Ballina Artikuj Veteranët shpenzuan afër 40 milionë euro për gjashtë muaj

Veteranët shpenzuan afër 40 milionë euro për gjashtë muaj

Veteranët po vazhdojnë t’i shkaktojnë dëm buxhetit të Kosovës.

Në prill të këtij viti, Gjykata Themelore e Prishtinës, refuzoi kërkesën e Prokurorisë Speciale për pezullimin e pensioneve të 19 mijë e 500 veteranëve.

Ky vendim refuzues vlen deri në përfundim të procedurës penale, ndërsa këta veteranë po vazhdojnë t’i marrin pensionet çdo muaj.

Në muajin janar, 38 mijë e 232 veteranë kanë përfituar 6 milionë e 518 mijë e 959 euro, shkruan lajmi.net

Pagesat kanë vazhduar në gjithë muajt pasues.

Musa Demiri, nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka thënë për lajmi.net se për 6 muajt e parë të vitit 2019, veteranët kanë shpenzuar 38 milionë e 435 mijë e 385 euro nga buxheti i shtetit.

Në tabelë shihet se shuma e ndarë për këtë kategori është ndryshuar çdo muaj, mirëpo arsyet nuk dihen.

Vetëm këtë vit, janë planifikuar të ndahen mbi 57 milionë euro për këtë kategori, shumë kjo e cila pritet të tejkalohet nga trendi i shpenzimeve mujore.

Kujtojmë se në shtator të vitit të kaluar, është ngritur aktakuzë kundër 12 anëtarëve të Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve të luftës së UÇK-së, nën dyshimet se i kanë fryrë listat. /Lajmi.net/

Exit mobile version