Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Mirosllav Lajçak, gjatë kësaj jave do të qëndrojë për vizitë në Kosovë, në udhëtimin e tij të parë zyrtar që nga marrja e pozitës së tij të re.
Drejtori i informacionit në Klan Kosova, Gazmend Syla, vlerëson se kjo vizitë e Lajçak, nënkupton që tashmë asgjë nuk mund ta ndalë vazhdimin tutje të procesit të dialogut me Serbinë.
“Dialogu do të ngjallet, pasi tash nuk ka ndonjë pengesë madhore që kjo të mos ndodhë. Kosova ka një qeveri të re, ndonëse jo më të fuqishmen, Kosova e hoqi reciprocitetin, Serbia i kryen zgjedhjet së shpejti, pandemia është zbehur dhe krejt këto zhvillime krijojnë një ambient deri diku optimal që negociatat të vazhdojnë. Mendoj që të dyja vendet janë të interesuara për të vazhduar, sikur që ka një interesim të theksuar për këtë edhe në BE, e posaçërisht në Washington. Vetë ardhja e Lajçak në rajon është dëshmi e fortë se dialogu ngjallet dhe përshpejtohet”.
Sipas Sylës, për Lajçakun dhe liderët në Prishtinë e Beograd, kjo verë do të jetë shumë më e “nxehtë”.
Me SHBA-të të përfshira në këtë proces, Syla për klankosova.tv, ka thënë se është pozitive, nëse edhe BE-ja përpiqet që ta marrë primatin në dialog.
“Besoj se nuk ka dëm për Kosovën nëse SHBA dhe BE bëjnë garë për primat në nxitjen e arritjes së marrëveshjes. Kjo pasi Washingtoni dhe Brukseli nuk kanë ndonjë qëllim që për inat të njëra – tjetrës, të “imponojnë” një marrëveshje jo të mirë, e cila në vend të normalizimit të raporteve mes dy vendeve ballkanike, do të tensiononte edhe më këto marrëdhënie. Nëse veç ka kësi gare inati, atëherë ajo mund të jetë se cila palë ofron dicka më shumë e më pozitive se tjetra”.
“Që prej kur SHBA caktoi një përfaqësues të Posaçëm për dialogun Kosovë – Serbi, që është Richard Grenell, BE-ja është në një farë paniku, dhe e sheh pozitën e vet në këtë proces pak a shumë të rrezikuar, prandaj, është ngjallur, mendoj unë, dhe ardhja e Lajcak në Kosovë, para Grenellit, është sinjal për këtë, sikur për të thënë ‘ne e kemi nisur dhe ne do ta sosim, prandaj, po rifillojmë të parët, ende pa u kryer në tërësi pandemia”.
Syla thekson se presidenti Hashim Thaçi nuk ka investuar kot për Qeverinë Hoti, që në fund sipas tij, të mos merren vesh me Hotin për rolin që do kenë në procesin e dialogut”.
“Nuk mendoj që u bë gjithë ai investim nga presidenti për ta bërë qeverinë Hoti, për të patur dilema në atë se kush është kush dhe kush udhëheq me dialogun. Mendoj se Thaçi dhe Hoti janë dakorduar në ndonjë mënyrë për këtë punë. Po ashtu, mendoj se ka një pajtim të heshtur të të gjithë liderëve të partive politike, përjashto Vetëvendosjen, se çfarë mund të ndodhë me dialogun dhe kush do ta ketë fjalën kryesore. Do të jetë Thaçi, do të jetë edhe Hoti. Do të jenë edhe këta tjerët. Ndoshta, do të mungojë vetëm Kurti”.
Nga ana e saj, Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë që pritshmëritë nga vizita e Lajçak, janë që të ketë më shumë qartësi lidhur me pozicionin e BE-së dhe shteteve anëtare të saj lidhur me procesin e dialogut.
“Lajçak nuk mund të jap premtime në emër të BE-së lidhur me njohjen e Kosovës apo liberalizimin e vizave por shtetet anëtare të BE-së mund ta bëjnë një gjë të tillë, në fakt shtetet anëtare mund ta autorizojnë dhe Lajçak për të shtyrë përpara një proces i cili synon njohjen reciproke si pozicion – gjithmonë nëse ato arrijnë në një dakordim të përbashkët”.
Krasniqi për klankosova.tv, ka thënë që BE-ja ka shprehur gatishmërinë për të vazhduar ndërmjetësimin e procesit të normalizimit në mes palëve ku ka dhe një të emëruar të posaqëm.
“Orientimi i Kosovës është euroatlantik ku Kosova synon të bëhet anëtare si e NATO-së ashtu dhe e BE-së. Prandaj dhe derisa në të kaluarën kemi parë që proceset teknike kanë arritur deri te arritja e marrëvehsjeve, fakti që ato kanë ngërthyer elemente të ambiguitetit konstruktiv i ka përcaktuar që në fillim limitet dhe rezultatet konkrete të vet procesit të ndërmjetësimit. Andaj tashmë BE-ja dhe shtetet anëtare duhet të qartësojnë pozicionin e tyre ndaj Kosovës, duke mbajtur një pozicion jo neutral por një pozicion që garanton njohjen nga 5 shtetet jo njohëse dhe ofrimin e perspektivës së qartë dhe të prekshme evropiane për Kosovën në kuadër të këtij procesi”.
“Gara se kush duhet të udhëheqë me këtë proces duhet të kishte mbaruar tashmë”.
Këtë Krasniqi e ka thënë duke aluduar në garën që po bëhet mes presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Avdullah Hoti për të mare rol kyç në dialog.
“Duke ditur që kemi pasë dhe një aktgjykim të Gjyaktës Kushtetuese e cila e ka sqaruar dhe më tej këtë fakt me pritshmërinë që do t’i jepet fund tentativave për personalizim të këtij procesi shtetëror”.
“Nga deklarimet që kanë bërë të dy këta krerë institucionalë [Thaçi dhe Hoti], kanë deklaruar se do të ushtrojnë funksionet e tyre në bazë të obligimeve dhe përgjegjësive të tyre kushtetuese”.
“Kjo është edhe thirrja jonë në fakt, ku në kuadër të procesit të koordinimit dhe bashkërendimit institucional, Kuvendi të ushtrojë rolin e tij mbikqyrës ndaj këtij procesi duke kërkuar në vazhdimësi transparencë, llogaridhënie dhe përgjegjshmëri”.
