Ballina Sport Futboll Visar Bekaj, zëvendësuesi i Karius te Besiktas

Visar Bekaj, zëvendësuesi i Karius te Besiktas

Beshiktas nis ‘peshkimin’ në Prishtinë për talentet e të ardhmes dhe ka filluar duke siguruar pasardhësin e Loris Karius në katërkëndësh.

Klubi i njohur turk ka siguruar një marrëveshje bashkëpunimi me klubin e Prishtinës dhe sipas mediave turke, një nga pikat e këtij bashkëpunimi përfshin edhe gardianin e kësaj skuadre, Visar Bekaj.

Mediat turke sqarojnë se Bekaj duhej të transferohej te Hoffenheim në Gjermani, por marrëveshja dështoi për shkak të dokumentacionit, transmeton lajmi.net.

Megjithatë, paraqitjet e tij kanë tërhequr vëmendjen e Besiktas i cili do të finalizojë në verë transferimin e gardianit që është pjesë edhe e përfaqësueses së Kosovës. Për 22-vjeçarin kjo është mundësia e artë e karrierës për të shkuar në një kampionat më të fortë, gjë të cilën e kërkon prej shumë vitesh.

Ndërkaq, klubi turk do të hapë një shkollë futbolli në bashkëpunim me Prishtinën në Kosovë, si dhe do të huazojë në radhët e skuadrës së drejtuar nga Armend Dallku talentet e saj që nuk kanë hapësira të aktivizohen me klubin e Superligës turke.

Pak ditë më parë, drejtues të Besiktas deklaruan se do të monitoronin edhe kampionate si ai shqiptar, i Maqedonisë së Veriut apo Malit të Zi për marrëveshje të ngjashme.

Exit mobile version