Këto netë edhe errësira që më shoqëronte më braktisi,
sepse sheshi u ndriqua,
u afrova afër bredhit që të ngrohem nga dritat e tij,
por ata që bënin foto mu drejtuan duke më thën “O zhelan, ik mos na i fëlliq fotot”
E ula kokën që askush t’mos i shoh lotët e mi dhe fillova të bredh rrugëve të qytetit
Jo, tanimë nuk kam frikë,
edhe pse ndonjëherë mendoj
se vet nata ka frikë nga unë, e jo unë nga ajo!
Tani edhe buzëqeshjen e njerëzve nuk ua shoh, vetëm i shoh që maskat e tyre lëvizin, nuk e di a shprehin dhimbshmëri ndaj meje, apo më mallkojnë,
E unë as maskë nuk kam që ti fsheh dhëmbët që më kërcasin nga të ftohti si mjetet piroteknike!
Sot qyteti më thotë “urime vitin e ri”
por për mua nuk ka dallim a është i ri a i vjetër
përderisa më dhemb barku nga uria,
sot edhe “koshi i mirësive” pranë burektores është i zbrazur
që i zoti i saj e quan “kosh i plehrave”
dhe duhet të bëj durim këto ditë feste,
ndoshta gjej diku tjetër ndonje cop buke të mbetur
Dyqanet janë të zbukuruara në maksimum,
sikur ato më shprehin mirëseardhje
Në xhamat e tyre shkruan blej një, të dytën gratis
Unë ka disa ditë që gishtat e mi nuk i ndjej nga acari
Iu afrova një dyqanxhiut dhe i thash:
Xhaxhi a mi jep këto këpucët të dyta që janë gratis,
se për të parat nuk kam para,
Qeshi me ironi dhe më tha: “shporru!”
I shkruaj për çdo vit babadimrit që të më takoj,
por ai asnjëherë nuk më viziton,
ndoshta se fare nuk kam oxhak,
dhe nuk e di rrugën nga të hyjë
e as kulm mbi kokë, që të qëndrojnë drerët e tij.
E ndoshta i do vetëm fëmijët e pasur,
që nën pishën e zbukuruar t’i lë dhuratat e tij!!
Sot, pas shumë pritjesh e takova një babadimër
dhe zemra mu gëzua,
e shihja se si fëmijët me dashuri i ulte në prehërin e tij
Kur më erdhi radha mua, më tha:
Ti me kë je? I thash i turpëruar: jam vetëm!
Tha: ke 5 euro me vete?
I thash jo nuk kam, por të kam ty,
filloi t’i ndryshoj fytyra dhe më tha:
“Largohu prej këtu, mos na e prish “festën”
“Pse “festa” është vetëm për ata që kanë prind e para?” dhe u largova me lot në sy
Kam filluar të dyshoj
se kjo “festë” më takon mua,
e që dikund ka “babadimër” që i gëzon skamnorët
shkoj ta vizitoj lapidarin e dëshmorëve
dhe me dorën time të ngrir,
mundohem ta ngroh emrin e babait tim
dhe pëshpëris vetmevete,
” Babi im ti jetove në mal në mes lisash pa bisha,
kurse unë jetoj në qytet në mes bishash pa lisa”
Por mos u mërzit,
se këtu pran teje si çdo natë do të pushoj
Pran shkronjave të emrit tënd
që më dhurojnë shpresë të jetojë, këtu do të qëndroj
ata le të festojnë me pasurinë e tyre
kurse pasuria ime janë kujtimet e tua!
Tani nuk e di, këtë “festë” a ta urrej, a ta dua
sepse i gjithë ky zbukurim e ky ndriçim
nuk më takon mua.
Se ky qenka vetëm se një mashtrim,
që unë të mendoj se dikush e mban dertin tim.
Dhe më duket tani u bë ora 00:00,
Qyteti gjëmon si i çmendur nga krismat e shpërthimet,
kurse mbi mua dhe lapidarin e dëshmorëve bien vetëm gëzhojat e plumbave dhe mjeteve piroteknike!
Do të doja që dikush të gjuante të paktën një batanije që me të ta ngroh trupin tim, por e di se në këto momente unë për ta nuk ekzistoj e aq më pak halli im!
Ps: Ky është një përshkrim se si fëmijët e varfër e përjetojnë realitetin e këtyre ditëve.
Nga: Dr. Rijad Imeri
