“Ne duam të rrisim reciprokisht vëllimin tonë të tregtisë dhe gjithashtu aktivitetet tona turistike. Ne synojmë një vëllim tregtar prej 10 miliardë dollarësh dhe jemi gati për ta bërë tregtinë dypalëshe shumë më të balancuar përmes diversifikimit të mallrave”, tha Mevlut Çavusoglu në një konferencë të përbashkët shtypi pas një takimi me homologun e tij brazilian, Carlos Alberto Franco França, në kryeqytetin Brazili të shtetit amerikanojugor.
Shefi i diplomacisë turke bëri me dije se gjatë takimit, të dyja palët u përqendruan në bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, ushtrisë, kulturës dhe arsimit.
“Dy vendet nënshkruan gjithashtu marrëveshje të rëndësishme, të cilat do të forcojnë marrëdhëniet kulturore dhe politike”, shtoi ai.
Çavusoglu vuri në pah se numri i turistëve brazilianë në Turqi ishte rreth 100 mijë përpara fillimit të pandemisë dhe se ky numër ka rënë si pasojë e mbylljeve të vendeve në kuadër të masave të kundër COVID-19.
“Tani synimi ynë është ta kapim sërish këtë shifër dhe madje të shkojmë përtej kësaj për të arritur në 150 mijë. Ne duam të presim mysafirë, turistë nga Brazili. Gjithashtu duam që qytetarët tanë turq të vizitojnë Brazilin. Motivim i rëndësishëm për këtë janë fluturimet e «Turkish Airlines» për në dhe nga Sao-Paulo. Megjithatë Turqia planifikon një fluturim direkt edhe për në Rio-de-Zhanejro. Me këto fluturime të drejtpërdrejta, ne sigurisht që mund të rrisim numrin e turistëve në hyrje dhe në dalje”, theksoi kryediplomati turk.
Ai nënvizoi më tej se Turqia dhe Brazili kanë lidhje të ngushta më shumë se 160-vjeçare dhe marrëdhënie të forta kulturore.
“Në vitin 2010, vendet i ngritëm marrëdhëniet tona në nivelin e partneritetit strategjik”, vijoi ministri turk i Punëve të Jashtme.
Me rastin e vizitës së ministrit Çavusoglu, u mbajt edhe Takimi 4. i Komisionit të Partneritetit Turqi-Brazil.
“Brazili është partneri ynë tregtar më i madh në Amerikën Latine dhe këtë e tregon fakti që ne kemi arritur shifrën prej gati 5 miliardë dollarësh të vëllimit tregtar”, saktësoi ai.
Brazili si aktor kyç rajonal dhe global
Çavusoglu tha se Brazili është një partner i rëndësishëm për Turqinë, por gjithashtu një aktor i rëndësishëm si rajonal ashtu edhe global.
“Pra, krahas çështjeve rajonale, ne jemi të gatshëm të punojmë më ngushtë me Brazilin edhe për çështjet globale. Ne duam të kemi një bashkëpunim më të fortë në platformat shumëpalëshe si Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), G20-a dhe Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD)”, theksoi Çavusoglu duke shtuar se Turqia mbështet fuqimisht kandidaturën e Brazilit për anëtarësim në OECD.
Ministri i Jashtëm turk tha se gjatë takimit, të dyja palët diskutuan edhe për çështjet rajonale duke përfshirë luftën ruso-ukrainase.
“Lufta kundër terrorizmit është gjithashtu një fushë, në të cilën ne i kushtojmë rëndësi bashkëpunimit tonë në periudhën e ardhshme”, shtoi ai.
Mevlut Çavusoglu uroi gjithashtu qindvjetorin e dytë të pavarësisë së Brazilit dhe tha se është i gatshëm të presë së shpejti homologun e tij França në Turqi.
Brazili mbështet marrëveshjen e tregtisë së lirë të Turqisë me Tregun e Përbashkët Jugor
Carlos Alberto França, nga ana e tij, tha se ranë dakord për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh.
“Ne po përpiqemi të institucionalizojmë infrastrukturën e marrëdhënieve tona me Turqinë. Ne duam ta forcojmë këtë infrastrukturë institucionale në industrinë e mbrojtjes dhe në shumë fusha të ndryshme”, potencoi ai.
França përshëndeti vizitën e homologut Çavusoglu në Brazil dhe kontaktet intensive shumëpalëshe e dypalëshe të Turqisë në arenën ndërkombëtare, përfshi këtu edhe Forumin e Diplomacisë së Antalies, të cilin ai e quajti “jashtëzakonisht të rëndësishëm”.
“Ishte hera e parë që një delegacion përfaqësues i qeverisë braziliane mori pjesë në këtë forum muajin e kaluar”, tha ai.
Më 10 mars, Turqia u bë kryefjalë në mbarë botën për pritjen e ministrave të jashtëm rus dhe ukrainas në provincën mesdhetare të Antalies, takimi i nivelit më të lartë ndërmjet dy këtyre dy palëve që nga fillimi i luftës më 24 shkurt (2022).
França theksoi edhe se Brazili mbështet përpjekjet e Turqisë për të rigjallëruar negociatat për marrëveshjen e tregtisë së lirë me Tregun e Përbashkët Jugor (MERCOSUR).
Gjithashtu ai e falënderoi Turqinë për mbështetjen e saj për kandidaturën e Brazilit për anëtarësim në OECD.
Duke përmendur marrëveshjen e nënshkruar vitin e kaluar ndërmjet Turqisë dhe Brazilit në fushën e industrisë së mbrojtjes, shefi i diplomacisë braziliane tha: “Me këtë marrëveshje, ne do të jemi në gjendje të kryejmë shumë studime të ndryshme dhe të transferojmë teknologji. Kjo gjithashtu do të rrisë fuqinë luftarake të Forcave të Armatosura të Brazilit dhe do të forcojë infrastrukturën tonë në këtë drejtim.”
Ministri Cavusoglu mori pjesë të dielën në ceremoninë e përurimit të Konsullatës së Përgjithshme të Turqisë në Sao-Paulo.
Më vonë të hënën, kryediplomati turk u takua me Presidentin brazilian, Jair Bolsonaro, si pjesë e vizitës së tij zyrtare në shtetin e Amerikës Latine.
Bolsonaro e priti ministrin e Jashtëm turk në “Planalto”, pallati presidencial i Brazilit.
“U takova me Presidentin Jair Bolsonaro të Brazilit. Diskutuam marrëdhëniet tona dypalëshe dhe zhvillimet e fundit në Ukrainë”, shkroi Çavusoglu në “Twitter” duke njoftuar shkurtimisht rreth kontaktit të tij me kreun e shtetit brazilian. /trt
