Ballina Sport Futboll Barcelona fiton me shumë mund ndaj Levantes

Barcelona fiton me shumë mund ndaj Levantes

Barcelona ka dalë me pikë të plota nga udhëtimi ndaj Levante, në një ndeshje ku u shënuan pesë gola.

Në një ndeshje ku Levante pa tri penallti në favor të sajën, Barcelona arriti të merrte pikë të plota me një fitore dramatike 2:3, shkruan lajmi.net.

Pjesa e parë e këtij takimi u mbyll pa gola, me Levanten që arriti të krijonte më shumë raste shënimi.

Goli i parë erdhi pikërisht nga vendasit, të cilët në minutën e 52’ shënuan me Morales. Ai u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë.

Vetëm katër minuta më vonë, një tjetër penallti u akordua në favor të Levante. Kësaj radhe përsipër mori Marti, por goditjen e tij e priti Marc Andre ter Stegen, shkruan lajmi.net.

Barcelona inkuadroi në lojë Pedri dhe Gavi në minutën 57’ dhe arriti të ndryshonte tempon e lojës.

Ousmane Dembele bëri një harkim të mirë në minutën e 59’, harkim të cilit iu përgjigj Pierre Emerick Aubameyang, për të dërguar topin në rrjetë me një goditje me kokë.

Katër minuta pas tij, Pedri Gonzalez çoi shifrat në 1:2, me një goditje të bukur tokazi.

Por, këtu nuk mbaroi gjithçka. Xavi kishte edhe disa lëvizje në mendje dhe këto lëvizje e kthyen ndeshjen në një dramë të vërtetë. Ai inkuadroi në lojë Clement Lenglet (80’). Francezi shkaktoi penallti në minutën e 83’ – e treta për Levante në këtë ndeshje.

Melero u tregua i saktë nga pika e bardhë dhe çoi shifrat në 2:2.

Barcelona provoi të kthente avantazhin. Në fushë futi edhe Adama Traore dhe Luuk de Jong. Ky i fundit shënoi gol me kokë në minutën e 92′, pas një harkimi të mirë të Jordi Alba.

Barca tashmë shkon në 60 pikë për pozitën e dytë në tabelë, me 30 ndeshje të luajtura. Levante mbetet me 22 pikë për pozitën e parafundit.

Exit mobile version