Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka deklaruar se vendi i tij po përgatit bazën për marrëveshje më të thella të sigurisë në Evropë, gjatë një takimi mbi rezultatet e fazës së parë të bashkëpunimit me partnerët në Lindjen e Mesme dhe rajonin e Gjirit, transmeton Anadolu.
Përmes rrjetin social amerikan X pas takimit me sekretarin e Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Mbrojtjes së Ukrainës, Rustem Umerov, Zelenskyy theksoi gatishmërinë e Kievit për të ofruar “mbështetje të shpejtë dhe efektive për ata që mbështesin shtetin dhe pavarësinë tonë”.
“Kjo vlen për mbrojtjen kundër dronëve sulmues dhe llojeve të tjera të mjeteve ajrore pa pilot, si dhe për trajtimin e detyrave të sigurisë detare. Përvoja e Ukrainës në Detin e Zi mund të përdoret edhe në rrugë të tjera detare me rëndësi globale”, tha Zelenskyy.
Ai njoftoi se Ukraina është në komunikim për çështje të sigurisë me vende të ndryshme të Lindjes së Mesme dhe të Gjirit në këtë kontekst, përfshirë Turqinë, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katarin dhe Sirinë, si dhe ka marrë kërkesa për angazhim nga Iraku.
“Sot gjithashtu diskutuam perspektivat për punë të përbashkët me vendet e Kaukazit, si dhe Azisë Lindore dhe Juglindore. Ka gjithashtu kërkesa konkrete nga vendet në Afrikë”, shtoi ai.
Zelenskyy gjithashtu tha se i ka dhënë udhëzim Umerovit të finalizojë draftet e disa marrëveshjeve të reja të sigurisë dhe t’i përgatisë ato për nënshkrim.
Javën e kaluar, Zelenskyy deklaroi se do të zhvillojë bisedime “në të ardhmen e afërt” me vendet evropiane, ndër tema të tjera, për mbrojtjen kundër dronëve rusë dhe për anëtarësimin e Ukrainës në BE.
Komentet e tij vijnë pasi ai realizoi një vizitë në rajonin e Gjirit në fund të muajit mars, ku nënshkroi marrëveshje në mbrojtje me Arabinë Saudite dhe Katarin, si dhe ra dakord të avancojë bashkëpunimin në siguri dhe mbrojtje me Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërkohë detajet e një marrëveshjeje janë në përfundim.
