Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe Ai vuri në shërbimin tuaj gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në tokë; të gjitha janë prej Tij. Me të vërtetë, në këtë ka shenja për njerëzit që mendojnë.”[1]
Kurani fisnik nuk mjaftohet vetëm me paraqitjen e besimit dhe dispozitave, por e fton njeriun në një udhëtim të thellë meditimi mbi gjithësinë. Një nga stacionet më të rëndësishme të këtij udhëtimi është ajeti i nënshtrimit. Ai nuk është thjesht një përshkrim i marrëdhënies së njeriut me botën që e rrethon, por një shpallje hyjnore se kjo gjithësi, me galaktikat e saj, me tokën dhe qiejt, është vënë në shërbim të njeriut. Në këtë qëndrojnë argumente për madhështinë e Krijuesit dhe përgjegjësinë e krijesës për ta ndërtuar, zbuluar dhe zhvilluar jetën në tokë.
Së pari: Kuptimi i përgjithshëm i ajetit
Ky ajet bart një domethënie të qartë se Allahu i Madhëruar i ka nënshtruar të gjithë përbërësit e gjithësisë në shërbim të njeriut; qoftë në mënyrë të detyrueshme dhe të pandryshueshme, siç ndodh me lëvizjen e diellit, hënës dhe yjeve, qoftë në mënyrë që lidhet me zgjedhjen dhe përpjekjen e njeriut, siç është përfitimi prej shkencave të natyrës dhe shfrytëzimi i ligjeve që Allahu ka vendosur në krijim.
Fundi i ajetit: “Me të vërtetë, në këtë ka shenja për njerëzit që mendojnë”, e hap gjerësisht derën për arsyen njerëzore që të meditojë mbi këto dukuri kozmike, jo vetëm me syrin e pranimit pasiv, por me syrin e studiuesit që vëzhgon, hulumton dhe reflekton.
Së dyti: Domethëniet e ajetit nga këndvështrimi shkencor
Nënshtrimi i qiejve: Ligjet e gravitetit kozmik
Ligji i gravitetit, i formuluar nga Njutoni, konsiderohet një nga shembujt më të spikatur të nënshtrimit të gjithësisë, pasi ai rregullon lëvizjen e trupave qiellorë me një saktësi mahnitëse.
Ekuilibri i këtij ligji është jashtëzakonisht i përpiktë: po të ishte forca e gravitetit pak më e madhe, universi do të shembej mbi vetveten; ndërsa po të ishte pak më e vogël, yjet dhe galaktikat do të shpërbëheshin.
Ky ekuilibër tepër i ndjeshëm tregon për një sistem të përsosur dhe të mirëorganizuar, ku nuk ka vend për rastësi dhe çrregullim.
Atmosfera dhe shtresa e ozonit
Ajri që ne thithim nuk ka një përbërje të rastësishme dhe atmosfera nuk është thjesht një hapësirë boshe mes nesh dhe kozmosit.
Përkundrazi, ajo është një mburojë mbrojtëse që pengon depërtimin e rrezeve vdekjeprurëse ultravjollcë dhe rregullon temperaturën e planetit, në mënyrë që Toka të mbetet e përshtatshme për jetën.
Konstantet e sakta kozmike
Ekzistojnë më shumë se njëzet konstante fizike, si konstanta e gravitetit dhe konstanta e Plankut, të cilat janë përcaktuar me një saktësi jashtëzakonisht të lartë, deri në pjesë shumë të vogla të vlerave të tyre.
Çdo ndryshim, sado i vogël, në këto vlera do ta bënte të pamundur ekzistencën e jetës.
Kjo njihet si “rregullimi i imët” (fine-tuning) i universit, dhe konsiderohet nga shumë studiues si një nga dëshmitë më të fuqishme shkencore që tregojnë për ekzistencën e një projektimi të mençur.
Nënshtrimi i tokës: Cikli i ujit
Që nga avullimi i ujërave të deteve, formimi i reve, zbritja e shiut, rrjedha e lumenjve dhe ujitja e tokës, të gjitha këto zhvillohen brenda një sistemi të mbyllur dhe të përsosur.
