Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha se Serbia dhe Gjeorgjia do të formojnë një komitet të përbashkët më 22 dhjetor, i cili do të nisë bisedime strategjike mbi krijimin dhe përfundimin e një marrëveshjeje të tregtisë së lirë midis dy vendeve, gjatë vizitës së parë të presidentit gjeorgjian në Beograd, raporton Anadolu.
“Shpresojmë që kjo marrëveshje të mund të përfundohet deri në fund të vitit 2026, sepse këto janë bisedime shumë serioze”, tha Vuçiq në konferencën për mediat pas takimit me presidentin e Gjeorgjisë, Mikheil Kavelashvili. Ai shtoi se pjesa serbe e komitetit do të drejtohet nga ministrja Jagoda Lazareviq.
Ai theksoi se marrëveshja hap mundësi të reja ekonomike për të dy vendet. “Mund të marrim shumë produkte nga Gjeorgjia më lirë sesa nga disa tregje të tjera dhe anasjelltas. Kjo është mundësi e mirë për biznesmenët tanë që të gjejnë hapësirë për produktet e tyre në Gjeorgji”, theksoi presidenti serb.
Vuçiq njoftoi hapjen e ambasadës së Serbisë në Tbilisi, duke theksuar se kjo do të jetë e rëndësishme për zhvillimin e marrëdhënieve të biznesit dhe ato politike.
“Serbia së shpejti do të hapë ambasadë në Tbilisi, e cila do të jetë vendi i duhur për të nisur nisma të shumta biznesi”, tha ai. Duke folur për marrëdhëniet politike, Vuçiq theksoi rëndësinë e së drejtës ndërkombëtare.
“Respekti për kartën dhe rezolutën e OKB-së është me rëndësi thelbësore për marrëdhëniet midis vendeve tona”, tha ai duke shtuar se Serbia dhe Gjeorgjia respektojnë integritetin territorial të njëra-tjetrës dhe se ky qëndrim nuk do të ndryshojë nga asnjëra palë në të ardhmen.
– “Gjeorgjia është një vend shumë i suksesshëm”
Vuçiq tha se marrëdhëniet midis Serbisë dhe Gjeorgjisë janë të afërta, por nuk janë zhvilluar mjaftueshëm në të kaluarën.
“Afërsia e dy popujve është e tillë që nuk mund të gjesh askënd në Serbi që do të thoshte diçka të keqe për Gjeorgjinë”, tha ai duke kujtuar se hapja e një linje ajrore direkte Beograd-Tbilisi është hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit të përgjithshëm.
Ai thekson se Gjeorgjia është një vend shumë i suksesshëm, i cili do të ketë një normë rritjeje prej 7 për qind këtë vit ndërsa Serbia do të përpiqet të arrijë një rritje të PBB-së prej të paktën 4 për qind vitin e ardhshëm.
– “Serbia është një vend shumë i dashur për gjeorgjianët”
Presidenti i Gjeorgjisë, Mikheil Kavelashvili ndodhet në vizitën e tij të parë zyrtare në Serbi, duke shënuar 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve. Pas një takimi të delegacioneve në Pallatin e Serbisë, ai theksoi rëndësinë e kësaj vizite historike, pasi është presidenti i parë gjeorgjian që e bën këtë.
“Marrëdhëniet tona diplomatike janë 30-vjeçare dhe kjo është vizita e parë e këtij lloji nga ana jonë dhe kjo duhet theksuar. Shpresoj që marrëdhëniet tona të jenë edhe më të afërta. Do të punojmë në shumë çështje që janë me interes për të dyja vendet”, tha Kavelashvili.
Ai potencoi përvojat që Serbia ka në kontekstin e marrëdhënieve me Bashkimin Evropian (BE) dhe bashkësinë ndërkombëtare. “Të gjithë e dinë se marrëdhëniet midis BE-së dhe Gjeorgjisë janë të ndryshme dhe jo në një nivel të lartë. Duhet të them se zyrtarët evropianë shpesh kanë standarde të dyfishta ndaj vendeve tona dhe Serbia është gjithashtu e vetëdijshme për këtë”, tha ai.
Duke theksuar zhvillimin e shpejtë ekonomik të Gjeorgjisë, Kavelashvili tha se është vend paqësor që po zbaton zhvillim dhe reforma.
“Shpresojmë që burokracia evropiane të jetë e drejtë që edhe ne të jemi bartës të trashëgimisë evropiane, si ne ashtu edhe Serbia, sepse Evropa është tërheqëse për të gjithë, ajo ofron mundësi. Ata duhet të marrin qëndrim paksa të ndryshëm që pranimi ynë në BE të bazohet në qasje të drejta që kanë marrë formë në Evropë për shekuj me radhë. Mendoj se kjo do të ndryshojë në atë drejtim dhe se Evropa do të rifitojë vlerat e saj themelore, do të forcohet dhe do të bëhet tërheqëse. Kjo është arsyeja pse ne jemi të gatshëm për bashkëpunim”, tha Kavelashvili.
“Ne duhet të përpiqemi t’i bëjmë marrëdhëniet midis Gjeorgjisë dhe Serbisë edhe më të forta, përfshirë edhe komunitetin e biznesit. Ne kemi shumë të përbashkëta”, tha presidenti gjeorgjian.
Duke iu referuar sfidave të sigurisë në Kaukazin e Jugut, Kavelashvili tha se Gjeorgjia dëshiron të ndërtojë paqe në rajon dhe në botë. “Është me rëndësi të madhe për ne në kontekstin e paqes që integriteti i shteteve të respektohet. Ne e respektojmë integritetin territorial të Serbisë. Ju përmendët rezolutën e OKB-së. Dua t’ju shpreh mirënjohjen time për respektimin e sovranitetit tonë”, tha ai.
Kavelashvili shtoi se Serbia është një vend shumë i dashur për gjeorgjianët dhe e ftoi Vuçiqin të vizitojë Gjeorgjinë vitin e ardhshëm.
Gjeorgjia ka qenë kandidate për anëtarësim në BE që nga viti 2023. Në nëntor 2024, partia në pushtet “Ëndrra Gjeorgjiane” pezulloi bisedimet për anëtarësim në BE deri në vitin 2028, duke shkaktuar një valë protestash në vend.
