Ballina Artikuj Veçoritë specifike të moralit islam

Veçoritë specifike të moralit islam

Shejh Jusuf Kardavi (r.a)

Allahu ka dashur që morali në Islam të dallohet me veçori specifike, me të cilat është veçuar nga judaizmi, krishterimi ose nga të dyja së bashku; veçori që e kanë bërë të përshtatshëm për të gjithë individët, për të gjitha shtresat, për të gjitha racat, për të gjitha mjediset, për të gjitha kohët dhe për të gjitha rrethanat.

1 – Moral i arsyetuar dhe i kuptueshëm

Veçoria e parë është se ai është i çliruar nga karakteri adhurimor–arbitrar, imperativ i pashpjeguar që njihet në judaizëm, të cilin disa studiues të moralit e kanë konsideruar si domosdoshmëri të brendshme të metodës së thirrjes morale në të gjitha fetë. Këta kanë shpërfillur faktin se Islami është krejt e kundërta e kësaj. Ai mbështetet vazhdimisht në urtësi të arsyeshme dhe në shkaqe të pranueshme, duke iu drejtuar mendjes së shëndoshë dhe ndërgjegjes së pastër; duke sqaruar interesat që qëndrojnë pas asaj që urdhëron dhe dëmet që vijnë nga ajo që ndalon; herë në mënyrë të detajuar, herë në mënyrë përmbledhëse.

Shembuj të arsyetimit të detajuar: “Faleni namazin, sepse namazi e ndalon nga imoraliteti dhe nga e keqja”[1] “Agjërimi ju është bërë obligim, ashtu siç iu bë obligim atyre që ishin para jush, që të bëheni të devotshëm”[2] “E mira dhe e keqja nuk janë të barabarta. Ktheje të keqen me atë që është më e mira; e atëherë ai me të cilin ke armiqësi do të bëhet sikur mik i afërt.”[3]

Shembuj të arsyetimit përmbledhës: “Nxitoni drejt përmendjes së Allahut dhe lini tregtinë; kjo është më e mirë për ju, nëse e dini”[4] “… ose mish derri, sepse ai është i ndyrë”[5]

2 – Moral universal

Morali islam është me karakter human dhe universal; ai nuk lejon diçka për një racë e ta ndalojë për një tjetër. Arabët dhe joarabët janë të barabartë para tij; madje myslimanët dhe jomyslimanët janë të barabartë përballë parimeve të tij morale. Kamata është e ndaluar qoftë ndaj myslimanit apo jomyslimanit; vjedhja është e ndaluar për pasurinë e myslimanit dhe të jomyslimanit; imoraliteti është i ndaluar me myslimane apo jomyslimane; drejtësia është detyrë ndaj myslimanit dhe jomyslimanit; agresioni është i ndaluar ndaj të gjithëve. Në këtë kuptim thotë Kurani: “Le të mos ju shtyjë urrejtja ndaj një populli që të mos jeni të drejtë. Jini të drejtë, sepse kjo është më afër devotshmërisë.”[6]

Kështu, morali islam u pastrua nga prirja raciste–nacionaliste që ka karakterizuar moralin judaik, si dhe moralin fisnor e primitiv në përgjithësi.

3 – Përputhja me natyrën e pastër

Islami, në fushën e moralit, ka ardhur me atë që përputhet me fitrën dhe natyrën njerëzore dhe e plotëson atë, jo me diçka që e shtyp apo e kundërshton atë. Allahu nuk do ta krijonte njeriun me një natyrë të caktuar e pastaj ta ngarkonte me detyrën që ta shtypë ose t’ia shuajë ndikimin e saj.

Prandaj Islami e ka pranuar qenien njerëzore ashtu siç e ka krijuar Allahu, me shtysat e saj psikologjike dhe prirjet e saj të lindura; dhe gjithçka që ka bërë është se i ka fisnikëruar dhe i ka lartësuar ato, duke vendosur kufij që ruajnë interesin e shoqërisë dhe interesin e vetë individit. Për këtë arsye, sheriati ka lejuar shijimin e të mirave dhe të zbukurimeve, ka ligjësuar pronësinë private dhe nuk i ka parë instinktet si ndyrësi nga shejtani.

Islami ka nxitur pastërtinë dhe zbukurimin, madje i ka bërë ato parakusht dhe kujdes paraprak për namazin: “Merrni stolinë tuaj në çdo xhami!”[7]

Kurani i ka qortuar ashpër ata që ndalojnë: “zbukurimin e Allahut që Ai ua ka nxjerrë robërve të Tij dhe të mirat e furnizimit.”[8]

Nëse krishterimi sheh se i pasuri nuk hyn në mbretërinë e qiejve, Islami thotë: “Sa e mirë është pasuria e ndershme për njeriun e ndershëm.”

Dhe nëse krishterimi ka krijuar sistemin e ashpër të murgërisë, me gjithë rreptësinë e tij ndaj trupit dhe shtypjen e prirjeve të lindura, Islami e ndalon beqarinë asketike, nxit martesën dhe e sheh se “kjo botë është kënaqësi, dhe kënaqësia më e mirë e saj është gruaja e devotshme”. Madje, përpjekjen për familjen dhe kujdesin për ta e konsideron një formë xhihadi në rrugën e Allahut.

Megjithatë, Islami – në gjithçka që ka lejuar duke marrë parasysh natyrën njerëzore – ka vendosur rregulla dhe kufij që ndalen te masa e drejtë, në mënyrë që lejimi të mos shndërrohet, për shkak të teprimit dhe ekstremizmit, në një çlirim shtazor të shëmtuar.

Autor: Jusuf Kardavi

Përktheu: Elton Harxhi

[1] – Sure Ankebut: 45.

[2] – Sure Bekare: 183.

[3] – Sure Fussilet: 34.

[4] – Sure Sure Xhumua: 9.

[5] – Sure En’am: 145.

[6] – Sure Maide: 8.

[7] – Sure A’raf: 31.

[8] – Sure A’raf: 32.

Exit mobile version