Presidenti amerikan Donald Trump tha sot se SHBA-ja po e “shkatërron plotësisht” Iranin ushtarakisht dhe ekonomikisht, duke kritikuar mbulimin nga “The New York Times” që sugjeronte të kundërtën, transmeton Anadolu.
“Ne po e shkatërrojmë plotësisht regjimin terrorist të Iranit, ushtarakisht, ekonomikisht dhe ndryshe, megjithatë, nëse lexoni ‘New York Times’-in e dështuar, do të mendonit gabimisht se nuk po fitojmë”, shkroi Trump në një postim në platformën e tij të mediave sociale Truth Social.
Ai tha se asetet ushtarake të Iranit po dëmtohen rëndë. “Marina e Iranit është zhdukur, Forca e tyre Ajrore nuk ekziston më, raketat, dronët dhe gjithçka tjetër po shkatërrohen dhe udhëheqësit e tyre janë fshirë nga faqja e dheut”, tha ai.
Trumpi shtoi se SHBA-ja zotëron kapacitete të jashtëzakonshme ushtarake dhe do të vazhdojnë fushatën e tyre. “Ne kemi fuqi zjarri të pakrahasueshme, municion të pakufizuar dhe shumë kohë. Shikoni se çfarë u ndodh këtyre plehrave të çmendur sot”, shkroi Trump.
Presidenti amerikan gjithashtu akuzoi Iranin për dhunë të gjatë. “Ata kanë vrarë njerëz të pafajshëm në të gjithë botën për 47 vjet, dhe tani unë, si presidenti i 47-të i SHBA-së, po i vras ata. Çfarë nderi i madh është ta bëj këtë!”, theksoi ai.
Komentet erdhën mes sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit të nisura më 28 shkurt, të cilat kanë vrarë rreth 1.300 njerëz, përfshirë disa zyrtarë të lartë.
Irani është hakmarrë me sulme me dronë dhe raketa që kanë shënjestruar Izraelin, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë asete ushtarake amerikane.
