht, duhet pak kohë për të shqyrtuar materialet, për t’i gjetur ato dhe për të redaktuar pjesët që lidhen me viktimat e kështu me radhë. Por duhej ta kishim bërë këtë sa më shpejt të ishte e mundur”.