Ky cikël ruan ekuilibrin ekologjik dhe garanton vazhdimësinë e jetës.
Burimet natyrore dhe energjia
Hekuri, bakri, ari, nafta… të gjitha këto janë burime që Allahu i ka depozituar në tokë. Njeriu i ka nxjerrë dhe, nëpërmjet tyre, ka zhvilluar qytetërimet e tij.
Kush nuk mediton mbi nënshtrimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë – si energjia diellore dhe ajo e erës – nuk arrin të vërejë dhuratat e panumërta që i janë vënë në dispozicion.
Diversiteti biologjik dhe ilaçet
Nga lëvorja e pemës së shelgut u përftua aspirina, ndërsa nga studimi i pankreasit të kafshëve u zbulua insulina.
Bimët dhe kafshët nuk janë vetëm pjesë e mjedisit, por edhe depo të pashtershme të përbërësve shërues, të cilat kontribuojnë në trajtimin dhe shërimin e miliona njerëzve.
Meditimi shkencor: një ndërthurje mes besimit dhe zbulimit
Ajeti tërheq vëmendjen te rëndësia e meditimit dhe reflektimit, e jo thjesht te zotërimi i dijes, sepse përsiatja e thellë të çon drejt besimit, ndërsa disa dijetarë mund të mjaftohen vetëm me atë që shihet në sipërfaqe.
Shkenca moderne mbështetet në vëzhgimin, eksperimentimin dhe analizën. Sa më thellë që njeriu depërton në kuptimin e universit, aq më shumë i afrohet njohjes së madhështisë së Krijuesit të tij.
Fizikanti Pol Dejvis thotë: “Ligjet e ndërlikuara fizike tregojnë se universi duket sikur është përgatitur paraprakisht për ta pritur jetën.”
Kështu, meditimi shkencor nuk bie domosdoshmërisht në kundërshtim me besimin; përkundrazi, ai mund të bëhet një urë që e lidh njeriun me njohjen e urtësisë, rregullit dhe madhështisë së Allahut në krijimin e Tij.
Së treti: Shembuj praktikë nga realiteti bashkëkohor
Shembulli: Pozicionimi i Tokës brenda “zonës së banueshme” Aspekti i nënshtrimit: Mundësimi i temperaturave të përshtatshme dhe vazhdimësia e jetës
Shembulli: Atmosfera dhe shtresat e saj Aspekti i nënshtrimit: Mbrojtja e Tokës nga rrezatimet e dëmshme
Shembulli: Shfrytëzimi i erës dhe i ujit për prodhimin e energjisë elektrike Aspekti i nënshtrimit: Sigurimi i burimeve të pastra dhe të qëndrueshme të energjisë
Shembulli: Përfitimi i barnave nga bimët dhe mikroorganizmat Aspekti i nënshtrimit: Shpëtimi i jetëve dhe trajtimi i sëmundjeve
Shembulli: Përdorimi i valëve elektromagnetike Aspekti i nënshtrimit: Zhvillimi i internetit, telefonisë dhe rrjeteve të komunikimit
Së katërti: Përfundim dhe reflektim
Ky ajet vjen si një thirrje zgjimi për mendjen njerëzore, duke e ftuar atë të thyejë kufijtë e zakonit dhe ta shikojë gjithësinë me syrin e studiuesit dhe medituesit të thellë.
Me çdo zbulim të ri shkencor, në zemër ripërtërihet besimi se ky univers është i përpiktë në ndërtimin e tij, i madhërishëm në projektimin e tij dhe i harmonizuar në ligjet e tij.
Allahu i Lartësuar thotë: “Ne nuk i kemi krijuar qiejt dhe tokën dhe çfarë ka mes tyre veçse me të vërtetën”[2]
Sa më shumë që thellohemi në kuptimin e nënshtrimit të gjithësisë, aq më shumë shtohet besimi ynë tek Krijuesi, dhe aq më e madhe bëhet përgjegjësia jonë për ndërtimin dhe zhvillimin e tokës.
Autor: Firas Uelidi
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Xhathije: 13.
[2] – Sure Hixhr: 85.
