Bashkimi Evropian (BE) njoftoi sot dërgimin e qindra gjeneratorëve emergjentë në Ukrainë, pasi “sulmet ruse” ndaj infrastrukturës energjetike kanë lënë më shumë se një milion njerëz pa energji elektrike, ujë dhe ngrohje, në kushte temperaturash shumë të ulëta, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, Komisioni Evropian tha se po mobilizon 447 gjeneratorë emergjentë me vlerë 3,7 milionë euro për të ndihmuar në rikthimin e energjisë për spitalet, strehimoret dhe shërbime të tjera kritike.
Komisioni shtoi se gjeneratorët do të shpërndahen nga Ministria e Zhvillimit të Komuniteteve dhe Territoreve e Ukrainës, në bashkëpunim me Kryqin e Kuq Ukrainas, në zonat më të goditura.
Ky hap vjen në një kohë kur Ukraina po përballet me temperatura deri në minus 20 gradë Celsius, pas asaj që Brukseli i përshkroi si “sulme të pamëshirshme ruse ndaj infrastrukturës energjetike të vendit”.
“BE-ja nuk do të lejojë që Rusia ta detyrojë Ukrainën të dorëzohet përmes ngrirjes dhe do të vazhdojë të ndihmojë ukrainasit ta kalojnë këtë dimër”, thuhet në deklaratë.
Që nga fillimi i luftës në shkurt 2022, BE-ja ka dorëzuar pothuajse 10.000 gjeneratorë në Ukrainë përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së (UCPM).
Sipas Komisionit Evropian, që nga fillimi i luftës janë ndarë mbi 1,2 miliard euro për ndihmë humanitare për Ukrainën, me më shumë se 160.000 tonë asistencë.
Përveç kësaj, të paktën 3 miliardë euro janë siguruar për të mbështetur sigurinë energjetike të Ukrainës.
Në prag të dimrit, BE-ja mobilizoi 927 milionë euro për blerje emergjente të gazit, ndërsa kapaciteti i eksportit të energjisë elektrike drejt Ukrainës aktualisht është në nivelin maksimal.
