Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u tha ligjvënësve gjermanë të enjten se Rusia po ndërton një mur përmes Evropës me ofensivën e nisur ndaj vendit të tij më 24 shkurt (2022) dhe bëri thirrje për më shumë mbështetje nga Berlini.
Një ditë pas fjalimit me video në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Volodymyr Zelensky mbajti një videofjalim shumë të fuqishëm edhe para deputetëve në Parlamentin Federal të Gjermanisë (Bundestag). Ai kërkoi nga Gjermania që të ndërmarrë hapa konkrete për të ndërprerë vuajtjet e popullit ukrainas.
Duke theksuar se marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Gjermanisë dhe Rusisë janë një urë mbi këtë mur, Zelensky vijoi me këto fjalë: “Ju nuk doni të shikoni pas murit. Ai është mes nesh. Evropa ka përsëri një mur. Ky nuk është Muri i Berlinit – është mur në Evropën Qendrore, në mes të lirisë dhe ky mur po ngrihet me çdo bombë të lëshuar në shtetin tonë.”
Lideri ukrainas iu drejtua gjithashtu Kancelarit gjerman, Olaf Scholz.
“Z. Scholz, rrëzojeni këtë mur. Jepini Gjermanisë udhëheqjen që meriton. Ju lutemi, na ndihmoni ta ndalojmë këtë luftë”, u shpreh ai.
Kjo thirrje është e ngjashme me atë të ish-presidentit amerikan, Ronald Reagan, në fjalimin e vitit 1987 para Portës së Brandenburgut, kur ai sfidoi homologun e tij sovjetik, Mihail Gorbaçov, që të bënte të njëjtën gjë.
Pasi vuri në pah se Rusia ka bombarduar qytete, apartamente, shkolla, spitale dhe kisha të ndërtuara nga ukrainasit për vite me radhë, Zelensky potencoi se mijëra ukrainas kanë humbur jetën në 3 javët e luftës në vazhdim dhe se 108 fëmijë janë vrarë në mes të Evropë, në vitin 2022.
Ai përmendi me nota kritike edhe gazsjellësin “Rryma e Veriut 2”, i cili synon të transportojë gazin rus në Gjermani.
“Ne ju thamë që kjo «Rryma e Veriut» ishte një përgatitje për luftë. Morëm përgjigjen se ishte «plotësisht ekonomike». Ishte llaçi për murin e ri. Ne ju pyetëm se çfarë mund të bënte Ukraina për të hyrë në NATO, për të marrë garanci në lidhje me sigurinë e saj. Pastaj morën përgjigjen se «ky vendim nuk është mbi tavolinë» dhe se «nuk është e qartë se cilin shtet do të marrim». Tani, nëse pyesni a do të anëtarësohet Ukraina në Bashkimin Evropian… Po, kjo është politikë për disa. Kur kjo refuzohet, do të jetë tullë për murin e ri”, u shpreh Zelensky.
Gjermania e ka pezulluar projektin gazsjellës “Rryma e Veriut 2”, i cili kishte synim të rriste sasinë e gazit që do të shkonte nga Rusia në Gjermani.
Kancelari Scholz e njoftoi vendimin për pezullimin e projektit më 22 shkurt, pasi Presidenti rus, Vladimir Putin, shpalli njohjen e pavarësisë së dy rajoneve separatiste në lindjen ukrainase: Donjeck dhe Lugansk.
Gazsjellësi 1.225 kilometra i gjatë, me vlerë 11 miliardë dollarëve, është përfunduar, por ende nuk është pajisur me një leje për operim.
Kritikët e këtij gazsjellësi, përfshi këtu edhe Presidentin amerikan, Joe Biden, kanë thënë se ai jo vetëm që do të rrisë varësinë e Evropës ndaj gazit rus, por edhe do të dëmtojë Ukrainën duke ia pamundësuar marrjen e tarifave të transitit, të cilat i siguron nga gazsjellësit aktualë që kalojnë nëpër territorin e saj.
Ndërkaq, OKB-ja bëri me dije se mbi 3 milionë njerëz kanë ikur nga Ukraina që kur ushtria ruse nisi ofensivën e saj më 24 shkurt (2022). /trt
