Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Ç’hall po e detyron Ramën të sulmojë Erdoganin dhe Turqinë?

Ç’hall po e detyron Ramën të sulmojë Erdoganin dhe Turqinë?

A mos po përdoret kryeministri ynë si një vegël për të goditur ndikimin turk në Ballkan në emër të Tel Avivit?

Kryeministri Edi Rama ka shprehur pakënaqësinë për nivelin e marrëdhënieve ekonomike midis Shqipërisë dhe Turqisë, duke theksuar se pesha ekonomike e Ankarasë në rajon nuk përkon me fuqinë e saj politike.

Në një intervistë për median Türkiye Today, Rama vuri në dukje se deri tani produkti kryesor i eksportuar nga Turqia në Ballkan ka qenë popullariteti i Presidentit Erdogan, por shtoi se ky fakt nuk mjafton për një partneritet të fortë pa investime konkrete dhe projekte madhore.

www.turkiyetoday.com/region/exclusive-albanian-pm-says-galatasaray-fenerbahce-worth-more-than-ankara-tirana-trade-3216074

Duke përdorur një gjuhë figurative, ai ironizoi se vëllimi tregtar dypalësh mund të jetë më i ulët se vlera e klubeve të futbollit si Galatasaray dhe Fenerbahçe. Sa i përket tensioneve rajonale, ai i cilësoi deklaratat e presidentit Vuçiç si “makthe” dhe konfirmoi se çdo kërcënim ndaj Kosovës prek drejtpërdrejt edhe Shqipërinë.

Në mbyllje, kreu i qeverisë rikonfirmoi se vendi nuk ka “Plan B” tjetër përveç anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030.

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë kanë qenë historikisht një shembull i rrallë i bashkëpunimit mes dy popujve që ndajnë një trashëgimi të gjatë kulturore dhe gjeopolitike. Që nga njohja e pavarësisë e deri në dekadat e fundit, Ankaraja ka shërbyer si një “liman i sigurt” për Shqipërinë, duke ofruar mbështetje pa kushte në proceset e shtetformimit dhe sigurisë kombëtare.

Ky raport, që arriti një lloj kulmi në dy mandatet e para të Edi Ramës, po kalon sot një krizë të heshtur, e cila kulmoi dje me një mori sulmesh të papritura publike nga kryeministri shqiptar ndaj Turqisë dhe vetë Erdoganit.

Dukshëm i mllefosur, Rama u ankua për “mungesë projektesh” apo vonesa në zbatimin e tyre. Megjithatë, faktet kokëforta flasin për një prani masive turke që ka shërbyer si motor për ekonominë tonë: rreth 3.8 miliardë euro investime që nga viti 1991 dhe mbi 800 kompani turke që mbajnë gjallë sektorët jetikë.

Shqiptarët nuk mund ta harrojnë se pas tragjedisë së shkaktuar nga tërmeti i vitit 2019, ndërsa Brukseli përhumbej nëpër hallkat e burokracisë së tij, ishte pikërisht Erdogan ai që ndërtoi në kohë rekord lagjen e re në Laç, dhe po në kohë rekord gjatë pandemisë, Spitalin Memorial në Fier.

Po ashtu, ndërtimi i Xhamisë së Namazgjasë dhe restaurimi i asaj të Plumbit në Shkodër, janë dëshmi të një vullneti që nuk matet thjesht me përqindje tregtare, por me afërsi shpirtërore. Atëherë, nga e ka burimin ky nervozizëm i papritur publik i Edi Ramës ndaj Ankarasë?

Ironitë e tij mjerane në intervistën dhënë për një media turke mbi “neo-otomanizmin” sipas tij të pamjaftueshëm të turqve – duke u kapur pas vonesave të TIKA-s për riparimin e një xhamie të vogël si pretekst për të goditur Turqinë – tingëllojnë si një skenar i përgatitur në zyra që nuk ndodhen as në Tiranë dhe as në Ankara.

Ky ndryshim drastik i kursit ngre dyshime të forta: A po e sakrifikon Rama miqësinë me Erdoganin për të blerë mbijetesën e tij politike te disa lobi ndërkombëtare që Turqinë e shohin si rivale?

Sulmi i tij ndaj “eksportit të popullaritetit” të Erdogan në rajon dhe Shqipëri, duket si një “pasaportë” që Rama kërkon t’ia paraqesë Perëndimit për t’u distancuar nga damka e “autokratit”. Sepse është tejet e dyshimtë që një lider aq pragmatist, të rrezikojë një aleancë të tillë për çikërrima.

Këtu ndihet haptazi presioni i qarqeve që kërkojnë minimizimin e rolit turk në Ballkan, duke përdorur Ramën si ushtarin e radhës në skakierën gjeopolitike që godet pas shpine për llogari të të tjerëve. Piruetat politike të kryeministrit Rama po bëhen gjithnjë e më të lexueshme por edhe të rrezikshme.

Ndërsa Shqipëria po modernizon ushtrinë dhe forcon sigurinë me dronët ekonomikë, por shumë efektivë “Bayraktar”, ai ka dështuar të ofrojë të njëjtin seriozitet në raportet politike. Për Ankaranë, lëvizja FETÖ mbetet një “vijë e kuqe”.

Megjithatë, Rama vazhdon lojën e dyfishtë duke mbajtur nën mbrojtje strukturat gyleniste, mbase si një haraç ndaj shërbimeve të huaja sekrete që kërkojnë ta mbajnë artificialisht të ndezur këtë tension. Krisja thellohet edhe më shumë me flirtin e tij të pakuptueshëm me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.

Në një kohë kur Turqia, si dhjetëra vende të tjera, e akuzon hapur Izraelin për gjenocid në Gaza, Rama shfaqet si mbrojtësi më i zjarrtë i Tel Avivit, duke shkelmuar ndjeshmërinë e partnerit të tij që deri dje e konsideronte “vëlla”.

Ky distancim i Erdoganit nuk vjen nga harresa, por nga zhgënjimi prej hipokrizisë së skajshme të një lideri që “vëllazërinë” e ka vetëm mjet për konsum votash. Duke ironizuar Turqinë dhe Erdoganin, Rama nuk po kërkon investime, por një “dalje” nga një aleancë që sot i rëndon para tutorëve të tij të rinj.

Në këtë lojë të madhe gjeopolitike, kryeministri ynë rrezikon ta kthejë Shqipërinë në një tabelë qitjeje, duke tradhtuar të vetmen dorë që i mbeti e shtrirë kur të tjerët ia mbyllën dyert. /tesheshi

Exit mobile version